Imzot Caccia: të përtërihet bashkëpunimi shumëpalësh, për të mirën e përbashkët
R.SH. / Vatikan
Mbrojtja e të drejtave të njeriut, e paqes, sigurisë, bashkëpunimit ndërkombëtar e progresit social dhe ekonomik për të gjithë popujt: Kombet e Bashkuara u themeluan mbi këto parime, të cilat "mbeten po aq jetike sot, sa ishin tetëdhjetë vjet më parë, duke u prirë përpjekjeve tona për të përballuar sfidat globale". Këtë theksoi Kryeipeshkvi Imzot Gabriele Giordano Caccia, Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë në OKB, që foli dje, 22 korrik, në Nju Jork, në debatin e përgjithshëm të Forumit Politik të Nivelit të Lartë të ECOSOC, Këshillit Ekonomik dhe Social të Kombeve të Bashkuara. Selia e Shenjtë përsërit se "zhvillimi duhet të ankorohet në këto ideale themelore, duke siguruar që çdo veprim të mbështesë dinjitetin dhuruar njeriut nga Zoti dhe të mbrojë solidaritetin ndërmjet kombeve".
Të shpërfillura, objektivat e Axhendës 2030
Në deklaratën e tij, Kryeipeshkvi Caccia kujtoi angazhimet e marra në vitin 2015 me miratimin e Axhendës 2030 për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, angazhime që synojnë zhdukjen e varfërisë në të gjitha format dhe përmasat e saj si dhe sigurinë që çdo fëmijë, çdo grua dhe çdo burrë mbi Tokë të ketë kushtet e nevojshme për të jetuar në liri dhe dinjitet të vërtetë. Dhjetë vjet pas miratimit të saj, Nunci Apostolik vëren: "miliona njerëz jetojnë ende në varfëri të mirëfilltë, vuajnë nga uria, nuk kanë as arsim, as kujdes shëndetësor. Është e domosdoshme që të gjitha përpjekjet t’i japin përparësi zhvillimit integral njerëzor, që përfshin mirëqenien shpirtërore, sociale dhe materiale të çdo njeriu". Duhet kujtuar se zhvillimi "nuk është vetëm çështje zhvillimi ekonomik", por edhe "ftesë për të krijuar kushte në të cilat të gjithë mund të përparojnë, duke i kushtuar vëmendje të veçantë atyre që kanë më shumë nevojë: fëmijëve, të moshuarve, të varfërve dhe atyre që jetojnë në situata të padëshirueshme".
Nxitja e Papës për t’i kapërcyer pabarazitë
Kryeipeshkvi Caccia, në fjalën e tij, citoi fjalimin mbajtur nga Leoni XIV më 16 maj para Trupit Diplomatik të akredituar në Selinë e Shenjtë. Papa kërkoi të bëhet çdo përpjekje "për të kapërcyer pabarazitë globale - ndërmjet begatisë e varfërisë - që po krijojnë përçarje të thella ndërmjet kontinenteve, vendeve e madje edhe brenda shoqërive të veçanta". E përsëri: sipas Leonit XIV, është koha për të "lënë pas konfliktet dhe për të nisur një rrugë të re, të bindur se, duke punuar së bashku, secili prej nesh [...] mund të ndërtojë një botë ku të gjithë mund të jetojnë një jetë të vërtetë njerëzore, me drejtësi e paqe".
Këto fjalë, komentoi Imzot Caccia, "sfidojnë pabarazitë e thella që minojnë dinjitetin njerëzor dhe kërcënojnë stabilitetin e bashkësisë sonë globale". Për këtë arsye, delegacioni i Selisë së Shenjtë në forumin ECOSOC mbështeti nevojën për një "sistem të përtërirë bashkëpunimi shumëpalësh, të rrënjosur në parimet themelore të Kombeve të Bashkuara për ndryshime, që e shndërrojnë njerëzimin".
Dialogu dhe respekti duhet t’i prijnë angazhimit, për arritjen e së mirës së përbashkët. Përveç kësaj, përfundoi vëzhguesi i përhershëm, duhet kujtuar se "investimet më të mëdha në familje, parë si themeli i shoqërisë, njëherësh me arsimin dhe shërbimin shëndetësor të arritshëm dhe cilësor, janë themelore që individët dhe shoqëritë të lulëzojnë".