ÐÓMAPµ¼º½

Specola Vaticana Specola Vaticana

Observatori i Vatikanit: astronomi jezuit, atë D'Souza, është drejtori i ri

Me origjinë nga Goa, Indi, astrofizikan në të njëjtin institucion shkencor të bashkësisë së jezuitëve, ai pason në detyrë vëllain Guy Consolmagno, i cili e ka mbajtur këtë pozitë që nga viti 2015. Atë Richard Anthony D'Souza do ta fillojë mandatin më 19 shtator

R.SH. – Vatikan

         Sot, më 31 korrik, Papa emëroi drejtorin e ri të Specola Vaticana, një nga observatorët astronomikë dhe qendrat kërkimore-shkencore më të vjetra në botë, nën Guvernatoratin e Shtet-Qytetit të Vatikanit. Ai është atë Richard Anthony D'Souza, S.J., një jezuit indian dhe astronom në të njëjtin institucion shkencor, që do ta fillojë detyrën më 19 shtator. Me origjinë nga Goa, Indi, i rritur në një familje të krishterë, meshtari 47-vjeçar pason vëllain Guy Consolmagno, i cili ka qenë në krye të Observatorit që nga 18 shtatori 2015 dhe do të vazhdojë të shërbejë si astronom dhe president i Fondacionit të Observatorit të Vatikanit, me seli në Tucson, Arizona, SHBA.

Studimet dhe puna e drejtorit të ri

Atë Richard D'Souza lindi në vitin 1978 në Indi, në rajonin e Goas. Hyri në Shoqërinë e Jezusit në vitin 1996 dhe u shugurua meshtar në vitin 2011, pasi studioi filozofi dhe teologji në Jnana Deepa në Pune, Indi. Përgatitja e tij akademike përfshin një diplomë bachelor në fizikë nga Kolegji St. Xavier, Universiteti i Mumbait, një diplomë master në fizikë nga Universiteti i Heidelbergut, Gjermani, ku punoi për disertacionin në Institutin Max Planck për Astronomi, si edhe një doktoraturë në astronomi nga Universiteti Ludëig Maximilian i Mynihut, me kërkime të kryera në Institutin Max Planck për Astrofizikë në Garching, Mynih, duke u përqendruar në formimin dhe evolucionin e galaktikave. Ai përfundoi edhe një program postdoktorature në Universitetin e Miçiganit, Ann Arbor, SHBA. Anëtar i personelit të Observatorit të Vatikanit që nga viti 2016, ka shërbyer si Epror i bashkësisë së jezuitëve të tij që nga viti 2022. Puna kërkimore e atë D'Souza përqendrohet në fenomenin e fuzionit të galaktikave dhe efektet e tij në vetitë aktuale të galaktikave si Rruga e Qumështit. Ai ka botuar në revista të shumta shkencore ndërkombëtare dhe është anëtar i disa bashkëpunimeve ndërkombëtare. Gjithashtu, është anëtar i Bashkimit Ndërkombëtar Astronomik. Së fundi, një asteroid mban emrin e tij.

31 korrik 2025, 15:07