Roaco, filloi seanca plenare: në qendër, Lindja e Mesme dhe territoret e luftës
R.SH. / Vatikan
Situata e Kishave Lindore, parë edhe në dritën e lajmeve ndërkombëtare të këtyre javëve, duke filluar nga konflikti i përhapur në Lindjen e Mesme, do të jetë në qendër të asamblesë së 98-të plenare të Roaco (Riunione Opere Aiuto Chiese Orientali) , punimet e së cilës do të zhvillohen në Sallën e Kongreseve të Dikasterit të Vatikanit për Nxitjen e Bashkimit të të Krishterëve duke filluar nga pasditja e sotme, e hënë 23 qershor, deri të enjten 26 qershor. Takimi përqendrohet mbi Tokën e Shenjtë, Armeninë, Sirinë, Etiopinë dhe veprimin diplomatik të Selisë së Shenjtë.
Siç thuhet në program, publikuar në një njoftim nga Dikasteri i Vatikanit për Kishat Lindore, kremtimi i parë Eukaristik do të mbahet të martën, më 24 qershor, në orën 8:30, i kryesuar nga Kardinali Claudio Gugerotti, prefekt i Dikasterit të Selisë së Shenjtë për Kishat Lindore dhe kryetar i Roaco-s. Do të kujtohen bamirësit e gjallë dhe të ndjerë dhe do të bëhen lutje për paqe, duke ia besuar Zotit dhe ndërmjetësimit të Marisë Virgjër vendet që po vuajnë nga lufta.
Në qendër të vëmendjes, Toka Shenjte dhe Armenia
Seanca e parë do të prekë menjëherë thelbin e çështjes, duke u përqendruar tek situata në Tokën Shenjte, me vëmendje të veçantë në Gaza. Situata do të analizohet falë kontributeve të Patriarkut Latin të Jerusalemit, Kardinalit Pierbattista Pizzaballa; Delegatit Apostolik në Jerusalem, Imzot Adolfo Tito Yllana; Kujdestarit të Tokës së Shenjtë dhe Ruajtësit të Malit Sion, Atë Francesco Patton, OFM; të Zëvendës Kancelarit të Universitetit të Betlehemit, Vëllait Hernan Santos, FSC. Gjatë takimit, do të ketë njoftime lidhur me Lëmoshët Pro Terra Sancta 2024.
Pasdite, vëmendja do të zhvendoset te Armenia. Mbi këtë temë do të flasin Përfaqësuesi papnor në Armeni, Imzot Ante Jozić, dhe përfaqësuesi i rregullt i besimtarëve katolikë armenë në Evropën Lindore, Kryeprifti Kévork Noradounguan.
Situata në Siri
Mëngjesi i së mërkurës, 25, do t'i kushtohet analizës së situatës në Siri, e cila dje u trondit nga një sulm vetëvrasës në një Kishë në Damask. Imzot Hanna Jallouf, OFM., Vikar Apostolik i Alepos, dhe Imzot Joseph Tobji, Kryeipeshkëv Maronit i së njëjtës Seli, do të flasin për situatën. Në fund të mëngjesit të së mërkurës, Kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, do të ofrojë një pasqyrë të veprimit diplomatik të Selisë së Shenjtë në fronte të ndryshme, me vëmendje të veçantë tek situatat që përfshijnë praninë e të krishterëve lindorë, veçanërisht në rajonet më të prekura nga konfliktet dhe kufizimet në fushën e lirisë fetare.
Brishtësia e Etiopisë
Dita do të përfundojë me një raport nga Imzot Tesfaye Tadesse Gebresilasie, MCCI, Ipeshkv ndihmës i Addis Abebës, mbi situatën në Etiopi, një vend që po kalon fazë brishtësie të lartë institucionale dhe politike pas dy vitesh lufte, e cila ka shkaktuar mijëra viktima dhe miliona persona të zhvendosur brenda vendit.
Audienca me Papën
Punimet do të përfundojnë me Komitetin Drejtues, në fund të seancës plenare, që do të caktojë edhe takimet e ardhshme. Mëngjesin e së enjtes, më 26, Papa Leoni XIV do ta presë Roacon në audiencë.
Përveç diskutuesve, në seancën plenare do të marrin pjesë përfaqësues të Agjencive Katolike, pjesë e ROACO-s, Eprorët dhe disa Zyrtarë të Dikasterit të Vatikanit për Kishat Lindore, disa përfaqësues të Sekretarisë së Shtetit të Selisë së Shenjtë, të Dikasterit për Ungjillëzim, Dikasterit për Nxitjen e Unitetit të Krishterë dhe Dikasterit për Promovimin e Zhvillimit të Integruar Njerëzor.