Kard. Gugerotti: turp q? nuk mund t’i jepet fund barbaris? n? Gaza
R.SH. / Vatikan
Në Gaza, njerëzit vazhdojnë të vdesin nën bomba, e edhe ndërsa presin në radhë për bukë: fëmijë, të moshuar, të sëmurë - pajisjet vdekjeprurëse nuk bëjnë dallim. Dje, rreth dyzet vetë u vranë nga zjarri izraelit pranë një qendre ndihme, ku qe mbledhur një turmë. Në orët e para të ditës së sotme, një fëmijë tjetër, vetëm 4 vjeç, vdiq nga uria: nuk kishte më bukë!
Në një mesazh dërguar Patriarkut Latin të Jeruzalemit, Pierbattista Pizzaballa, më 17 korrik, Kardinali Claudio Gugerotti, Prefekt i Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Kishat Lindore, përshkroi tragjedinë në Gaza dhe kujtoi "pamundësisë e turpshme për t'i dhënë fund kësaj barbarie, duke dalë në dritare dhe duke shikuar, sikur e gjithë kjo nuk na përkiste ne e nuk ishte profeci vdekjeje për mbarë njerëzimin".
Përballë "kësaj masakre" që prek një popullsi të tërë, Kardinali u ndal në "gjestin çnjerëzor, ndërmjet shumë të tjerëve", të sulmit ushtarak izraelit, që goditi Kishën Katolike të Familjes Shenjte, në Gaza, tri ditë më parë, duke mbytur tre vetë e duke plagosur më shumë se dhjetë. Një sulm, pohon, "që shkel të drejtën e lashtë për azil, të njohur si hap përpara në qytetërim": qindra njerëz kanë kërkuar strehim në këtë famulli që nga fillimi i luftës.
Kardinali pyet "i tmerruar" nëse ky akt ishte "i qëllimshëm dhe i planifikuar". E shpreh afërsinë me të plagosurit dhe me famullitarin, Atë Gabriel Romanelli, i cili i mirëpret e u ofron strehim të gjithë atyre që e kërkojnë.
Falënderon edhe Patriarkun Pizzaballa si dhe bashkësinë e krishterë të Tokës Shenjte për "dëshminë e humanitetit dhe të vëllazërisë" si dhe për afërsinë "me të braktisurit buzë rrugës në këtë histori të përbashkët njerëzore".
"Ju shoqërojmë me lutje - përfundon Kardinali Gugerotti - që Zoti të mund të depërtojë në këtë turmë njerëzish të shurdhër dhe të verbër, të cilëve u pëlqen krisma e armëve, vetëm sepse i pengon të dëgjojnë britmën tmerruese të të braktisurve”.
Zoti është gjykatës posaçërisht aty aty ku drejtësia injorohet dhe shkelet, domethënë aty ku bëhen përpjekje për ta vrarë vetë Zotin, që identifikohet me viktimën, që askush nuk e mbron. “Ai i Lumi na dhashtë forcë të zgjohemi nga gjumi".