Sinodi, ja "Gjurmët" e fazës së zbatimit: për "konvertim sinodal" të Kishës
R.SH. / Vatikan
Nga njëra anë, për t'u ofruar Kishave lokale në të gjithë botën një kornizë të përbashkët, që e bën më të lehtë ecjen krah për krah. Nga ana tjetër, për ta gjallëruar dialogun, që do ta çojë gjithë Kishën në Asamblenë Kishtare të tetorit 2028. Këto janë udhëzimet e dokumentit, publikuar sot, më 7 korrik, nga Sekretaria e Përgjithshme e Sinodit me titull “Gjurmë për fazën e zbatimit të Sinodit”. Rreth gjashtëdhjetë faqe, katër kapituj, të ndërprerë nga udhëzime dhe orientime për të shoqëruar fazën e fundit të procesit sinodal të nisur në vitin 2021 nga Papa Françesku, e tani të vijuar nga Papa Leoni XIV.
Dy Grupe të reja studimi, themeluar nga Papa Leoni XIV
Teksti u miratua nga Këshilli i Zakonshëm i XVI, mbledhur në Romë ditët e fundit. Më 26 qershor anëtarët patën një vizitë nga Papa Leoni, i cili i inkurajoi të vazhdojnë në "stilin" e sinodalitetit, "një qëndrim që na ndihmon të jemi Kishë". Edhe vetë Leoni XIV, njofton dokumenti i sotëm, konfirmoi Grupet e Studimit, themeluar nga Françesku vitin e kaluar, për thellimin dhe reflektimin e temave të caktuara, parë nga një këndvështrim kanonik, teologjik dhe baritor, duke shtuar dy të reja: një mbi "Liturgjinë në perspektivë sinodale" dhe një tjetër mbi "Statusin e Konferencave Episkopale, Asambleve Kishtare dhe Koncileve të veçanta". Sekretaria e Përgjithshme e Sinodit e ka për detyrë të "sigurojë që vendimet e Papës, të cilët fituan pjekurinë duke filluar nga rezultatet e këtyre Grupeve, të integrohen në mënyrë harmonike në udhëtimin sinodal, në vazhdim".
Hyrja nga Kardinali Grech
Dokumenti “Gjurmë për fazën e zbatimit të Sinodit” hapet me një hyrje nga Kardinali Mario Grech, sekretar i përgjithshëm i Sinodit, i cili nënvizon se kjo botë "e kapur nga një spirale dhune dhe lufte të pafundme, e cila po përpiqet të krijojë mundësi për takim dhe dialog", ka më shumë se kurrë nevojë për një Kishë që di të jetë "shenjë e mjet” i "unitetit të të gjithë racës njerëzore".
Kardinali Grech, më pas, kujton se shumë Kisha lokale në botë po "ndjekin me entuziazëm" rrugën sinodale; të tjera "ende e pyesin veten se si të ndërmarrin fazën e zbatimit, ose po bëjnë hapat e tyre të parë". Teksti i sotëm mund të jetë, prandaj, "horizont me të cilin duhet të përballohemi" dhe inkurajim për të "ecur përpara me guxim", duke i kapërcyer rezistencën dhe vështirësitë. Sekretaria e Përgjithshme e Sinodit mbetet në dispozicion të të gjithëve, siguron kardinali Grech, për të dëgjuar, për të shoqëruar e "për të gjallëruar dialogun dhe shkëmbimin e dhuratave ndërmjet Kishave". Në bazë të kontributeve dhe pyetjeve që merr, do të ofrojë “stimujt dhe mjetet e mëtejshme”.
Jubileu i ekipeve sinodale
Faqet e para të dokumentit “Gjurmë për fazën e zbatimit të Sinodit shënojnë fazat e ardhshme të rrugës sinodale të Kishës dhe shpallin një ngjarje të veçantë: Jubileun e ekipeve sinodale dhe të organeve pjesëmarrëse, i cili do të mbahet nga 24 deri më 26 tetor 2025. “Një mundësi për të ndërtuar lidhje, për të shkëmbyer përvoja dhe për t’u përshtatur më mirë”.
Në hollësi, më pas, kapitulli i parë ofron “çelësin interpretues për fazën e zbatimit të procesit sinodal” i cili “ka si objektiv eksperimentimin me praktika dhe struktura të rinovuara” për ta bërë jetën e Kishës “gjithnjë e më sinodale”. Kjo fazë nuk është, pra, “lloj ushtrimi”, “detyrë shtesë e kërkuar nga Roma”, as kohë për të formuluar “hipoteza abstrakte”. E as “kthim prapa” ose “përsëritje e pastër e asaj që tashmë u përjetua”. Faza e zbatimit - sqarohet - "është pjesë e jetës së zakonshme të Kishave", të cilat do të duhet të identifikojnë "shtigje formuese për të arritur një kthesë të prekshme sinodale në realitetet e ndryshme kishtare".
Pjesëmarrje më e gjerë
Dokumenti “Gjurmë për fazën e zbatimit të Sinodit vazhdon të pohojë se gratë dhe burrat do të marrin pjesë në fazën e zbatimit, në shumëllojshmërinë e karizmave, thirrjeve dhe shërbesave; bashkësi të vogla të krishtera ose bashkësi themelore kishtare; famulli, shoqata, lëvizje... Të gjithë, shkurt, sepse "nuk mund të jetë rrugë e kufizuar në një bërthamë tifozësh" - thekson teksti. Në të vërtetë, është e rëndësishme të kontribuohet në "zgjerimin e mundësive për pjesëmarrje dhe ushtrim të bashkëpërgjegjësisë së diferencuar të të gjithë të Pagëzuarve".
Në këtë kuptim, është themelore të përfshihen ata që kanë mbetur "në kufijtë" e shtegtimit sinodal, "njerëz dhe grupe me identitete dhe kushte të ndryshme kulturore", veçanërisht të varfrit dhe të përjashtuarit. Po kështu, nevojitet "kujdes i veçantë" për të "dëgjuar ata që kanë shprehur dyshime dhe rezistencë". Në këtë kuptim, Kishat duhet të kërkojnë "mjete dëgjimi" në kontekste të ndryshme dhe jo vetëm në famulli, por, për shembull, në universitete, qendra dëgjimi dhe pritjeje, spitale dhe burgje, mjedise dixhitale.
Detyra e ipeshkvit dhe roli i ekipeve sinodale
Në tekst të dokumentit “Gjurmë për fazën e zbatimit të Sinodit", përsëritet më pas "personi i parë përgjegjës" për fazën e zbatimit në çdo Kishë lokale është ipeshkvi dioqezan ose heparkial, i cili do të duhet të përdorë figura dhe organe të tjera, siç janë Këshillat e ndryshme (presbiterale, baritore, ekonomike) dhe, mbi të gjitha, ekipet sinodale dioqezane/heparkiale, puna e të cilave, në fazën e konsultimit, ishte "tejet e çmuar". "Kontributi i tyre do të jetë themelor edhe në fazën e zbatimit", shkruhet në dokument. Për këtë arsye, ekipet ekzistuese do të duhet të vlerësohen dhe të rinovohen, të riaktivizohen nëse pezullohen, ndoshta edhe të integrohen e edhe të krijohen, aty ku nuk ekzistojnë. Në ekipet bëjnë pjesë "laikë e laike, meshtarë dhe diakonë, burra dhe gra të kushtuara të moshave të ndryshme dhe të kulturave e modeleve të ndryshme të formimit". Duhet vlerësuar edhe mundësia për të ftuar si "vëzhgues". përfaqësues të bashkësive ose feve të tjera të krishtera. Ipeshkvi, nëse nuk bën pjesë në të, do të "informohet rregullisht" për punën dhe "kur është e përshtatshme”, duhet të takohet me ekipin
Derë gjithmonë “e hapur”
Dokumenti ndalet gjerësisht në detyrat e Sekretarisë së Përgjithshme të Sinodit, i cili, thuhet, merr përsipër të jetë gjithmonë “me derë hapur” për të dëgjuar nevojat, intuitat, propozimet e Kishave lokale, për të “lehtësuar” punën e tyre, për t'iu përgjigjur kërkesave në lidhje me përmbajtjen dhe metodologjitë. Në këtë perspektivë, do të organizohen konferenca, seminare studimi, çaste reflektimi të përbashkët. E do të shoqërohet me organizimin e Asambleve Kontinentale të Vlerësimit (tremujori i parë i vitit 2028) dhe me Asamblesë Kishtare të tetorit 2028, si raste “për të ndarë përvoja të ripërtëritjes së praktikave dhe strukturave në kuptimin sinodal” në mënyrë që t’ia paraqesë ato Papës për “vlerësimin përfundimtar”.
Nxitja e njohurive të dokumentit përfundimtar
Në dokumentin “Gjurmë për fazën e zbatimit të Sinodit", më pas, shqyrtohen struktura dhe përmbajtja e Dokumentit Përfundimtar të asamblesë së vitit 2024, tekst “i pasur dhe organik” për të cilin “është themelore të promovohet njohuria”. Do të jetë “e përshtatshme” të ofrohen “çaste/ose mjete për shoqërim dhe udhëzime në lexim”, rekomandohet. Në Dokument, më pas, vërehen "disa linja force", siç është "perspektiva ekleziologjike" e rrënjosur në Koncilin e Dytë të Vatikanit; shtysa ekumenike; vizioni i një "dialogu" me traditat e tjera fetare dhe shoqërinë.
Duke pasur parasysh nevojën për të "vazhduar së bashku si Kishë e tërë", përsëritet ftesa drejtuar Kishave lokale "për t’i ndarë hapat e ndërmarrë në disa fusha specifike". Mbi të gjitha, "hyrja efektive në funksionet e përgjegjësisë dhe rolet udhëheqëse që nuk kërkojnë sakramentin e Urdhrave nga gratë dhe burrat e pa-shuguruar, si laikët ashtu edhe laiket, të shuguruarit, ashtu edhe të shuguruarat".
Proceset e "stilit sinodal"
Në përgjithësi, rekomandohet që metoda sinodale të mos reduktohet "në një seri teknikash të organizimit të takimeve", por të jetohet si "përvojë shpirtërore dhe kishtare, që përfshin rritjen në një mënyrë të re të Kishës". Prandaj, treguesit metodologjikë do të jenë një sërë procesesh (shqyrtim, qeverisje, dëgjim, etj. etj.), të karakterizuar nga objektiva të ndryshme, por të bashkuar nga fakti i "zhvillimit në një stil sinodal".
Të shikojmë me besim drejt së ardhmes
Në përfundim, Kisha ftohet “ta shikojë me besim udhën e viteve të ardhshme, duke nisur me Jubileun e ekipeve sinodale: “Rasti i ecjes së bashku fizikisht drejt Portës Shenjte, qoftë mundësi për shkëmbimin e dhuratave dhe për kremtimin e asaj shprese, që nuk të zhgënjen”.