MAP

2025.06.19 Ministero della Pace

Një “Ministri Paqeje” për të nisur politika të vërteta arsimore

Më 24 qershor, në Auditorin Bachelet, në Romë, u paraqit propozimi për krijimin e një ministrie kushtuar paqes, që t'u jepet forcë nismave të drejtësisë dhe të çarmatimit. Ndërmjet nismëtarëve, Fondazioni Fratelli Tutti dhe shoqata të shumta italiane. Në bazë, besimi se paqja “nuk është utopi, por përgjegjësi kolektive”, për t’u ndërtuar së bashku.

R.SH. - Vatikan

Të krijohet Ministria e Paqes. Ky është propozimi që do të paraqitet të martën, më 24 qershor, në Auditorin Bachelet të Domus Mariae, në Romë. Nisma, e propozuar nga Fondacioni Fratelli Tutti, Veprimi Katolik Italian, Shoqata e Bashkësisë Papa Gjon XXIII, Shoqatat e Punëtorëve të Krishterë të Italisë dhe një rrjet i gjerë shoqatash të shoqërisë civile, lind nga dëshira për të siguruar një strukturë institucionale dhe të qëndrueshme për politikat e paqes, drejtësisë dhe çarmatimit në Itali.

Në bazë, shpjegojnë në një njoftim për shtyp organizatorët e Fushatës "Ministria e Paqes" (), një parakusht i qartë: "Paqja është projekt politik dhe demokratik e, si e tillë, duhet të organizohet, të nxitet dhe të koordinohet". E nëse paqja "nuk është utopi, por përgjegjësi kolektive që përfshin institucionet dhe çdo qytetar", një ministri që i kushtohet do të përfaqësonte "pikën institucionale të referencës së politikave dhe edukimit për paqen, mbrojtjen civile, bashkëpunimin ndërkombëtar, drejtësinë restauruese dhe çarmatimin".

Programi i ngjarjes

Programi përfshin fjalime, dialogë dhe reflektime mbi mënyrën se si paqja mund të bëhet arkitekturë politike dhe institucionale, e jo vetëm ideal etik.

Punimet do të hapen të martën e ardhshme pasdite nga jezuiti Francesco Occhetta, sekretar i përgjithshëm i Fondacionit Fratelli Tutti, koordinatorja e Tryezës së Sektorit të Tretë të Fondacionit, Sandra Sarti, dhe Laila Simoncelli, Koordinatore Kombëtare e Fushatës "Ministria e Paqes". Do të pasohen nga fjalimi përurues i Michele Nicolettit, profesor i Filozofisë Politike në Universitetin e Trentos, me temën "Institucionet për paqen, në një botë të përçarë nga konfliktet".

Në temën e titulluar "Arsyet për Krijimin e një Ministrie Paqeje", tre presidentët e shoqatave organizuese - Matteo Fadda (APG23), Giuseppe Notarstefano (AC), Emiliano Manfredonia (ACLI) - do të ilustrojnë motivimet pas propozimit.

Institucionet dhe shoqëria civile në dialog

Më pas do t'i jepet hapësirë ​​tryezës së rrumbullakët me temën "Rimendimi, në mënyrë të koordinuar, i politikave për paqen", me diskutimin e përfaqësuesve të institucioneve dhe shoqërisë civile: për fushën e arsimit, Giuseppe Recinto (Ministria e Arsimit dhe Meritës) dhe Giovanna Martelli (Fondacioni Rut); për mbrojtjen civile të paarmatosur dhe jo të dhunshme, Laura Massoli (Departamenti për Politikat Rinore dhe Shërbimin Civil Universal, Presidenca e Këshillit të Ministrave), Laura Milani (Konferenca Kombëtare e Organeve të Shërbimit Civil - CNESC) dhe Stefano Comazzi (AMU - Veprimi për një Botë të Bashkuar - Focolari).

Përsëri, si ekspertë në bashkëpunim, në të drejtat e njeriut, në paqe dhe siguri, do të flasin Luca Fratini (Ministria e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar) dhe Primo Di Blasio (FOCSIV); ndërsa për drejtësinë restauruese Alessandro Buccino Grimaldi (Ministria e Drejtësisë - Departamenti për Drejtësinë e të Miturve dhe Restauruese) dhe Silvio Masin (Opera Don Calabria Internazionale).

Takimi do të moderohet nga Andrea Michieli, drejtor i Institutit të së Drejtës Ndërkombëtare të Paqes “Giuseppe Toniolo”. Për ta mbyllur ditën, në orën 7 të mbrëmjes, do të kremtohet një meshë në Kapelën e Shenjtorëve dhe të Lumve të Veprimit Katolik.

20 qershor 2025, 13:38