Fillon Tonalestate. Parolin: shumë të pafajshëm paguajnë me jetë lakminë e të pushtetshmëve
R.SH. – Vatikan
"Shumë njerëz të pafajshëm paguajnë me jetën e tyre për lakminë dhe ambicien e atyre, që e shfrytëzojnë pushtetin sipas dëshirës: vendosja e tyre në qendër të vëmendjes është një gjest i detyrueshëm drejtësie, sepse ata zakonisht nuk kanë zë". Kështu thekson Sekretari i Shtetit i Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, në një mesazh drejtuar don Nicola Riva-s, asistent kishtar i “Opera di Nàzaret” (Vepra e Nazaretit), shoqatës ndërkombëtare laike të themeluar ndërmjet viteve ‘60 e ‘70 nga babai i tij, Giovanni Riva, mësues, shkrimtar dhe edukator. Rasti ishte Tonalestate, universiteti ndërkombëtar veror - për studentë, mësues, formues e për këdo që është i interesuar ta shohë realitetin nga pikëpamja kulturore, duke respektuar të drejtat e njeriut, drejtësinë dhe paqen, Punimet filluan sot, 7 gusht, aty ku takohen Alpet e Brescia-s dhe Trentino-s, në Itali, ndërmjet Ponte di Legno, Passo del Tonale dhe Vermiglio. I promovuar nga shoqata kulturore me të njëjtin emër dhe i organizuar nga Vepra e Nazaretit, takimi, në edicionin e tij të 26-të, vazhdon deri më 9 gusht e përqendrohet në temën e varfërisë. Tema, “DeRelicti - kush i ka çelësat e mbretërisë?", u referohet qartë të braktisurve të shoqërisë, por edhe shkaktarëve të kësaj gjendjeje të vështirë, me synimin për të përvijuar udhët e rimëkëmbjes. Rreth 200 pjesëmarrësve, kryesisht nga Amerika, Azia dhe Evropa, kardinali Parolin u kërkon që vëmendjen për të varfrit ta kthejnë në "përpjekje për ta ndryshuar situatën dhe për të krijuar një botë të drejtë dhe humane ku 'deRelicti', pra, të braktisurit, të jenë gjithnjë e më të paktë".
Ndryshimi i realitetit, aty ku jetojmë
Qëllimi i Tonalestate është "të bashkojë të rinj nga shumë vende të botës - Japonia, Meksika, El Salvadori, sa për të përmendur disa prej tyre - për të diskutuar e për të trajtuar së bashku çështjet më urgjente të kohës sonë", shpjegon presidentja Elena Lanzoni për mediat e Vatikanit. "Duam ta përqendrojmë vëmendjen tek ata që nuk kanë zë, që jetojnë në situata padrejtësie dhe mjerimi, për shkak të krimeve të 'mbretërve', pra, të atyre, që mbajnë pushtetin sot", shton Lanzoni, duke nënvizuar se shpesh, politika "është bashkëfajtore në këtë neglizhencë ndaj më pak të privilegjuarve". Por të rinjtë e pranishëm nuk do të përqendrohen thjesht tek "kush e përcakton jetën, vdekjen, paqen, luftën, por edhe kush mund t'u japë shpresë të varfërve", vazhdon Lanzoni. Gjatë takimit tre-ditor do të ketë konferenca, tryeza të rrumbullakëta, filma, shfaqje, ekspozita dhe koncerte, për të marrë informacion "rreth gjendjes botërore, por edhe për të gjetur përgjigje e për t’i çuar ato secili në vendin e vet, në universitetin e vet, në shkollë, në vendin e punës, që të fillojë një ndryshim i realitetit kudo".