Shën Pjetri: një projekt me emetime zero për bazilikën
R.SH. – Vatikan
Ulja e emetimeve të gazit serë, kontrolli i cilësisë së ajrit, përhapja e praktikave të mira dhe e mënyrave të jetesës ekologjikisht të përgjegjshme, si edhe kujdesi për shtëpinë tonë të përbashkët. Fabrika e Shën Pjetrit paraqiti këto ditë në Vatikan projektin për qëndrueshmërinë mjedisore dhe energjetike, që do ta bëjë kishën më të madhe në botë një model të virtytshëm për shumë vende të tjera të ngjashme. Plani, i cili po zbatohet që nga viti 2022, përfshin ndërhyrje jo vetëm në bazilikë, por edhe në Palazzo della Canonica, Rezidencën e Shën Martës dhe në Punishten e Mozaikëve.
Një "shtëpi" me ndikim zero në ambient
Projekti aktual "synon ta bëjë Bazilikën e Vatikanit një "shtëpi" me ndikim zero në ambient, që i mirëpret të gjithë ", deklaroi kreu i Fabrikës së Shën Pjetrit, kardinali Mauro Gambetti. Në një planet të mbingarkuar nga krizat dhe ndryshimet - luftërat, paqëndrueshmëria ekonomike, inteligjenca artificiale - duket sikur çështjet e ambientit kanë më pak përparësi, por në të vërtetë, "ndryshimi i klimës dhe qëndrueshmëria janë pjesë e planeve arsimore, politike dhe industriale të vendeve perëndimore", shpjegoi kardinali. Përmasa e qëndrueshmërisë shoqërohet, sipas kardinalit, nga "çështje strukturore që kanë të bëjnë me zhvillimin, ose rënien e qytetërimeve", të lidhura me ekonominë, shëndetin publik, drejtësinë shoqërore dhe teknologjinë. Në këtë kuadër, Selia e Shenjtë, e mbështetur në parimet e enciklikave “Laudato si'” dhe “Fratelli tutti”, si edhe në Nxitjen apostolike “Laudate Deum”, po dëshmon së është protagoniste proaktive, vazhdoi kreu i Fabrikës së Shën Pjetrit, duke iu referuar nismave të shumta, si programi i lëvizjes së qëndrueshme "Kthesa Ekologjike 2030" dhe "Borgo Laudato si' i Castel Gandolfo-s", një laborator i "ekologjisë së gjithanshme dhe i ekonomisë ricikluese".
Cilësia e ajrit
Përmirësimi i cilësisë së ajrit është një ndër aspektet kryesore teknike të projektit, shpjegoi Gianluigi De Gennaro, profesor në Universitetin e Barit "Aldo Moro". Ai theksoi se kjo çështje është bërë edhe më qendrore nga pandemia e fundit. Mesatarisht, në Bazilikën e Shën Pjetrit hyjnë çdo ditë 45.000 besimtarë, me kulme deri në 90.000 vetë, siç ndodhi këtë vit. Sigurisht, ka shumë kremtime, gjatë të cilave digjet kem, por hapësirat e mëdha dhe ventilimi i mirë natyror mundësojnë shpërndarjen e elementeve ndotës.
Një model ndërhyrjeje në trashëgiminë kulturore
Nivëli i ndotësve në atmosferë verifikohet nga një sistem mbikëqyrjeje i instaluar në vitin 2023. Matet sidomos përqendrimi i gazrave, që mund të ndikojnë në shëndetin e vizitorëve dhe në prishjen e trashëgimisë artistike. Hapësirat ku ndodhen vepra arti janë tejet delikate, të krahasueshme me organet e një trupi të gjallë. Për këtë arsye, i është kushtuar vëmendje e veçantë inxhinierisë së bimëve dhe përmirësimeve bioklimatike. Në Shën Pjetër, do të përmirësohet ventilimi natyror, si edhe do të zëvendsohen lammbat e ndriçimit me ato LED. Në Palazzo della Canonica dhe në Punishten e Mozaikëve, do të bëhen punime për ngrohjen, ftohjen dhe tharjen e lagështisë duke përdorur mjete të veçanta, që do të ndihmojnë në uljen e emetimeve.