MAP

2025.07.26 Gallagher Nunziatura Messico

Imzot Gallagher: Papa beson në multilateralizëm, që askush të mos injorohet

Gjatë vizitës në Nunciaturën Apostolike në Meksikë për "Festën e Papës" dhe Asamblenë e Përgjithshme të Universiteteve Katolike, Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare thekson nevojën urgjente për të prekur "plagët e heshtura të njerëzimit". Vetëm në këtë mënyrë politika mund t’i japë fund "ushtrimit të pushtetit" dhe të bëhet "akt i vërtetë drejtësie"

R.SH. - Vatikan

"Papa Leoni beson thellësisht në multilateralizëm" - jo në "burokraci abstrakte". Ndaj bën thirrje për një diplomaci të gjallë, të aftë për t’u përkulur mbi "plagët e heshtura të njerëzimit" dhe për t'i dëgjuar britmat e të plagosurve! Është atje, në zërin e ngjirur të "të zhvendosurve", në sytë e lodhur të "migrantëve", në duart e "të shfrytëzuarve", që politika të mund të rizbulojë fytyrën e saj të vërtetë. Jo një "ushtrim pushteti", por një "akt drejtësie". Është atje ku, përmes çarjeve të botës, dikush sheh "fytyrën e Krishtit". Këtë deklaroi Kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, gjatë kremtimit të "Ditës së Papës" kremtuar dje, 25 korrik, në Nunciaturën Apostolike në Mexico City, me rastin e zgjedhjes së fundit, të Leonit XIV në papni. Kryeipeshkvi mbërriti në Meksikë më 24 korrik dhe do të qëndrojë deri më 29, për të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Federatës Ndërkombëtare të Universiteteve Katolike, planifikuar të zhvillohet në Guadalajara.

Udha e fesë e Meksikës

Në fjalën e tij, Imzot Gallagher falënderoi Nuncin Apostolik, Imzot Joseph Spiter, për organizimin e takimit, duke theksuar se si kjo pjesëmarrje dëshmon për "rolin unik dhe të qëndrueshëm të Kishës Katolike në dialogun ndërkombëtar, angazhimin humanitar dhe diplomacinë morale".

Më pas rishikoi disa faza kyçe në udhëtimin e fesë të popullit meksikan, të shënuara nga "kompleksiteti, por edhe nga dashuria e thellë reciproke". Duke kujtuar mbërritjen e misionarëve të parë në fillim të shekullit të 16-të - përfshirë Fratin Juan de Zumárraga, kryeipeshkvin e parë të Meksikës - imzot Gallagher theksoi se si ata e shpallën Ungjillin "jo vetëm si doktrinë abstrakte, por si takim me Zotin e gjallë dhe thirrje për drejtësi, mëshirë e dinjitet njerëzor". Krahas ungjillëzimit, punuan edhe për të ndërtuar shkolla, spitale e struktura mbrojtëse për popujt indigjenë, "pavarësisht mangësive dhe brishtësisë së dukshme, tipike për historinë koloniale".

Kryeipeshkvi Gallagher me Nuncin Apostolik në Meksikë, Kryeipeshkvin Spiteri (në të djathtë)
Kryeipeshkvi Gallagher me Nuncin Apostolik në Meksikë, Kryeipeshkvin Spiteri (në të djathtë)

Zonja jonë e Guadalupes, "urë ndërmjet popujve"

Në qendër të fjalimit ishte edhe dukja e Zojës së Guadalupes, në vitin 1531, përshkruar si "pikë kthese" që nguliti besimin e krishterë në zemër të kulturës meksikane. "Pamja e saj, fjalët e saja, shikimi i saj amtar", kujtoi Imzot Gallagher, "nuk u imponuan, por u mirëpritën; ato nuk ishin të huaja, por të njohura". Sot, Virgjëra e Guadalupës vazhdon të përfaqësojë  "urën ndërmjet popujve" dhe "simbolin më të fuqishëm të unitetit ndërmjet Kishës dhe popullit meksikan". Të dielën, më 27 korrik, kryeipeshkvi do të kremtojë Meshën në Shenjtëroren kushtuar Pajtores së vendit.

Marrëdhëniet Meksikë - Seli e Shenjtë

Imzot Gallagher kujtoi më pas edhe rolin e Kishës në shtegtimin historik të Meksikës: "Ndërmjet pavarësisë, revolucionit dhe reformës sociale",  ndau provat e popullit, duke përjetuar nga afër shtypjen e praktikës fetare në shekullin e 20-të. Sot mbetet e pranishme në klasa, spitale, fshatra dhe lagje, për të riafirmuar "se çdo person është bërë sipas shëmbëlltyrës dhe ngjashmërisë së Zotit". Kujtoi gjithashtu edhe angazhimin e vazhdueshëm të Selisë së Shenjtë për të bashkëpunuar me popullin dhe qeverinë lokale, "mbi bazën e respektit të ndërsjelltë, vlerave të përbashkëta dhe ndjekjes së së paqes e të zhvillimit integral njerëzor". Marrëdhëniet diplomatike, të rivendosura zyrtarisht në vitin 1992 "pas një ndërprerjeje të gjatë historike", janë forcuar progresivisht, duke u bërë "më transparente dhe më të frytshme".

Gallagher në Nunciaturën Apostolike në Meksikë
Gallagher në Nunciaturën Apostolike në Meksikë

“Të ecim së bashku"

Vëmendje e veçantë iu kushtua rolit të Meksikës në dialogun dhe paqen, në Amerikën Latine, veçanërisht në kontekstet e konfliktit dhe të migrimit. Në emër të Papës Leoni XIV, Imzot Gallagher riafirmoi dëshirën e Kishës për të "ecur së bashku" përkrah më të prekshmëve: të varfërve, migrantëve, popujve indigjenë, viktimave të dhunës dhe të gjithë atyre që jetojnë në  skutat e shoqërisë. Ky angazhim është i rrënjosur në parimet e Ungjillit - dinjiteti njerëzor, ndihma, solidariteti dhe e mira e përbashkët - "më e nevojshme se kurrë" sot, në një kohë të shënuar nga "polarizimi dhe fragmentimi shoqëror".

Plagët e heshtura të njerëzimit

Meksika, deklaroi Kryeipeshkvi, është shumë e vetëdijshme për "plagët e heshtura të njerëzimit": varfëria, dhuna, shkatërrimi ekologjik dhe kriza e së vërtetës në diskursin publik. Këto plagë duken në "krimin e organizuar", "korrupsionin" dhe "pabarazinë ekonomike". Por vendi përballet me qëndrueshmëri, e shoqëruar nga një Kishë "e pranishme jo për të sunduar, por për të shërbyer; jo për të imponuar, por për të shoqëruar".

Dëgjoni “vërtet”

Në këtë kontekst, diplomacia merr një rol "themelor", të aftë të hapë "kanale paqeje dhe bashkëpunimi" dhe të parandalojë krizat "para se ato të shndërrohen në katastrofa". "Papa Leoni", përsëriti imzot Gallagher, "beson thellësisht në multilateralizmin, jo si burokraci abstrakte, por si mjet për të siguruar që asnjë komb, asnjë popull, asnjë britmë e të varfërve të mos injorohet". Një vizion që ndjek gjurmët e Papës Françesku, duke promovuar "kulturën e takimit", ku dëgjimi bëhet çelësi: "Kur dëgjojmë - dëgjojmë vërtet - të vuajturit, të zhvendosurit, të shfrytëzuarit, migrantët dhe familjet e të zhdukurve, tek ata nisim të shohim fytyrën e Krishtit. Dhe vetëm atëherë politika mund të formulohet jo si ushtrim pushteti, por si  akt drejtësie".

Gallagher në Nunciaturën Apostolike në Meksikë
Gallagher në Nunciaturën Apostolike në Meksikë

"Lulet" e Meksikës

Imzot Gallagher e përfundoi fjalimin e tij duke kujtuar "lulet e lindura nga gjaku i martirëve meksikanë", shenjë e një shprese që triumfon mbi vështirësitë. Një komunitet që nuk është "i përsosur", por këmbëngulës, që duhet të mbështetet "për të ndërtuar një rrugë të denjë të dinjitetit njerëzor që të gjithë e njohim". Së fundmi, një thirrje për përgjegjësi: "Le të kujtojmë se politika dhe diplomacia, në shprehjen e tyre më fisnike, janë akte dashurie ndaj atyre që u shërbejnë. E të mos harrojmë se në çdo fëmijë, në çdo emigrant, në çdo viktimë të dhunës, nuk gjejmë një statistikë, por një vëlla ose motër".

Imzot Gallagher e përfundoi fjalimin e tij  duke kujtuar fjalët e Virgjërës së Guadalupes drejtuar Shën Juan Diegos:

"A nuk jam thua këtu, unë që jam Nëna jote? A nuk je ndoshta nën mbrojtjen time?" – një pyetje që Gallagher e përsëriti, duke kërkuar ndërmjetësimin e Zojës, në mënyrë që papnia e Leonit XIV të jetë "kohë përtëritjeje, dhembshurie dhe paqeje".

26 korrik 2025, 15:17