MAP

2025.07.24 Giubileo degli influencer digitali BANNER

Jubileu i misionarëve dixhitalë dhe i influencërve katolikë: për t’u lidhur me shpresën

Qindra vetë priten në Romë më 28 dhe 29 korrik për ngjarjen e padëgjuar kushtuar kësaj kategorie. Ditën e parë, një konferencë në Auditorin e Pajtimit me kontribute nga Jezuitët McCallum dhe Spadaro. Të nesërmen, kalimi nëpër Portën Shenjte dhe Mesha në Shën Pjetër, kryesuar nga Kardinali Tagle, lutja me Bashkësinë e Taizésë dhe, në fund, festivali në Piazza Risorgimento. Mund t’i ndiqni ngjarjet në gjuhë të ndryshme duke përdorur aplikacionin Vatican Vox

R.SH. - Vatikan

Të mbash gjallë shpresën, ta përhapësh deri në skajet e tokës, për një Kishë pa kufij. Këtë do të synojë ngjarja e 28 dhe 29 korrikut në Romë, ku misionarë dixhitalë e influencer a ndikues nga mbarë bota priten për Jubileun, që u kushtohet. Lutje, diskutime, shoqëri: këto janë përmasat që ka përgatitur Dikasteri për Ungjillëzimin, në bashkëpunim me Dikasterin për Komunikimin. Për të gjitha informacionet rreth ngjarjes, është zhvilluar aplikacioni "Vatican Vox" me përkthim të njëkohshëm në pesë gjuhë, aplikacioni i Radio Vatikanit, me përkthim dhe koment në tetë gjuhë, si dhe një manual i përgatitur në bashkëpunim me Departamentin e Mbrojtjes Civile.

Kuvëndimi mbi misionin, në epokën e rrjeteve dixhitale

Pas Meshës së hapjes – kremtime të veçanta do të bëhen në disa famulli pranë Vatikanit: Santa Maria delle Grazie, San Gregorio VII, San Giuseppe al Trionfale dhe Santo Spirito in Sassia - shtegtarët do të mblidhen në Auditorin e Pajtimit për përurimin e Jubileut, në orën 9:00 të mëngjesit, në prani të Sekretarit të Shtetit, Kardinalit Pietro Parolin, Imzotit Rino Fisichella, Pro-Prefekt i Dikasterit për Ungjillëzim dhe Paolo Ruffinit, Prefekt i Dikasterit për Komunikim. Imzot Lucio Ruiz do t'i mirëpresë më pas shtegtarët, të cilëve do t'u ofrohet një reflektim nga jezuiti David McCallum, Drejtor Ekzekutiv i Programit të Lidershipit të Dallueshëm, që do të përqendrohet në Fjalën e Zotit, katalizator për të qenë të lidhur me të sotmen. Konferenca mund të ndiqet drejtpërdrejt në portalin Vatican News dhe kanalin YouTube të Vatican News.

Do të flasë më pas, edhe jezuiti Antonio Spadaro, nënsekretar i Dikasterit për Kulturë dhe Edukim, që do të theksojë kontributin e teologjisë në mision në epokën e rrjeteve dhe algoritmeve. Do të vijojnë edhe disa perspektiva nga Grupi i Studimit të Sinodit mbi Sinodalitetin. Grupet e studimit do të punojnë për të identifikuar kuptimin e pranisë si Kishë në kulturën dixhitale.

Për pasditen e së hënës, më 28, planifikohen dy tryeza të rrumbullakta: e para, në orën 15:00 (në prani dhe në internet), do të jetë një shkëmbim përvojash mbi misionarët dixhitalë, me përfaqësues ndërkombëtarë. E dyta, në orën 17:30, do të jetë mbi "Shenjtorët, Influencër të Zotit". Pas çdo diskutimi në tryezë të rrumbullakët, do të ketë afërsisht një orë për ndarje në grupet e punës. Lutja e mbylljes do të drejtohet nga Kardinali Óscar Rodríguez Maradiaga, Kryeipeshkëv Nderi i Tegucigalpës.

Në orën 21:30, Kardinali José Cobo Cano, kryeipeshkëv metropolit i Madridit, do të kryesojë adhurimin eukaristik dhe liturgjinë pendestare. Projektet dixhitale do t’i besohen lutjes

Zemra e Jubileut, me mbledhjen në Piazza Pia dhe shtegtimin përgjatë Via della Conciliazione - drejt Bazilikës së Shën Pjetrit, do të jetë në orën 8:00 të mëngjesit, të martën, më 29 korrik..

Në orën 10:00, do të ndiqet kremtimi Eukaristik, i kryesuar nga Kardinali Luis Antonio Tagle, Pro-Prefekt i Dikasterit për Ungjillëzim - Seksioni për Ungjillëzimin e Parë dhe Kishat e Reja të Veçanta.

 Në Auditorin e Conciliazione-s pjesëmarrësit në Jubile do të kthehen për një drekë të përbashkët dhe një çast pushimi, përpara se të mblidhen rishtas në takimin ekumenik, titulluar “Së bashku për Shpresën” (në prani dhe online, përmes Vatican News), gjallëruar nga Bashkësia e Taizé-së, në orën 14:00.

Do të ketë, pastaj, një hapësirë për takim, bashkim dhe mision të përbashkët me ata që, nga të katër anët e ndryshme të botës, shpallin fenë në botën dixhitale. Një orë gazmore, për të shprehur gëzimin në rrjetet dixhitale përmes krijimtarisë, prelud për  vizitën në Kopshtet e Vatikanit,   gjatë të cilit projektet e misionit dixhital do t'i besohen Marisë, "influencer-ës a ndikueses së Zotit", duke i kërkuar asaj t’i prijë, me ëmbëlsinë amtare, pranisë së tyre në botën dixhitale.

Pas darkës, përsëri në Auditorium Conciliazione, influecërët do të ftohen të marrin pjesë në Festivalin që u kushtohet në Piazza Risorgimento, një mbrëmje muzike dhe dëshmish nga kultura dhe vende të ndryshme, duke festuar së bashku misionin për përhapjen e shpresës në botën dixhitale. Edhe këto takime do të transmetohen drejpëdrejtë në kanalet e Vatican News.

25 korrik 2025, 16:57