Imzot Gallagher në Indi: të bashkuar në diversitet për të dëshmuar Krishtin në harmoni
R.SH. - Vatikan
Një unitet që "nuk është uniformitet, por bashkim: një harmoni që respekton diversitetin duke promovuar dashurinë dhe mirëkuptimin reciprok". Kjo është trashëgimia "më aktuale se kurrë", e lënë nga shërbëtori i nderuar i Zotit Mar Ivanios (1882-1953), për "botën e sotme, ku ndarjet dhe konfliktet shpesh dominojnë kronikat". Kështu tha kryeipeshkvi imzot Paul Richard Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, gjatë "Holy Qurbana" të kremtuar sot, më 15 korrik, në Trivandrum, me rastin e Ditës së 72-të kushtuar këtij bariu shpirtëror që pati një rol kyç në rikthimin e Kishës Siro-Malankareze në bashkim me Kishën e Romës. "Një moment feje, uniteti dhe njohjeje të trashëgimisë së tij shpirtërore", shkruan Sekretaria e Shtetit të Selisë së Shenjtë në platformën sociale X @TerzaLoggia.
Trashëgimia e Mar Ivanios
Imzot Gallagher, i cili ndodhet në Indi nga 13 deri më 19 korrik për një vizitë që synon të konsolidojë dhe forcojë lidhjet e miqësisë dhe bashkëpunimit, e përqendroi reflektimin e tij te figura e Geevarghese Thomas Panickaruveetil - ky ishte emri i tij i lindjes - themelues i kongregatave rregulltare të Urdhrit të Imitimit të Krishtit (Bethany Ashram) dhe të Motrave të Imitimit të Krishtit (Bethany Madhom). Ai, megjithëse u përball me shumë vështirësi të brendshme dhe të jashtme, 95 vjet më parë mori "vendimin e guximshëm" për të udhëhequr komunitetin siro-malankarez drejt bashkimit të plotë me Romën. Një "moment historik", tha prelati Gallagher, jo vetëm për shtetin indian të Keralës, por edhe për Kishën universale, sepse nuk ishte "thjesht një akt administrativ", por një "deklaratë e thellë shpirtërore dhe kishtare mbi unitetin e të gjithë të krishterëve, e rrënjosur në personin e Jezusit"