Kard. Parolin: interesa të shumta në lojë, e pengojnë fundin e tragjedisë në Gazë
R.SH. / Vatikan
Në përfundim të Meshës, kremtuar dje më 27 gusht, për kujtimin liturgjik të Shën Monikës, në Bazilikën romake të Shën Augustinit, në Campo Marzio, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, përsëriti qëndrimin e Selisë së Shenjtë ndaj krizës në Lindjen e Mesme, duke kujtuar thirrjen e Papës Leoni XIV dhe deklaratat e Patriarkëve të Tokës Shenjte.
Kundër zhvendosjes të popullsisë së Gazës
"Dëshiroj të kujtoj thirrjen që Papa bëri dje, gjatë audiencës së përgjithshme, që përmban mendimet e Selisë së Shenjtë mbi situatën në Gaza", shpjegoi Kardinali Parolin, duke kujtuar se ashtu si Papa, edhe Patriarkët, Kishat Ortodokse Greke dhe Latine, bënë thirrje për "fundin e luftës" dhe u shprehën "kundër zhvendosjes të popullsisë së Gazës".
Shumë interesa në lojë
Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Parolin nënvizoi se "ka shumë zgjidhje”, që mund t'i japin fund vërtet kësaj situate", ndërsa denoncoi peshën e interesave "të politikës", "ekonomisë", "pushtetit" dhe "hegjemonisë" që e pengojnë " zgjidhjen humane për këtë tragjedi".
Vendimi për të mbetur aty, i guximshëm
Lidhur me mbrojtjen e rregulltarëve dhe të besimtarëve në Gaza, Kardinali Parolin kujtoi se " pas urdhrit të evakuimit të qeverisë izraelite u dha liri ". E, më pas, shtoi se Patriarku Ortodoks i Jeruzalemit, Theofilos III, kujtoi se besimtarëve të famullisë ortodokse iu kërkua dje të "largoheshin nga Gaza". "Secili mund të vendosë çfarë do të bëjë" - tha Kardinali - duke saktësuar, megjithatë, se "vendimi për të qëndruar është i guximshëm" dhe se nuk e di "si do të realizohet e nëse ekziston ky urdhër evakuimi" si dhe "kontrolli i plotë, në tokë, i territorit".
Shenja nga Diplomacia
Në frontin diplomatik, Sekretari i Shtetit i Vatikanit pohoi se është "në kontakt me administratën amerikane, përmes ambasadës", dhe uroi që nga diskutimet ndërkombëtare, të cilat rezultojnë nga vizita e Ministrit të Jashtëm Izraelit Gideon Sa'ar në Uashington, të arrijnë sinjale konkrete: "Pres atë, që ka kërkuar Papa, domethënë, armëpushimin, hyrjen e sigurt për ndihmën humanitare, respektin për të drejtën ndërkombëtare humanitare - kjo është themelore – dhe shmangien e ndëshkimit kolektiv".
Qëndrimi i Qeverisë Izraelite
Së fundi, në lidhje me rrezikun e evakuimit të detyruar të popullsisë së Gazës, Kardinali Parolin pranoi që deri tani qeveria izraelite "ka treguar se nuk e ka ndër mend të tërhiqet" nga ky pozicion dhe se "ndoshta nuk ka shumë shpresë", ndërsa përsëriti gatishmërinë e Selisë së Shenjtë për të "këmbëngulur", që gjërat të mund të ndryshojnë.