ÐÓMAPµ¼º½

Ndërhyrja e Imzot Ruizit në Norvegji Ndërhyrja e Imzot Ruizit në Norvegji

Selia e Shenjtë: një qeverisje etike në digjital që e vendos njeriun në qendër

Në Lillestrøm, Norvegji, deri të premten më 27 qershor, po zhvillohet IGF2025. Në iniciativë mori pjesë edhe sekretari i Dikasterit të Vatikanit për Komunikimin, Imzot Ruiz, i cili nxiti të shikohet çdo inovacion me "urtinë e zemrës" që bashkon njohurinë dhe ndërgjegjen, lirinë dhe përgjegjësinë, drejtësinë dhe solidaritetin.

R.SH. / Vatikan

Një forum që synon të jetë një platformë diskutimi globale dhe gjithëpërfshirëse për qeverisjen e internetit, është Internet Governance Forum 2025 (IGF 2025) që po mbahet në Norvegji që nga 23 qershori, deri të premten më 26 qershor. Ky forum ka vendos në qendër të debatit idenë e një uebi të hapur dhe të sigurt, në dobi të njerëzimit. Ndër fjalimet e planifikuara ishte edhe ai i Monsinjor Lucio Adrian Ruiz, sekretar i Dikasterit të Vatikanit për Komunikimin, i cili drejtoi delegacionin e Selisë së Shenjtë, i përbërë nga inxhinieri Francesco Masci, drejtor i Drejtorisë Teknologjike të Dikasterit të Selisë së Shenjtë.

Një ndikim që prek gjendjen njerëzore

"Nuk mund ta ndajmë reflektimin mbi teknologjinë nga ai mbi njerëzimin": theksoi Mons. Ruiz, i cili kujtoi se transformimi aktual, kryesisht për shkak të inteligjencës artificiale, është "i thellë dhe i shpejtë" dhe po ndryshon jetën dhe punën e njerëzve. "Ndikimi i saj - shtoi ai - shkon shumë përtej inovacionit teknik: prek gjendjen njerëzore, kulturën dhe kuptimin e bashkëjetesës civile". Sekretari i Dikasterit të Vatikanit për Komunikimin kujtoi dokumentin Antiqua et Nova, të botuar në janar 2025, i cili fton "të shohim të renë me shqyrtim, duke mos kundërshtuar ndryshimin, por duke u përpjekur ta ndriçojmë atë me një urtësi të lashtë, të aftë për të drejtuar teknologjinë drejt qëllimeve njerëzore, të drejta dhe solidare". Dokumenti Antiqua et Nova i Dikasterit të Vatikanit për Doktrinën e Fesë dhe të Dikasterit për Kulturën dhe Edukimin,botuar më 20 janar 2025 i kushtohet marrëdhënies ndërmjet inteligjencës artificiale dhe inteligjencës njerëzore.

Përgjegjësia morale e Inteligjencës Artificiale

Duhet theksuar se Inteligjenca Artificiale nuk është një subjekt mendues, por "një produkt i zgjuarsisë njerëzore dhe si i tillë duhet të shoqërohet me një përgjegjësi morale". Mons Ruiz megjithatë renditi përfitimet e përdorimit të Inteligjencës Artificiale, veçanërisht në fushën e arsimit, duke pasur para sysh se IA "nuk mund të zëvendësojë kurrë marrëdhënien midis mësuesit dhe studentit, nga e cila transmetohen vlerat, mendimi kritik dhe liria e brendshme". Një tjetër shembull është ai në shëndetësi, ku mund të ndihmojë në fushën e diagnozës, por jo të zëvendësojë dëgjimin dhe kurat; në fushën e komunikimit shoqëror rreziku është që "e vërteta dhe autenticiteti" të jenë gjithnjë e më të brishta; në politikë të rritet polarizimi dhe në fushën ushtarake "armët autonome janë etikisht të papranueshme". Për mjedisin, IA mund të kontribuojë në qëndrueshmëri, por gjithsesi ekziston nevoja për "një teknologji që respekton shtëpinë tonë të përbashkët".

Urtia e zemrës

Prej këtej vjen ftesa për të punuar për një inovacion që bashkon njohurinë dhe ndërgjegjen, lirinë dhe përgjegjësinë, drejtësinë dhe solidaritetin, që ka një "urti të zemrës". "Selia e Shenjtë – thekson imzot Ruiz - kërkon një qeverisje etike. E ardhmja dixhitale do të jetë vërtet njerëzore vetëm nëse do të jetë edhe e drejtë, gjithëpërfshirëse, relacionale dhe kuptimplotë nga ana shpirtërore. Për këtë arsye, sot ripohojmë thirrjen që interneti dhe të gjitha teknologjitë në zhvillim të udhëhiqen nga vlera të përbashkëta, rregulla të përbashkëta dhe nga ndërgjegjësimi se qenia njerëzore është në qendër, është qëllimi dhe zemra e Inteligjencës Artificiale".

25 qershor 2025, 12:21