Kard. Parolin: situat? e paq?ndrueshme n? Gaza: njer?zit shkat?rrohen e vdesin nga uria
R.SH. / Vatikan
"Luftë pa kufij": ky, vlerësimi i asaj që po ndodh në Gaza, nga Kardinali Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit i Vatikanit, në intervistën telefonike të mbrëmshme, 18 korrik, nga Tg2 Post, program lajmesh i Rai-t. Kardinali Parolin foli “për tejkalimin e kufijve” si dhe "për zhvillimin dramatik të ngjarjeve", duke kërkuar qartësi lidhur me çka ndodhi të enjten e kaluar në sulmin ushtarak kundër Kishës së Familjes Shenjte, në Gaza, që la pas tre të vdekur e dhjetë të plagosur, duke përfshirë edhe famullitarin, Atë Gabriel Romanelli. Lidhur me shumë luftëra që po vazhdojnë, Kard. Parolin kujtoi se Selia e Shenjtë është gjithmonë e gatshme për ndërmjetësim, por "ndërmjetësimi" - pohoi - "është efektiv vetëm kur e pranojnë të dyja palët". Këtë theksoi Kardinali Pietro Parolin, për t’u përqendruar më pas tek telefonata e djeshme e Papës me Kryeministrin Netanyahu.
Çfarë mendimi keni për telefonatën e Netanyahut me Papën?
Mendoj se ishte e përshtatshme; e edhe themelore t'i shpjegohej Papës, që të mos informohej drejtpërdrejt për çka kishte ndodhur, gjë që ka rëndësi të madhe. Prandaj telefonatën e quaj pozitive e pozitive, edhe gatishmërinë e Kryeministrit Izraelit për të folur drejtpërdrejt me Papën Leoni. Tani, besoj se ka tri gjëra, që mund të priten nga Papa Leoni nga kjo telefonatë, ose pas saj: së pari, që rezultatet e vërteta të hetimit të premtuar të bëhen të njohura. E kjo, për shkak se interpretimi fillestar ishte i gabuar, ndonëse u dhanë siguri se do të kishte një hetim për çështjen: pra, për ta kryer këtë hetim me seriozitet të plotë, që të dihen dhe të bëhen të njohura rezultatet. E pastaj, më në fund, pas kaq shumë fjalësh, të ndërmerren veprimet e duhura. Shpresoj vërtet se çka tha Kryeministri, do të realizohet sa më shpejt të jetë e mundur, sepse situata në Gaza është vërtet e paqëndrueshme.
Me sa duket, jemi përballë një lufte pa kufij...
Sigurisht është luftë pa kufij, nga çka pamë: si mund të shkatërrosh dhe të lësh të uritur një popullsi si ajo e Gazës? U tejkaluan shumë kufij tashmë. Nga ana tjetër, e kemi thënë këtë që nga fillimi si diplomatë të Selisë së Shenjtë: çështja e famshme e proporcionalitetit. Lidhur me këtë episod, nëse është siç e përshkruat, zhvillimi është dramatik. E përsëris: le t'u japim kohën që u nevojitet për të na treguar saktësisht se çfarë ndodhi: nëse ishte vërtet gabim, gjë që është legjitimisht e dyshimtë, apo nëse ishte dëshirë për të sulmuar drejtpërdrejt një kishë të krishterë, duke e ditur se të krishterët janë forcë moderuese brenda Lindjes së Mesme, e gjithashtu në marrëdhëniet ndërmjet palestinezëve dhe hebrenjve. Prandaj, do të kishte përsëri dëshirë për të zhdukur çdo element që mund të ndihmonte në arritjen e të paktën një armëpushimi dhe më pas të paqes.
Ka shumë fronte lufte të hapura: a mund të bëjë diçka më shumë Selia e Shenjtë në aspektin e ndërmjetësimit diplomatik?
Ne jemi të gatshëm të ofrojmë mbështetjen tonë; gjë që e kemi bërë tashmë në disa raste. Përtej kësaj, unë e shoh vërtet të vështirë të ndërmerren hapa të mëtejshëm: edhe nëse e përdorni fjalën "ndërmjetësim" në një kuptim teknik, ndërmjetësimi hyn në fuqi vetëm kur e pranojnë të dyja palët: duhet të ketë gatishmëri nga ana e secilit prej dy pretendentëve, dy palëve, dy vendeve ose dy popullatave në konflikt, për ta pranuar këtë ndërmjetësim nga Selia e Shenjtë. Ne do të vazhdojmë të këmbëngulim, siç kemi bërë gjithmonë, pa e humbur shpresën, por teknikisht është shumë e vështirë. Nga ana tjetër, ju keni parë se sa shumë ndërmjetësime kanë dështuar jashtë Vatikanit deri tani. Duhet vullnet politik për t'i dhënë fund luftës, duke ditur se kostot e një lufte janë të tmerrshme për të gjithë e në çdo kuptim.
Ju e shihni, apo nuk e shihni këtë vullnet?
Për fat të keq... nuk dua të jem shumë negativ... shpresoj. Ju më kujtuat fjalët e Netanyahut, sipas të cilit armëpushimi është afër: do të dëshiroja ta besoj!