MAP

PALESTINIAN-ISRAEL-CONFLICT

Një popull nën bomba dhe globalizimi i indiferencës

Sulmi ndaj kishës në Gaza dhe shkallëzimi absurd i luftës

R.SH. – Vatikan

Andrea Tornielli

Pamjet e shpërthimit flasin vetë: një predhë e qëlluar nga një tank i ushtrisë izraelite goditi kishën e Familjes Shenjte, famulli katolike në Gaza. Pesëqind njerëz, familje që humbën shtëpitë e tyre, kanë jetuar në atë kompleks, ku ndodhen dy kisha dhe një shkollë, për gati dy vjet. Autoritetet izraelite kërkuan falje, duke thënë se ky ishte gabim, se Izraeli i respekton vendet e kultit dhe se do të kryhet një hetim për rastin. Këto deklarata sigurisht që nuk mund të jenë qetësuese, jo vetëm pse ato kundërshtohen nga pamjet e qarta të xhamive të rrënuara dhe të kishave të sulmuara – si bastisja në kishën ortodokse të Shën Porfirit, që u mori jetën dhjetëra njerëzve - por edhe sepse rezultatet e hetimit për vrasjen e dy grave të krishtera nga një snajper në famullinë e Gazës priten ende që prej një viti e gjysmë.

Veçanërisht të rëndësishme në këtë drejtim janë fjalët e ambasadorit izraelit në Itali, Jonathan Peled, i cili deklaroi: "Nuk kemi ndërmend të vëmë në rrezik institucionet civile. Por terroristët janë kudo, madje edhe në ndërtesa publike si shkollat dhe, për fat të keq, edhe në vendet e kultit". Këto deklarata të bëjnë përshtypje, sepse, në një farë mënyre, inkuadrojnë atë që u quajt "gabim". Pesëqind njerëz të pambrojtur, shumë prej të cilëve mblidhen çdo ditë për të lutur rruzaren, janë bërë, pa dashje, objektiva anësore, sepse, siç thotë ambasadori Peled, "nganjëherë, këto janë pasojat e luftës".

Siç e dinë mirë lexuesit dhe dëgjuesit e mediave të Vatikanit, nuk kemi pritur vdekjet e të krishterëve për të folur mbi masakrat e përditshme në Gaza, ku çdo javë vriten dhjetëra fëmijë, gra dhe burra të pafajshëm, viktima anësore të bastisjeve, ose të sulmeve nga ata, që duhet të garantojnë shpërndarjen e sigurt të ushqimit. Nuk po merremi me viktimat e Gazës tani, vetëm pse janë të krishterë, ose pse u plagos rëndë Suhail, një bashkëpunëtor i gazetës vatikanase “L'Osservatore Romano”, fare i ri, që tregonte si jetohet krishtërimi në tragjedinë e luftës: të gjitha viktimat e pafajshme kërkojnë gjyq para Zotit, çdo jetë është e shenjtë dhe të krishterët e Rripit të Gazës, të çdo emërtimi, ndajnë në gjithçka fatin e popullit të tyre, popullit martir palestinez. Masakra çnjerëzore kundër Izraelit, kryer nga terroristët e Hamasit më 7 tetor 2023, u dënua pa mëdyshje nga Selia e Shenjtë, duke bërë thirrje për lirimin e të gjitha pengjeve dhe duke ia njohur Izraelit të drejtën për t'u mbrojtur. Por ajo masakër çnjerëzore, që u kushtoi jetën kaq shumë civilëve të pafajshëm, nuk mund të justifikojë gjashtëdhjetë mijë vdekje dhe qytete të rrafshuara me tokën. Nuk mund të justifikojë heshtjen dhe indiferencën e shumë njerëzve, që bëjnë sikur nuk shohin.

Për këtë arsye, nuk do të lodhemi kurrë së denoncuari absurditetin e kësaj lufte, duke përsëritur fjalët, që Papa Leoni XIV i drejtoi Takimit të Agjencive të Ndihmës për Kishat Lindore, më 26 qershor: "Ne, i gjithë njerëzimi, jemi të thirrur t’i vlerësojmë shkaqet e këtyre konflikteve, të verifikojmë sa janë të vërteta dhe të përpiqemi t'i kapërcejmë, të hedhim poshtë ato të rreme, fryt i simulimeve emotive dhe i retorikës, duke i demaskuar me vendosmëri. Njerëzit nuk mund të vdesin për shkak të lajmeve të rreme". Jemi të thirrur ta kapërcejmë atë globalizim të indiferencës së alternuar, e cila na bën të indinjohemi për disa viktima dhe të anashkalojmë të tjerat.

Jemi të thirrur ta shohim me realizëm situatën në Lindjen e Mesme dhe shkallëzimin absurd të luftës me hapjen e vazhdueshme të fronteve të reja, thua se mbijetesa e krerëve në pushtet, si në organizatat terroriste, ashtu edhe në shtetet, të varej nga vazhdimi pa fund i luftërave dhe jo nga paqja. Është koha që më në fund, bashkësia ndërkombëtare të gjejë guximin për të ndërhyrë me të gjitha mjetet që ofron ligji: që të heshtin armët, t'u jepet fund masakrave dhe të ndalen lojërat për pushtet, çmimi i të cilave paguhet nga mijëra viktima të pafajshme.

18 korrik 2025, 15:37