MAP

Sulme në Gaza Sulme në Gaza

Kard. Parolin: situatë e paqëndrueshme në Gaza: njerëzit shkatërrohen e vdesin nga uria

Në një intervistë me Tg2 Post, transmetuar të premten, 18 korrik, Sekretari i Shtetit të Vatikanit foli për telefonatën e kryeministrit izraelit Netanyahu me Papën, duke kërkuar, ndërkaq, të sqarohet ngjarja e ndodhur në Kishën e Familjes Shenjte, në Gaza. Ai kërkoi që faktet të pasohen nga veprat. Lidhur me ndërmjetësimin e Selisë së Shenjtë ndër konfliktet në vijim, Kard. Parolin vuri në dukje se "duhet vullnet politik për t'i dhënë fund luftës" dhe se "kostot janë të tmerrshme për të gjithë".

R.SH. / Vatikan

"Luftë pa kufij": ky, vlerësimi i asaj që po ndodh në Gaza, nga Kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit i Vatikanit, në intervistën telefonike të mbrëmshme, 18 korrik, nga Tg2 Post, program lajmesh i Rai-t. Kardinali Parolin foli “për tejkalimin e kufijve” si dhe "për zhvillimin dramatik të ngjarjeve", duke kërkuar qartësi lidhur me çka ndodhi të enjten e kaluar në sulmin ushtarak kundër Kishës së Familjes Shenjte, në Gaza, që la pas tre të vdekur e dhjetë të plagosur, duke përfshirë edhe famullitarin, Atë Gabriel Romanelli. Lidhur me shumë luftëra që po vazhdojnë, Kard. Parolin kujtoi se Selia e Shenjtë është gjithmonë e gatshme për ndërmjetësim, por "ndërmjetësimi" - pohoi - "është efektiv vetëm kur e pranojnë të dyja palët". Këtë theksoi Kardinali Pietro Parolin, për t’u përqendruar më pas tek telefonata e djeshme e  Papës me Kryeministrin Netanyahu.

Çfarë mendimi keni për telefonatën e Netanyahut me Papën?

Mendoj se ishte e përshtatshme; e edhe themelore t'i shpjegohej Papës, që të mos informohej drejtpërdrejt për çka kishte ndodhur, gjë që ka rëndësi të madhe. Prandaj telefonatën e quaj pozitive e pozitive, edhe gatishmërinë e Kryeministrit Izraelit për të folur drejtpërdrejt me Papën Leoni. Tani, besoj se ka tri gjëra, që mund të priten nga Papa Leoni nga kjo telefonatë, ose pas saj: së pari, që rezultatet e vërteta të hetimit të premtuar të bëhen të njohura. E kjo, për shkak se interpretimi fillestar ishte i gabuar, ndonëse u dhanë siguri se do të kishte një hetim për çështjen: pra, për ta kryer këtë hetim me seriozitet të plotë, që të dihen dhe të bëhen të njohura rezultatet. E pastaj, më në fund, pas kaq shumë fjalësh, të ndërmerren veprimet e duhura. Shpresoj vërtet se çka tha Kryeministri, do të realizohet sa më shpejt të jetë e mundur, sepse situata në Gaza është vërtet e paqëndrueshme.

Me sa duket, jemi përballë një lufte pa kufij...

Sigurisht është luftë pa kufij, nga çka pamë: si mund të shkatërrosh dhe të lësh të uritur një popullsi si ajo e Gazës? U tejkaluan shumë kufij tashmë. Nga ana tjetër, e kemi thënë këtë që nga fillimi si diplomatë të Selisë së Shenjtë: çështja e famshme e proporcionalitetit. Lidhur me këtë episod, nëse është siç e përshkruat, zhvillimi është dramatik. E përsëris: le t'u japim kohën që u nevojitet për të na treguar saktësisht se çfarë ndodhi: nëse ishte vërtet gabim, gjë që është legjitimisht e dyshimtë, apo nëse ishte  dëshirë për të sulmuar drejtpërdrejt një kishë të krishterë, duke e ditur se të krishterët janë forcë moderuese brenda Lindjes së Mesme, e gjithashtu në marrëdhëniet ndërmjet palestinezëve dhe hebrenjve. Prandaj, do të kishte përsëri dëshirë për të zhdukur çdo element që mund të ndihmonte në arritjen e të paktën një armëpushimi dhe më pas të paqes.

Ka shumë fronte lufte të hapura: a mund të bëjë diçka më shumë Selia e Shenjtë në aspektin e ndërmjetësimit diplomatik?

Ne jemi të gatshëm të ofrojmë mbështetjen tonë; gjë që e kemi bërë tashmë në disa raste. Përtej kësaj, unë e shoh vërtet të vështirë të ndërmerren hapa të mëtejshëm: edhe nëse e përdorni fjalën "ndërmjetësim" në një kuptim teknik, ndërmjetësimi hyn në fuqi vetëm kur e pranojnë të dyja palët: duhet të ketë gatishmëri nga ana e secilit prej dy pretendentëve, dy palëve, dy vendeve ose dy popullatave në konflikt, për ta pranuar këtë ndërmjetësim nga Selia e Shenjtë. Ne do të vazhdojmë të këmbëngulim, siç kemi bërë gjithmonë, pa e humbur shpresën, por teknikisht është shumë e vështirë. Nga ana tjetër, ju keni parë se sa shumë ndërmjetësime kanë dështuar jashtë Vatikanit deri tani. Duhet vullnet politik për t'i dhënë fund luftës, duke ditur se kostot e një lufte janë të tmerrshme për të gjithë e në çdo kuptim.

Ju e shihni, apo nuk e shihni këtë vullnet?

Për fat të keq... nuk dua të jem shumë negativ... shpresoj. Ju më kujtuat fjalët e Netanyahut, sipas të cilit armëpushimi është afër: do të dëshiroja ta besoj!

19 korrik 2025, 11:44