MAP

Kardinali Tagle kryeson Meshën e shtegtimit jubilar të Familjes rregulltare të Gjakut të Çmuar të Krishtit Kardinali Tagle kryeson Meshën e shtegtimit jubilar të Familjes rregulltare të Gjakut të Çmuar të Krishtit

Kard. Tagle: shumë para për armë, vetëm në Jezusin është e mundur një aleancë e re

Duke kryesuar Meshën në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan, para pjesëmarrësve të Jubileut të familjeve rregulltare dhe lëvizjeve laike të Gjakut të Çmuar të Jezusit, kardinali pro-prefekt i Dikasterit për Ungjillëzimin denoncon burimet e pakta të caktuara për furnizimin me ushqim, ilaçe, strehim dhe arsim. Kundër "diskriminimit", "pabarazisë" dhe "manipulimit të qenieve njerëzore", ai fton të promovohen realitete, anëtarët e të cilave jetojnë "jo si të huaj".

R. SH. – Vatikan

“Ka para të mjaftueshme për armë, por jo të mjaftueshme për ushqim, strehim, ilaçe dhe arsim. Diskriminimi, pabarazia dhe manipulimi i qenieve njerëzore janë kundër aleancës në gjakun e Jezusit”. Një paralajmërim i fortë, ai i lëshuar sot paradite, të martën më 1 korrik, nga kardinali Luis Antonio G. Tagle, pro-prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Ungjillëzimin, në homelinë e kremtimit Eukaristik të kryesuar në Bazilikën e Vatikanit para pjesëmarrësve të Jubileut të familjeve rregulltare dhe lëvizjeve laike të Gjakut të Çmuar të Jezusit. I filluar dje dhe që përfundon sot, ngjarja e Vitit të Shenjtë përfshin besimtarët e kongregatës së Misionarëve të Gjakut të Krishtit nga e gjithë bota, të mbledhur në një rast të rëndësishëm me solemnitetin e devocionit të cilit i dha shtysë në shekullin XIX Shën Gaspri del Bufalo. Kujtojmë se më më 15 gusht 1815 Shën Gaspri e themeloi Kongregatën e Misionarëve të Gjakut të Krishtit.

Kard. Tagle në homelinë e tij u ndal gjatë në konceptin e aleancës, "e marrë jo seriozisht" në një botë ku ndarjet "arrijnë përmasa shkatërruese, çnjerëzore dhe të dhunshme". Prandaj, kardinali e përqendroi reflektimin e tij në leximin e parë nga Libri i Daljes, i cili kujton se si aleanca midis Zotit dhe Izraelit është "në thelb një marrëdhënie personale e përbërë nga nivele të ndryshme por të ndërlidhura". Dhe ja, në gjakun e Jezusit përmbushet "një aleancë e re dhe e përsosur": Zoti siguron se "nuk do të na braktisë kurrë" dhe qenia njerëzore i betohet asaj besnikërie të plotë "në emër të njerëzimit dhe krijimit".

Askush nuk është i huaj

Pastaj, nga letra e Shën Palit drejtuar Efesianëve del një "aspekt tjetër i rëndësishëm i aleancës së re në gjakun e Jezusit", pra "lindja e një komuniteti të ri të pajtuar". Në fakt, në personin e Jezusit, dishepujt e kombeve dhe kulturave të ndryshme "nuk janë më të huaj, por bashkëqytetarë dhe anëtarë të së njëjtës familje". Askush, përfundoi kardinali Tagle, nuk duhet të trajtohet "si i huaj ose kërcënim ose inferior", por "si fqinj, vëlla dhe motër".

Në një shkëmbim vëllazërie

Para se të arrinin në Shën Pjetër, në Vatikan, besimtarët shtegtuan përgjatë Via della Conciliazione, në Romë, për të kaluar Portën e Shenjtë të Bazilikës së Vatikanit. Kapelet dhe çantat e kuqe të shtegtarëve, gjithnjë e më të shumta, u grupuan shpejt: pas një lutjeje, u lartua një këngë lavdi dhe, pas kryqit jubilar, filloi rruga drejt Shën Pjetrit.

Këtu, bashkëshortët Anna Rita dhe Fabrizio, prej 40 vitesh animatorë liturgjikë në famullinë e Trupit dhe Gjakut të Shenjtë të Krishtit, në Tuscolano në Romë, treguan jetën e tyre tërësisht të dedikuar Krishtit. "Kemi jetuar, me këtë, tre Jubile dhe secili prej tyre ka qenë një moment për të jetuar fenë në Zotin edhe më intensivisht", shpjegoi Anna Rita. "Dhe e gjithë kjo së bashku me njerëz nga e gjithë bota, me të cilët të bashkëndajmë gëzimet dhe dhimbjet, shkëmbimin reciprok të vëllazërisë për të vënë në dispozicion të të tjerëve ato dhurata të mëdha që Zoti na ka dhuruar".

01 korrik 2025, 15:52