Papa Leoni XIV do të kalojë pushimet verore në Castel Gandolfo
R.SH. / Vatikan
Papa Leoni XIV do të rifillojë traditën e kalimit të një kohe gjatë pushimeve verore në Castel Gandolfo. Sipas një deklarate të publikuar sot, e marte 17 qershor, nga Prefektura e Shtëpisë Papnore, Ati i Shenjtë Prevost do të kalojë dy periudha të ndara në qytetin kodrinor pranë Romës. midis korrikut dhe gushtit. Kështu, kthehet tradita e "pushimeve" të Papës jashtë mureve të Vatikanit, veçanërisht në rezidencën Papnore në Castel Gandolfo. Lajmi u bë i ditur dje nga një njoftim i Zyrës së Shtypit e Selisë së Shenjtë:
«Pasditen e së dielës, më 6 korrik, Papa Leoni XIV do të transferohet për një periudhë pushimi në Castel Gandolfo». thuhet në komunikatë. Kthimi në Vatikan është parashikuar për datën 20 korrik, por më pas Ati i Shenjtë Prevost do të kthehet në Castel Gandolfo për tre ditë me rastin e solemnitetit të Ngjitjes së Virgjrës Mari në Qiell.
Njoftimi i Zyrës së Shtypit e Selisë së Shenjtë, në veçanti, shton edhe programin e disa ngjarjeve, të cilat do të zhvillohen gjatë periudhës së pushimit të Papës në Castel Gandolfo: më 13 korrik, në orën 10 në famullinë papnore të Shën Tomës së Villanoves në Castel Gandolfo, Leoni XIV do të kremtojë Meshën, pas së cilës do të vijojë lutja e Engjëllit të Zotit në sheshin e Lirisë në Castel Gandolfo, përballë Pallatit Apostolik. Të dielën pasardhëse, më 20 korrik në orën 9.30, Papa Prevost do të kremtojë Meshën në Katedralen e Albanos. Në orën 12 do të recitojë lutjen e Engjëllit të Zotit në sheshin e Lirisë në Castel Gandolfo dhe më pas do të kthehet në Vatikan.
Në korrik, njofton e njëjta komunikatë e zyrës së shtypit të Vatikanit, do të pezullohen të gjitha audiencat private, dhe audiencat e përgjithshme të mërkurës 2, 9, 16, 23. Takimi i audiencave të përgjithshme do të rifillojë më 30 korrik.
Në gusht, më pas, një dalje e re e Papës në Castel Gandolfo, ku do të shkojë të premten, më 15 gusht, në solemnitetin e Ngjitjes së Zojës Mari në Qiell, dhe me rastin e kësaj feste në orën 10 do të kremtojë Meshën në famullinë papnore, pas së cilës, në orën 12, do të vijojë lutja e Engjëllit të Zotit në sheshin e Lirisë, në Castel Gandolfo. Dy ditë më pas, më 17 gusht, në orën 12 Papa do të ketë sërish lutjen e Engjëllit të Zotit në sheshin e Lirisë, në Castel Gandolfo dhe më pas kthimi në Vatikan.
Leoni XIV pati vizituar javët e fundit rezidencën papnore të Castel Gandolfo-s, duke lënë të kuptohej mundësia që ai do të kalonte këtu një periudhë pushimi gjatë verës, ndryshe nga Papa Françesku që nuk pati dashur kurrë të kalonte "pushimet" jashtë Vatikanit