Martirët e nazistëve dhe të Luftës civile spanjole: Kisha do të ketë 175 të Lumë të rinj
R.SH. / Vatikan
Martirë lufte. Të vrarë nga persekutuesit e tyre për shkak se ishin gjithnjë pranë popullit dhe besnikë ndaj Kishës. Janë 174 të lumtë e rinj, të cilëve Papa Leoni ua autorizoi shpalljen e dekreteve, duke pritur në audiencë Kardinalin Marcello Semeraro, prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Çështjet e Shenjtorëve.
Meshtarë, rregulltarë, seminaristë, laikë: të gjithë viktima të egërsisë së dy konflikteve që gjakosën Evropën në gjysmën e parë të shekullit të njëzetë. Njëqind e njëzet e katër të vrarë nga urrejtja kundër fesë gjatë Luftës Civile Spanjolle; pesëdhjetë nga nazistët, gjatë Luftës II Botërore. Emrat e tyre tingëllojnë si thirrje e re për paqen, që Leoni XIV ia drejton botës. Dhe si jehonë e fjalëve të tij gjatë audiencës së përgjithshme të së mërkurës së kaluar.
"Zemra e Kishës copëtohet nga britmat që lartohen prej vendeve të luftës. Nuk duhet të mësohemi me luftën" - tha Papa, duke përsëritur thirrjen e Piut XII: "Asgjë nuk humbet me paqen. Gjithçka mund të humbasë me luftën".
Në nderimin e altarëve lartohen Martirët e Ungjillit, që u flijuan në mes të çmendurisë së urrejtjes e të hakmarrjes. Ashtu si Don Manuel Izquierdo Izquierdo, "prijës" i grupit të parë të martirëve të dioqezës andaluziane të Jaén, 58 shokëve të tij. Në dokumentimin e çështjes shpjegohet se Lufta Civile spanjole, që nisi në korrik 1936, pati "aspekte të persekutimit mizor anti-katolik". Dhuna u nxit nga "revolucionarë të cilët, të shtyrë nga ndjenjat anti-fetare, masakruan shumë meshtarë, rregulltarë dhe laikë, duke i rrenuar e duke i plaçkitur Kishat".
Guerrilasit komunistë dhe anarkistë "të nxitur nga propaganda ateiste", u tërbuan kundër "Kishës, shërbyesve të saj dhe të shumë besimtarëve. Me një mizori të veçantë”. Shënjestra e tyre qe bërë Don Manuel Valdivia Chica, që përfundoi në një vorbull torturash dhe keqtrajtimesh: para vdekjes ia prenë edhe duart, me të cilat kishte shuguruar një jetë të tërë! Viktima të së njëjtës klimë persekutimi ishin Don Antonio Montañés Chiquero dhe 54 meshtarë të tjerë, nëntë burra dhe një laike, të masakruar ndërmjet viteve 1936 dhe 1937. Edhe ata ishin nga dioqeza e Jaén.
"Shumica ishin kapur nga milicët dhe disa prej tyre pësuan fyerje, ngacmime dhe rrahje mizore". Në gjyqin kanonik doli se meshtarët "donin të rrinin pranë njerëzve në famulli, pa ikur, pavarësisht nga rreziku". E disa prej tyre, si Don Antonio, kërkuan të "vriteshin të fundit në mënyrë që të dëgjonin rrëfimet e të tjerëve dhe t'i ndihmonin ata të vdisnin me një vdekje shenjte".
Është gjithnjë tmerri i luftës edhe në bazë të martirizimit të Don Raymond Cayré, të fratit të vogël françeskan Gérard-Martin Cendrier, seminaristit Roger Vallée, tornitorit Jean Mestre dhe 46 shoqëruesve të tjerë. Të gjithë francezë. E të gjithë vdiqën ndërmjet viteve 1944 dhe 1945 në duart e regjimit të Hitlerit, që kishte pushtuar një pjesë të vendit. Ndërmjet tyre kishte meshtarë, fretër françeskanë, një jezuit, seminaristë, skautë dhe shumë laikë nga Rinia e Punëtorëve të Krishterë. Duke pranuar udhëzimet e Kryeipeshkvit të Parisit, Kardinalit Emmanuel Suhard, kishin ndjekur punëtorët francezë të internuar në Gjermani. "Për shkak të apostullimit që kryenin, u arrestuan, u torturuan dhe u vranë kryesisht në kampe përqendrimi", lexojmë në faqen e internetit të Dikasterit të Vatikanit për Çështjet e Shenjtorëve. Vende tmerri, të tilla si Mauthausen, Buchenwald ose Dachau.
Së bashku me ta, Papa vendosi të lumnohet edhe spanjolli Salvador Valera Parra (1816-1889), prift i të sëmurëve i cili, gjatë shpërthimit të epidemisë së kolerës, në vitin 1865, pati ndihmuar ata që jepnin shpirt. Më pas ua kishte kushtuar pjesën e fundit të jetës së tij të varfërve dhe të sëmurëve, duke themeluar edhe një shtëpi për të moshuarit e braktisur. Mrekullia që do ta lartojë në altar, është shërimi i jashtëzakonshëm, që besohet të jetë kryer me ndërmjetësimin e tij, i një fëmije amerikan, Tyquan-it, lindur para kohe në vitin 2007, pa frymë dhe me një rrahje tejet të ligshtë të zemrës. Mjeku kujdestar kishte thirrur Don Valera Parra-n, bashkatdhetarin e tij, për ta shpëtuar të porsalindurin në kushte të dëshpëruara. "Pak më vonë, pa asnjë ndërhyrje të jashtme, zemra e ferishtes nisi të rrahë e ai filloi të ringjallej"- kujton Dikasteri.
Gjatë audiencës me Kardinalin Semeraro, Papa Leoni XIV autorizoi edhe botimin e dekreteve të katër të nderuarve të rinj. Tre janë italianë. Njëri është Raffaele Mennella (1877-1898), i riu me origjinë nga Torre del Greco, vdekur në moshën 21 vjeç, që i përkiste Kongregatës së Misionarëve të Zemrës së Krishtit, të cilët i kishte takuar gjatë disa misioneve popullore. Një jetë e shkurtër rregulltare, e tija, në emër të lutjes së vazhdueshme dhe të "bamirësisë që ushtronte duke shkuar për të vizituar të sëmurët në spitale" derisa u diagnostikua me një formë të rëndë të tuberkulozit.
Pastaj është Motra Teresa Tambelli (1884-1964), e lindur Maria Olga, nga Revere, në provincën e Mantovës. Infermiere, ajo mbante rrobën vinçenciane dhe ishte "nëna" e fëmijëve dhe grave të reja më të pafavorizuara.
Vijon Anna Fulgida Bartolacelli (1928-1993), me origjinë nga Serramazzoni, në provincën e Modenës. Pavarësisht nga një formë e rëndë e osteopsatirozës, që e detyroi të përdorë karrigen me rrota, iu kushtua apostolatit të të sëmurëve, pasi u takua me shoqatën Punëtorët e Heshtur të Kryqit. Për të ndihmuar të sëmurët, dhuroi për ta çdo muaj një shumë të caktuar të pensionit të saj të invaliditetit.
I nderuari i katërt i ri, João Luiz Pozzobon (1904-1985), pasardhës i emigrantëve italianë, vjen nga Brazili. Ai themeloi “Grupin për Rruzaren”, nismë e re e mision për në spitalet, burgjet, vendet e punës, shkollat, që kontribuoi edhe në themelimin e 43 eremitazheve kushtuar Nënës së Zotit.