Në Barcelonë, lumnimi i maristit Lycarion May, edukator i të varfërve
R.SH. / Vatikan
"Për të shkuar në Pueblo Nuevo, duhet të jesh gati të japësh jetën". Kështu thoshte Lycarion May (i lindur François Benjamin), vëlla marist, i cili u shpall i lum sot, e shtunë, 12 korrik, në Barcelonë të Spanjës. Mesha u kremtua në mesditë, në Kishën e Shën Françeskut të Sales, kryesuar nga Kardinali Marcello Semeraro, Prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Çështjet e Shenjtorëve, përfaqësues i Papës.
Nga Zvicra, në Spanjë
"Pueblo Nuevo" për të cilin fliste Lycarion, ishte lagjja e vështirë e qytetit katalanas, e banuar nga familje të varfra dhe të pafavorizuara, ku ai punonte si edukator. I lindur më 21 korrik 1870, në Bagnes të Zvicrës, në moshën 18 vjeç u pranua në Institutin e Vëllezërve Maristë. Aty veshi zhgunin e jetës rregulltare (15 gusht 1888), mori emrin Lycarion dhe u dërgua në Mataró të Katalonjës. Pasi bëri kushtet e përjetshme, më 15 gusht 1893, u dërgua në bashkësinë e Gironas, shkolla e parë në Spanjë e drejtuar nga Vëllezërit Maristë.
Vdekja
Pas një përvoje në Vendin Bask si drejtor i një çerdheje, u thirr në Barcelonë për të drejtuar një shkollë të quajtur Patronato Obrero de San José, themeluar në Pueblo Nuevo. Shpërthimi i një kryengritjeje popullore në Barcelonë shkaktoi të ashtuquajturën "Java Tragjike", kur popullsia iu kundërvu rekrutimit të detyrueshëm ushtarak të dekretuar nga qeveria spanjolle. Ndeshja përfundoi me plaçkitje dhe djegie të kishave, kuvendeve dhe institucioneve arsimore katolike. Natën e 26-27 korrikut 1909, ndërtesa e shkollës së Etërve Maristë u dogj. Mëngjesin e 27-të, u hap zjarr mbi rregulltarët. Vëllai Lycarion u plagos për vdekje e trupi i tij u martirizua me goditje gurësh e hanxharësh.
Kujtimi i Postulatorit
“U martirizua në një botë konfliktesh, Vëllai Guillermo José Villarreal Cavazos", u shpjegoi mediave të Vatikanit postulatori, "një botë e ngjashme me tonën, ndërmjet konflikteve dhe luftërave". Trashëgimia shpirtërore e Lycarionit, vazhdoi, mund të përmblidhet në tri pika:
E jetoi jetën e tij duke e vlerësuar vëllazërinë si thirrje universale, e veten, si vëlla për të gjithë”.
Për më tepër, “ishte edukator shumë i pranishëm për nxënësit e tij, të cilëve u dëshmoi se Ungjilli nuk transmetohet kryesisht përmes predikimit a leksioneve mjeshtërore, por përmes afërsisë, dialogut dhe respektit”.
Së fundmi “Lycarioni ishte zviceran që e kaloi jetën në Spanjë. Jeta e tij na nxit të jetojmë në ambiente ndërkulturore, me mirëkuptim, pajtim dhe paqe".