Zërat e të rinjve, në zemrat e Papëve
R.SH. / Vatikan
Kremtime, takime dhe çaste feste, ku jehojnë zëra dhe shpresa në një mori gjuhësh, nga çdo cep i botës. Jubileu i Rinisë, i planifikuar në Romë nga 28 korriku deri më 3 gusht, është edhe mundësi e jashtëzakonshme për shtegtim në Portat Shenjte, për të marrë Ndjesën e Jubileut pas Sakramentit të Pajtimit dhe për të takuar Papën Leoni XIV, në natën pa gjumë të Lutjes, të shtunën, më 2 gusht, më pas gjatë kremtimit të Meshës të dielën, më 3 gusht, në Tor Vergata, në Romë. Ngjarje në të cilën feja rrok dyshimet, shpresat, ankthet dhe ëndrrat e atyre që janë të thirrur për të parë dhe për të ndërtuar të ardhmen.
Gjatë Vitit të Shenjtë, zërat e Papëve shpesh gërshetohen me ato të brezave të rinj. Duke parë magjisterin papnor, gjejmë një mori njohurish dhe reflektimesh, gjithmonë të rëndësishme, që i tejkalojnë rrethanat e tyre historik. Duke e ngushtuar kohën në historinë e ngjarjeve, Viti Shenjt pas Luftës II Botërore ishte kohë, që i ftonte të rinjtë ta shihnin horizontin me sy të rinj, pavarësisht errësirës që u dynd mbi botën.
Guximi i të Rinjve
Jubileu i vitit 1950 ishte dritë e jashtëzakonshme shprese pas shkatërrimit të madh të Luftës II Botërore. Për të siguruar mirëseardhjen e miliona shtegtarëve, lëshohet një pasaportë e veçantë, e vlefshme në të gjithë Italinë: "Karta e Shtegtarit". Tre milionë shtegtarë dynden në Romë e, gjatë Vitit Shenjt, organizohen takime të shumta, veçanërisht për të rinjtë. Në një botë ende përplot me plagët e gjakosura të konfliktit, në reflektimet dhe fjalimet e Piut XII kumbon kryesisht fjala "paqe". Për Papën Pacelli, pjesëmarrja e të rinjve në jetën publike është themelore për të siguruar që farat e së mirës së përbashkët të zënë rrënjë në shoqëri. Në mesazhin e tij radiofonik të Krishtlindjeve në vitin 1950, Papa pati theksuar se brezat e rinj kanë nevojë për shembuj të ndritur: kanë nevojë për prijës, që nuk ua ngushtojnë vizionin, por dinë si t’i zgjerojnë horizontet e tyre, për të mirën e të gjithëve.
Të rinjtë dhe pjesëmarrja në jetën publike
Popujt mund ta presin paqen e dëshiruar vetëm nga burrat, qeveritarë a të qeverisur, udhëheqës a ndjekës, të cilët, duke mbrojtur interesat e tyre të veçanta dhe mendimet e tyre, nuk këmbëngulin ose nuk e ngushtojnë vizionin e vet, por dinë si t’i zgjerojnë horizontet dhe t’i lartojnë shikimet e tyre për të mirën e të gjithëve. Nëse në shumë vende ka mungesë të mjerueshme pjesëmarrjeje të brezave të rinj në jetën publike, a nuk është shkaku se edhe atyre u është ofruar shumë pak ose shumë rrallë shembulli i ndritshëm dhe magjepsës i burrave, si ata që sapo përshkruam?
Edhe në kohë të vështira, të torturuar nga vështirësitë e luftës, të rinjtë kanë treguar guximin e tyre. Papa Piu XII e kujtoi këtë kur u takua me një organizatë rinore, Shoqatën e Udhërrëfyesve Italianë, më 5 janar 1950, gjatë shtegtimit të tyre në Romë:
Para syve tanë, nëse mund të shprehimi kështu, ju e mbillni me guxim këtë farë. Para syve Tanë, kur ceremonitë publike nuk lejoheshin në Romën e pushtuar, ju shqiptuat "Premtimin" tuaj të parë në skutat e shenjta të Varrezave të Prishilës. Shpirti i Katakombeve dhe vetëdija e së tashmes, e së sotmes, u shkrinë më pas në shpirtrat tuaj të rinj në një bashkim të pazgjidhshëm dhe të frytshëm, nën vështrimin e Nënës së Zotit dhe mbrojtjen e Shën Gjergjit, Kalorësit Shenjt... Rinisë së sotme i takon drejtimi dhe përgjegjësia e së nesërmes. Jetojeni të sotmen tuaj në praninë e vazhdueshme dhe të pandërprerë të Zotit. Vetëm në këtë mënyrë do të kontribuoni në krijimin për Kishën, për atdheun, për vëllezërit dhe motrat tuaja, për veten tuaj, të një të ardhmeje në të cilën demoni i urrejtjes dhe i mosmarrëveshjes, i papastërtisë dhe i gënjeshtrave, do t'ia lërë vendin engjëllit të së vërtetës dhe të paqes.
Të fortë në fe
Jubileu i vitit 1975 është Viti Shenjt i përtëritjes e i pajtimit, i njëzet e pesti Jubile i historisë së Kishës, i shpallur nga Papa Pali VI dhjetë vjet pas përfundimit të Koncilit II të Vatikanit. Më 9 mars, Papa Pali VI u takua me disa grupe shtegtarësh, ardhur në Romë për Jubileun. Papa i nxiti, veçanërisht të rinjtë, të jenë të fortë në fenë e tyre. Kjo dhuratë, theksoi Papa, "nuk kufizohet vetëm në një pamje thjesht të jashtme dhe pasive, por kërkon përpjekje të vazhdueshme për thellim e pjekuri".
Prandaj, do t'ju përsërisim këshillën e Shën Pjetrit Apostull: "Jini të fortë në fe" (1 Pjet. 5,9). Nuk mund të jesh i ligësht. Ky është kujtimi i veçantë që do të dëshironim t'ju lëmë në këtë Jubile të vitit 1975. Është ftesë që ua drejtojmë të gjithëve, por veçanërisht të rinjve - dhe ka shumë prej jush këtu - sepse mbi të rinjtë, mbi bujarinë dhe energjinë e tyre të freskët, mbështetet e ardhmja e Kishës dhe e shoqërisë.
Jubileu synon të jetë, para së gjithash, zgjim i brendshëm, kërkim i vetvetes. Për brezat e rinj, është çështje vetëdijësimi, mbi të gjitha, për identitetin e tyre. Në homelinë e tij gjatë Meshës të së Dielës së Larit, më 23 mars 1975, Papa Pali VI u kërkoi të rinjve të mos rrijnë mënjanë, por të jenë mbartës të gëzimit të krishterë: "Jeni këtu si përfaqësues tipikë të kohës sonë, si protagonistë të brezit tuaj; jo aq si spektatorë, mysafirë dhe kalimtarë pasivë, por si aktorë dhe faktorë në fenomenin karakteristik të rinisë suaj".
Jubileu i vitit 1975 ishte kohë e përshkuar nga shqetësimi rinor në rritje. Kohë, si e tashmja, në të cilën ndiejmë nevojën urgjente për një thirrje drejt vetëdijes së brendshme, drejt fesë.
A doni edhe ju, të rinj të këtij çasti kritik historik dhe shpirtëror, si ata të së Dielës së Larit në Jeruzalem, ta njihni Jezusin si Mesi, si Krishti Zot, si qendër e gurthemeli i jetës suaj? A doni vërtet ta vendosni atë në kulmin e besimit dhe gëzimit tuaj? Bëhet fjalë për daljen nga ajo gjendje dyshimi, pasigurie dhe paqartësie në të cilën shumë të rinj bashkëkohorë shpesh e gjejnë vetveten dhe luftojnë. Bëhet fjalë për kapërcimin e fazës së krizës shpirtërore, karakteristikë e adoleshencës, ndërsa ajo kalon në rini dhe më pas, nga rinia në pjekuri; krizë idesh, krizë besimi, krizë orientimi moral, krizë sigurie rreth kuptimit dhe vlerës së jetës. Sa të rinj rriten me sy të mbyllur, ose të paktën dritëshkurtër, në lidhje me drejtimin shpirtëror dhe shoqëror të shtegtimit drejt së ardhmes? Freskia e energjisë rinore dhe stimulimi i instinkteve jetësore, në të vërtetë, i japin energji lëvizjes së tyre të lirë, gjallëri sjelljes së tyre; por a e dinë ata se ku po shkojnë, ku ia vlen t'i kushtohen jetës së tyre?
Zëra profetikë
Kremtimi me të rinjtë të Dielën e Larit të vitit 1984 ishte, sipas së përditshmes së Vatikanit, L’Osservatore Romano, “më domethënësi dhe më solemni i të gjithë Jubileut” të Shëlbimit. Duke iu drejtuar mbi 30,000 të rinjve nga 45 vende të ndryshme në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa Gjon Pali II ripohoi veçantinë e mesazhit të krishterë: të kesh Jezusin si model për jetën, do të thotë të mishërosh, në jetën e përditshme, planin e Zotit për çdo qenie njerëzore. Për Papën Gjon Pali II, të rinjtë “kanë një lloj roli profetik”:
Mund të filloni një fushatë për të denoncuar të këqijat e sotme duke folur, para së gjithash, kundër “kulturës së vdekjes” të përhapur gjerësisht e cila, të paktën në kontekste të caktuara etnike dhe shoqërore (për fat të mirë, jo kudo), duket si shpat i rrezikshëm rrëshqitës i rënies e i rrënimit. Të reagosh ndaj kësaj kulture është e drejta dhe detyra jote: duhet ta vlerësosh gjithmonë jetën dhe të përpiqesh t’i bësh edhe të tjerët ta vlerësojnë, duke hedhur poshtë ato shkelje sistematike që fillojnë me shtypjen e të palindurve, zhvillohen përmes dhunës së panumërt të luftës dhe kulmojnë me përjashtimin e njerëzve me aftësi të kufizuara e edhe të moshuarve, duke kulmuar me zgjidhjen përfundimtare të eutanazisë.
Në vitin 2000, Vit i Jubileut të Madh, mbi dy milionë të rinj takuan Papën Gjon Pali II në Tor Vergata, në Romë. Ishte kulmi i Ditës së 15-të Botërore të Rinisë. “E ardhmja është realitet”, titullonte L'Osservatore Romano. E ardhmja, lexojmë në faqen e parë të gazetës së Selisë së Shenjtë në numrin e 20 gushtit, “ka fytyrën e pastër dhe shikimin rrezatues” të të rinjve që “u nisën në orët e para të së shtunës, 19 gusht, kur ishte ende errësirë”. Në atë natë të paharrueshme, pa gjumë, Papa kujtoi hijet që, si sot, dridhin rajone të ndryshme të tokës.
Mendoj edhe për ata që punojnë për paqen dhe shohin vatra të reja lufte të lindin e të zhvillohen në pjesë të ndryshme të botës; mendoj për ata që punojnë për lirinë njerëzore, e i shoh ata ende të skllavëruar nga vetvetja dhe të tjerët; mendoj për ata që luftojnë për ta bërë jetën njerëzore të dashur dhe të respektuar, e duhet të asistojnë sulme të shpeshta kundër saj, kundër respektit që meriton. Të dashur të rinj, a është e vështirë të besosh në një botë të tillë? A është e vështirë të besosh në vitin 2000? Po! Është e vështirë. Është e vështirë, por me ndihmën e hirit është e mundur, siç ia shpjegoi Jezusi Pjetrit: "As mishi as gjaku nuk jua zbuloi këtë, por Ati im që është në qiell" (Mt 16,17). Këtë mbrëmje do t'ju dorëzoj Ungjillin. Është dhurata që Papa ju lë në këtë mbrëmësore të paharrueshme.
Të duash, do të thotë të japësh
Është e vështirë të besosh, por e vështirë është edhe të duash. Jubileu i Mëshirës - i cili u hap më 8 dhjetor 2015 - ishte kohë hiri, paqeje dhe pendese për të gjithë, të rinj e të moshuar. Me rastin e Jubileut të djemve dhe vajzave, më 24 prill 2016, Papa Françesku kujtoi posaçërisht "një detyrë të përditshme: të mësohesh për të dashur".
Para së gjithash, të duash është gjë e bukur; është rruga drejt lumturisë. Por nuk është e lehtë; është kërkuese; kërkon përpjekje. Mendoni, për shembull, kur marrim një dhuratë: kjo na bën të lumtur, por njerëzit bujarë i kanë kushtuar kohë dhe përpjekje përgatitjes së asaj dhurate, dhe kështu, duke na dhënë diçka, ata na japin edhe pak nga vetja, diçka për të cilën ishin të gatshëm të hiqnin dorë. Le të mendojmë edhe për dhuratën që ju dhanë prindërit dhe udhëheqësit tuaj, duke ju lejuar të vini në Romë për këtë Jubile që ju kushtohet pikërisht juve. Ata planifikuan, organizuan dhe përgatitën gjithçka për ju, dhe kjo i mbushi me gëzim, e iu duk se do të thoshte të hiqnin dorë nga një udhëtim për vete. Kjo është konkretësia e dashurisë. Të duash do të thotë të japësh, e jo vetëm diçka materiale, por diçka nga vetvetja : kohën tënde, miqësinë tënde, aftësitë e tua.
Gjatë Jubileut të Mëshirës, një nga ngjarjet kryesore ishte Dita Botërore e Rinisë, e cila kremtohej në Poloni. "Të dashur të rinj" u tha Papa Françesku gjatë Meshës më 31 korrik 2016, "erdhët në Krakov për të takuar Krishtin":
Të dashur të rinj, mos kini turp t'ia sillni gjithçka Atij, veçanërisht ligështitë, vështirësitë dhe mëkatet tuaja, në Rrëfim: Ai do t'ju mrekullojë me faljen e paqen e tij. Mos kini frikë t'i thoni "po" Atij me gjithë zemër, t'i përgjigjeni bujarisht, ta ndiqni Atë! Mos e lini shpirtin tuaj të mpirë, por synoni qëllimin e dashurisë së bukur, e cila kërkon edhe flijim, dhe një "jo" të vendosur ndaj dopingut të suksesit me çdo kusht dhe varësisë së të menduarit vetëm për veten e për rehatinë tuaj.
Takojeni Jezusin! Kjo është ftesa që Papët e përtërijnë me forcë, jo vetëm për të rinjtë, por sidomos gjatë Jubileut. Në këtë takim me Birin e Zotit, njeriu mund të jetojë vërtet me ngazëllim, të shijojë gëzimin e plotë.
Edhe përqafimi i brezave të rinj nga Leoni XIV, me rastin e Jubileut në Romë, nga 28 korriku deri më 3 gusht, lexohet nga ky plan tredimensional, në të cilin akordohen zëri i Papës, ai i të rinjve dhe shikimi i Atit.