Pali VI, Maritain dhe përtëritja e artit kishtar në ekspozitë, në Muzetë e Vatikanit
R.SH. / Vatikan
Pesëdhjetë vjet miqësi, ndërmjet Parisit dhe Romës, në Evropën e përshkuar nga ngjarje të ndërlikuara historike dhe kulturore. Giovanni Battista Montini dhe Jacques Maritain u takuan në Paris, në vitin 1924. Bashkëpunimi intelektual e shpirtëror u forcua në vitin 1945, kur filozofi u emërua nga Presidenti Charles De Gaulle ambasador francez pranë Selisë së Shenjtë. Tetëdhjetë vjet pas asaj detyre, e gjashtëdhjetë vjet pas mbylljes së Koncilit II të Vatikanit, ekspozita e vendosur në Salette della Torre Borgia të Muzeve të Vatikanit feston atë partneritet që nxiti debatin mbi ripërtëritjen e artit kishtar, ndërmjet Francës, Zvicrës dhe Italisë.
Humanizmi i plotë
Veprat vijnë nga Koleksioni i Artit Modern dhe Bashkëkohor i porositur dhe përuruar në Vatikan nga Pali VI në vitin 1973, vit i vdekjes së filozofit francez neo-tomist i cili pati një ndikim të madh mbi idetë e Vatikanit II dhe hartimin e Kartës Themelore të të Drejtave të Njeriut. Në Ekspozitë vijon të ndjehet debati ndërmjet Italisë dhe Francës mbi artin kishtar bashkëkohor, që karakterizoi gjysmën e parë dhe të dytë të shekullit të njëzetë. Një reflektim, pjesë e vizionit më të gjerë të humanizmit integral në të cilin arsyeja dhe feja, liria dhe hiri, bukuria dhe e vërteta lidhen ngushtë me njëra-tjetrën!
"Kjo botë në të cilën jetojmë ka nevojë për bukuri, për të shpëtuar nga rrogomisja në dëshpërim" - u pati shkruar Pali VI artistëve më 8 dhjetor 1965, me bindjen se nuk kishte indiferencë ndërmjet artit e fesë. Sipas Papës, një divorc duhej shëruar duke nisur nga përfshirja e thellë e këtyre profetëve të bukurisë, të etur për ta rinuar pikturën kishtare, pa e tradhtuar misionin dhe identitetin e saj.
Filozofi francez Maritain ishte afruar dhe ishte kthyer në katolicizëm në fillim të shekullit të njëzetë, së bashku me gruan e tij Raïssa, me të cilën u pagëzua në vitin 1906. Në dekadat e para të shekullit, çifti i dha jetë një skene intensive me përmasa ndërkombëtare, vendimtare për reflektimin mbi Krishterimin në shekullin e njëzetë, të hapur për filozofë, njerëz të Kishës, artistë, poetë dhe intelektualë me prejardhje të ndryshme si Paul Claudel dhe Jean Cocteau.
Sipas Maritain, arti i vërtetë, ashtu si feja e vërtetë, e rrënjosur në ndjenjat e kohës së tij, duhej të udhëhiqte nga e dukshmja në të padukshmen pa iu dorëzuar realizmit akademik bosh ose abstraksionit të shfrenuar të avangardës. Aspekti i përgjegjësisë morale të artistit ishte themelor, e vetëm duke u nisur nga një ndjenjë e sinqertë dhe e lirë feje, mund të prodhonte piktura vërtetësisht të krishtera.
Miqësia
“Reflektimi mbi artin kishtar tërhoqi vëmendjen e mbarë botës intelektuale”, pohon Micol Forti, kujdestar i ekspozitës dhe drejtues i Koleksionit të Artit Modern e Bashkëkohor të Muzeve të Vatikanit. “Është temë që ka prekur shoqërinë civile në një mënyrë të thellë e të rrënjosur thellë, përmes miqësisë së këtyre dy personazheve dhe gjigantëve të shekullit të njëzetë.”
Koleksioni Maritain
Frymëmarrja e thellë, që karakterizon debatin, shenjë e hapjes së madhe dhe mungesës së pengesave, reflektohet në thelbin e pasur të veprave të artit, mbledhur nga Maritainët, falë dhuratave të marra nga shumë miq artistë. Disa prej tyre do të bëheshin, më pas, pjesë e Koleksionit të Artit Modern të Muzeve të Vatikanit, së bashku me të tjera të dhuruara nga Cercle des études Jacques et Raïssa Maritain (Rrethi i Studimit të Jacques dhe Raïssa Maritain). Të tjera do të ekspozohen për herë të parë në ekspozitën që do të jetë e hapur për publikun nga e premtja, 13 qershor.
Piktura, vizatime, printime, fotografi, por edhe vëllime të epokës dhe dëshmi materiale, nisin e tregojnë botën e brendshme dhe intelektuale të personazheve që silleshin rreth Jacques dhe Raissa: nga Maurice Denis - te Georges Roualt, piktor veçanërisht i dashur nga Maritain; nga Emile Bernard - te Gino Severini; nga Marc Chagall, i lidhur nga një miqësi e thellë me Raïssa-n, me origjinë hebraike, te Henri Matisse dhe amerikani William Congdon, i njohur nga Maritainët në vitet para Koncilit të Dytë të Vatikanit.
“Janë artistë që, në fund të shekullit të 19-të, hodhën themelet për t'u shkëputur nga arti i devotshmërisë, nga format e së kaluarës. E hodhën themelet për një debat të gjerë mbi artin kishtar. Disa nga veprat e ekspozuara janë plotësisht të pabotuara: ne i studiuam për këtë rast”, saktëson Micol Forti. Në ekspozitë mund të soditën edhe portrete të disa intelektualëve të shquar në jetën kulturore të shekullit të 20-të. Veçanërisht ekspresive janë ato të pikturuara nga Jean Guitton: nga filozofët Henri Bergson dhe Maurice Blondel, deri te poeti Paul Claudel.
Dialog i hapur
Si dëshmi e dialogut të Palit VI edhe me lëvizjet më progresive artistike, ekspozita nuk mund të mos përfshinte një eksponent të rëndësishëm të debatit mbi ripërtëritjen e artit kishtar në Francë: atin dominikan Marie-Alain Couturier, prijës i një linje operative dhe teorike për shumë mënyra, të kundërt me atë të Maritain.
Pali VI, artistët dhe koleksioni i Vatikanit
Ekspozita është rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Muzeve të Vatikanit, Ambasadës Franceze pranë Selisë së Shenjtë, Qendrës Kulturore San Luigi dei Francesi dhe Bibliothèque Nationale et Universitaire de Strasburg. E hapur nga 13 qershori deri më 20 shtator, do të tregojë sesi Muzetë e Papës nuk janë vetëm koleksione të artit klasik, të Rilindjes apo Barokut: "Janë udhëkryq i rëndësishëm dialogu me artistët e shekullit të njëzetë, që nis nga Shën Pali VI në njërën nga papnitë më të larta intelektuale të shekullit të kaluar", nënvizon Barbara Jatta: "Galeria jonë e Artit Modern dhe Bashkëkohor është dëshmi e trashëgimisë së Montini-t, njëherësh me vëmendjen e tij për dialogun me artistët mbi përfaqësimin e së padukshmes edhe në forma krejtësisht përçarëse, anikonike, jo shumë tradicionale për Kishën e kohës".