Jubileu i të Rinjve: doracaku i përgjithshëm për shtegtarët është Online
R.SH. - Vatikan
Manuali i përgjithshëm për Jubileun e të Rinjve është online dhe përmban të gjitha informacionet e dobishme të përgatitjes për ngjarjen kryesore që do të zhvillohet në Romë, nga 28 korriku deri më 3 gusht 2025. Jubileu i të Rinjve përfshin një program të pasur festimesh dhe takimesh, ku do të marrin pjesë qindra mijëra të rinj nga e gjithë bota. Të gjithë do të kenë mundësinë të bëjnë shtegtimin në Portat Shenjte dhe të marrin Ndjesën e Jubileut përmes Sakramentit të Pajtimit.
Për më tepër, të rinjtë do të kenë mundësinë të takojnë Papën Leoni XIV në vigjiljen e lutjes, të shtunën, më 2 gusht, dhe në Meshën, të dielën, më 3 gusht, në Tor Vergata. Manuali ofron informacion praktik mbi programin, udhëtimin, Paketën e Shtegtarit dhe Kartën e Jubileut, së bashku me informacionin mbi transportin dhe ushqimet. I njëjti informacion gjendet në aplikacionin zyrtar "Iubilaeum25", i disponueshëm në App Store për iOS dhe Play Store për Android.
Programi
Lidhur me hollësitë e programit, planifikohet që grupet të mbërrijnë të hënën, më 28 korrik. Të martën, më 29 korrik, në orën 19:00, do të kremtohet një Meshë Mirëseardhjeje në Sheshin e Shën Pjetrit, ndërsa në ditët në vijim (30 dhe 31 korrik), nga ora 10:30 deri në orën 18:00, do të zhvillohet një Dialog me Qytetin, një seri aktivitetesh kulturore, artistike dhe shpirtërore që do të mbahen në sheshet kryesore të Romës.
E premtja, 1 gusht, nga ora 10:30 deri në orën 18:00, do të jetë një "Ditë Pendese": në Circus Maximus, të gjithë të rinjtë do të kenë mundësinë të marrin Sakramentin e Pajtimit për t'u përgatitur për ditën kulmore të Jubileut, që u kushtohet.
E shtuna, 2 gusht, do të jetë dita e takimit me Papën Leoni XIV në Tor Vergata, vend historik dhe simbolik ku Gjon Pali II u takua me të rinj nga mbarë bota gjatë Jubileut të vitit 2000. Mbrëmësorja me Papën do të mbahet nga ora 20:30 deri në orën 21:30. Nga ora 15:00 deri në orën 20:00, të gjithë të pranishmit do të jenë në gjendje të shijojnë argëtim me muzikë dhe dëshmi; më pas do të kalojnë natën në zonën e ngjarjeve, ndërsa presin Meshën e së dielës, 3 gusht, kryesuar nga Papa.
Karta, çanta, transporti
Lidhur me informacionin teknik dhe logjistik, çdo person i regjistruar për Jubileun do të marrë një kartë, bazuar në paketën e blerë gjatë regjistrimit. Karta, e cila duhet të jetë e dukshme në çdo kohë, përfshin gjithashtu një biletë ushqimi dhe transporti. Çdo i regjistruar do të marrë një paketë zyrtare të Jubileut, e cila përfshin një çantë Jubileu, dy bluza, një kapelë, një shishe plastike të ricikluar, një shami dhe një rruzare.
Për Jubileun e të Rinjve, rrugët e transportit të përfshira do të zgjerohen dhe hyrja në zonat e ngjarjet e Jubileut do të garantohet për personat me aftësi të kufizuara. Për ata me dëmtime në shikim dhe dëgjim, këshillohet shkarkimi i aplikacionit Vatican for All për të ndjekur ngjarjet kryesore.
Portat Shenjte
Gjatë ngjarjes, të gjitha grupet do të kenë mundësinë të kalojnë nëpër Portat Shenjte të Bazilikave Papnore pa pengesa. Duke pasur parasysh pjesëmarrjen e lartë që pritet, u kujtojmë të rinjve të afrohen te Portat Shenjte me durim dhe frymë mikpritëse, të përgatitur për të pritur çdo radhë dhe çdo kohë. Hyrja në Portat Shenjte do të nisë duke filluar nga ora 8:00 e mëngjesit. Për të kaluar nëpër Portën Shenjte të Shën Pjetrit, duhet të shkojnë në Piazza Pia, ku vullnetarët do të mirëpresin shtegtarët dhe grupet e do t'i udhëheqin në shtegtimin e udhëhequr drejt Portës.
"Dëshmia"
Duke marrë pjesë në ngjarjet e Jubileut ose duke bërë shtegtimin në Portën Shenjte, mund të merret një dëshmi, një certifikatë zyrtare që vërteton shtegtimin dhe vizitën në Varret e Apostujve të Shenjtë Pjetër e Pal. Kjo mund të kërkohet në faqen e internetit dhe, më pas, të merret vetëm në Pikën e Informacionit të Jubileut në Via della Conciliazione. Do të personalizohet duke u dhënë emrin vullnetarëve të pranishëm atje.
"Julia", asistentja virtuale për të gjithë shtegtarët
Ndër veçoritë e reja që Bashkia e Romës do t'u vërë në dispozicion shtegtarëve të rinj që mbërrijnë në Romë është "Julia", asistentja virtuale e arritshme nëpërmjet aplikacionit dhe faqes së internetit, që u ofron shtegtarëve informacione të dobishme: informacionet e udhëtimit si dhe kohët e pritjes për transportin publik, lidhjet me tren dhe aeroport, si dhe tarifat e taksive. Për më tepër, për ata që janë të interesuar, "Julia" i këshillon se si mund ta përjetojnë qytetin, duke përfshirë rekomandime për restorante në zonë si dhe pika informacioni komunale, tualete, vende kulturore, muze dhe ngjarje. Përmes asistentit virtual, vizitorët gjithashtu mund të këshillohen me kalendarin e kremtimeve të Jubileut, të marrin njoftime mbi farmacitë në detyrë, kohët e pritjes në dhomat e urgjencës dhe njoftimet e Mbrojtjes Civile.