MAP

Qefini a  pëlhura e Torinos prej liri me të cilën u varros Jezu Krishti Qefini a pëlhura e Torinos prej liri me të cilën u varros Jezu Krishti

Regina Apostolorum, dy kurse të posaçme për ta njohur më mirë Sindonën

Universiteti Papnor në Romë po nxit për vitin akademik 2025/2026, personalisht ose online, Diplomën në Studimet Sindonike si dhe kursin mbi "Sindonën e Mësimin e Fesë Katolike". Regjistrimet, e edhe mësimet, nisin në tetor 2025.

R.SH. / Vatikan

Aktivitetet e Ateneut Papnor Regina Apostolorum, në Romë, për ta bërë më të njohur Sindonën, pasurohen me dy kurse të veçanta, të hapura për të gjithë, të cilat mund të ndiqen personalisht ose online për vitin akademik 2025/2026. Do t’u krijojnë pjesëmarrësve mundësinë të njihen në thellësi me reliken e jashtëzakonshme dhe të përgatiten për ta përhapur ndikimin e saj, si mjet ungjillëzimi. Regjistrimet për të dy kurset do të fillojnë në tetor 2025.

Njëri është Diploma në Studimet e Sindonës. Mund të ndiqet në tri gjuhë: italisht, anglisht dhe spanjisht, i drejtohet si klerit ashtu edhe laikëve, profesorëve dhe studiuesve, gazetarëve dhe në përgjithësi, kujtdo që dëshiron të thellohet më shumë, me një thellim ndërdisiplinor, në fushën e gjerë dhe të pasur të studimeve mbi Sindonën. Tjetri është kursi “Sindona dhe mësimi i Fesë Katolike” në italisht, i hapur për mësues, studentë, edukatorë, katekistë dhe këdo që dëshiron të thellojë njohuritë e tij mbi Sindonën.

Ekspozita “Kush është Njeriu i Sindonës?”

Pas përurimit të ekspozitës së re të përhershme, e cila mund të vizitohet me prenotim, ndërmjet veprimtarive të Universitetit për të mësuar rreth Sindonës, pati shumë sukses ekspozita shtegtare “Kush është Njeriu i Sindonës?”. E vendosur me sukses të madh, në Bazilikën e San Giovanni Battista dei Fiorentini, në Romë, deri më 10 qershor, ka qenë një sukses i madh. “Ekspozita - lexojmë në faqen e internetit të Universitetit - na lejon të sodisim dhe të përjetojmë Sindonën me një përfshirje edhe më të madhe, duke e shfrytëzuar periudhën e Vitit Jubile si rrugë kthese dhe shprese. Sindona është relike e veçantë, që të krijon mundësinë e soditjes dhe të reflektimit mbi misterin e Pashkëve të Jezu Krishtit. Prandaj propozohet si relike e privilegjuar për Ungjillëzimin e Ri”. 

Projekti “Ekspozitë e Përhapur”

në Universitet është i pranishëm edhe Grupi Kërkimor Othonia që sivjet merr pjesë në projektin e Ekspozitës së Përhapur . Ky projekt sjell kopje me madhësi reale të Sindonës në të gjitha kishat që e kërkojnë atë, si në Itali, ashtu edhe jashtë saj.

Kard. Repole: Sindona, ftesë për ta jetuar jetën me shpresë

Ky Jubile, që po e kremtojmë si shtegtarë shprese, na inkurajon ta bëjmë të njohur edhe Sindonën. "Kjo Pëlhurë është ftesë për ta jetuar jetën me shpresë - pohon Kardinali Roberto Repole, Kryeipeshkëv i Torinos dhe rojtar i Sindonës - mbasi do të thosha se është edhe kopje e Ngjalljes, e dikujt që nuk është më i vdekur - mbasi varri është bosh. Në horizontin e përjetësisë, disfatat e historisë nuk janë fjala e fundit. Shpesh rrezikojmë ta ngatërrojmë shpresën me iluzionin dhe optimizmin; shpresa ndërhyn pikërisht aty ku ti jeton braktisjen dhe dramën e jetës e, mbi të gjitha, vdekjen... Por pavarësisht nga kjo, vazhdon të kesh besim. Në traditën e krishterë, shpresa është Zoti. E çka mund të shpresojmë, është ta shohim me sy të rinj fytyrën sindonike: është edhe kopje e Ngjalljes, që na thotë se Zoti mund të  jetë i pranishëm”.

18 qershor 2025, 16:09