MAP

Deri më 1 gusht, Qyteti i Vatikanit pret vajza dhe djem të moshave të ndryshme në kampin veror. Deri më 1 gusht, Qyteti i Vatikanit pret vajza dhe djem të moshave të ndryshme në kampin veror.

"Kur tjetri është gjithçka": vera e fëmijëve të mikpritur në Kampin Veror

Deri më 1 gusht, Qyteti i Vatikanit pret vajza dhe djem të moshave të ndryshme në kampin veror në hapësira të pajisura për përvojë loje dhe lutjeje, argëtimi dhe lidhjeje. Shumë laboratore dhe aktivitete synojnë të krijojnë një rrugë rritjeje personale e dialogu.

R.SH. / Vatikan

Të përshkosh së bashku një rrugë, duke ndarë përvoja, duke përballuar çaste delikate, duke u rritur. Janë të gjitha veprimtari themelore, që i ndihmojnë fëmijët të zbulojnë botën e sotme dhe ta jetojnë realitetin. Por, duke e përballuar këtë shtegtim, nuk duhet të jenë vetëm; përkundrazi, është pikërisht kërkimi i të tjerëve që e bën udhëtimin të veçantë. E nuk është rastësi që koncepti i të tjerëve është në zemër të projektit të Kampit Veror të këtij viti, qendër që pret fëmijë të moshave të ndryshme në hapësira të ngritura në Sallën Pali VI dhe zona të tjera të Qytetit të Vatikanit, për një përvojë loje dhe lutjeje, argëtimi dhe lidhjeje. E nisur më 16 qershor, qendra do të vazhdojë veprimtaritë e saj deri më 1 gusht, datë që përkon me një tjetër ngjarje të madhe rinore: Jubileun e të Rinjve, parashikuar më 28 korrik dhe 3 gusht.

Kur tjetri është gjithçka

"Gjithçka tjetër, përveç...: kur tjetri është gjithçka" është parrudha e zgjedhur këtë vit për të paraqitur mesazhin që projekti synon ta përhapë tek fëmijët. "Qendrën e frekuentojnë rreth 320 të rinj, që jetojnë në një botë bashkëkohore ku koha kalon shpejt-e-shpejt. Për këtë arsye dëshironim të përqendroheshim në temën e tjetrit: është themelore të rizbulosh kënaqësinë e marrëdhënieve personale, kënaqësinë e tejkalimit të paragjykimeve dhe kënaqësinë e gjetjes së forcës për të shembur ato mure që sot përfaqësohen edhe nga risitë e botës moderne". Sergio Garozzo, një nga organizatorët e Kampit Veror në Vatikan, foli për emocionet e fëmijëve gjatë vizitës së Papës Leoni XIV: "Ishte një takim i veçantë që ndodhi menjëherë pas mësimit tonë në Konklav. Ajo që na pëlqeu vërtet ishte të shihnim Papën Leoni në shoqërinë e gati 600 fëmijëve, gjysma e të cilëve ukrainas të pritur nga Caritasi. Festë e jashtëzakonshme; fëmijët patën mundësinë të bisedonin me Papën: ishte takim fantastik".

Ndërtuesit e paqes

Gjatë viteve, Kampi Veror i të rinjve është bërë model i eksportuar edhe në pjesë të tjera të botës, siç e shpjegoi meshtari salezian don Benny Joseph: "Gjatë edicioneve të ndryshme, erdhën të na vizitojnë salezianët nga Amerika e Jugut dhe Afrika. Këtë vit, një salezian angolez e çoi këtë projekt në vendin e tij, duke krijuar në Angolë një Kamp Veror, që pasuron jetën e tij dhe jetën e shumë fëmijëve. Vatikani bëhet një vend që mirëpret njerëz nga e gjithë bota, por edhe pikënisje për përvoja që përhapen prej këndej, në pjesën tjetër të botës". Atë Benny shpjegoi se fondet e mbledhura në vitet e kaluara u dërguan në pjesë të tjera të botës, për të ndihmuar në përhapjen e këtij projekti edhe në vende të tjera. "Fëmijët nuk shikojnë vetëm veten, por edhe të tjerët. Dhe tek të tjerët shohin diversitetin e botës, dialogun dhe pranimin. Kur Papa Leoni erdhi të na vizitonte, tha pikërisht këtë: “Dialogoni, për të qenë ndërtues të paqes”. Temë e rëndësishme mbi të cilën edhe fëmijët reflektojnë shpesh".

Të rinj komunikatorë

Ndër laboratorët, ku qenë të pranishëm të rinjtë, ishte edhe një kushtuar gazetarisë: Salla Pali VI, e koordinuar nga drejtori i L'Osservatore Romano, Andrea Monda, u shndërrua në një redaksi të vërtetë. "Nuk kam pasur kurrë një grup kaq të madh redaktorësh" - bëri shaka drejtori. Veçanërisht mbresëlënës, diskutimi për çështjet kryesore, që nuk mbulohen gjithmonë në gazetat, por që të rinjtë janë të vetëdijshëm dhe i perceptojnë si urgjente, duke dëshmuar ndjeshmëri dhe vetëdije të pazakontë, që shpesh nuk njihet fare në brezat e rinj. Për shembull, nuk kishte mungesë njohurish mbi çështjet ambientale: mbi temën e valës së nxehtësisë, zhvilluar përmes rrëfimeve të zjarreve që ndodhin rregullisht gjatë verës, si dhe mbi çështje ekologjike si shëndeti i pyllit tropikal të Amazonës, që e quajnë "mushkëria e Tokës", e madje edhe Axhenda 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm.

"Kjo do të thotë se enciklika Laudato Si' e Papës Françesku nuk ka kaluar pa u vënë re ndërmjet të rinjve", thotë Alessandro Gisotti, zëvendësdrejtor editorial i medias së Vatikanit. "Është gjithashtu e jashtëzakonshme se si temat që lidhen me natyrën dhe krijimin janë ilustruar edhe me vizatime shumëngjyrëshe, duke pasur parasysh mungesën e fotografive".

16 korrik 2025, 14:19