Kard. Parolin: "Shoqata dhe lëvizje, të jeni dëshmitarë të unitetit dhe dashurisë"
R.SH. – Vatikan
Dashuria dhe uniteti - parime kujtuar nga Papa Leoni XIV për gjithë Kishën, në meshën për fillimin e shërbesës së Pjetrit – ndërthuren me rrugën e treguar nga Sekretari i Shtetit të Selisë së Shenjtë, kardinali Pietro Parolin, sot paradite, 5 qershor, për përfaqësuesit e grupeve kishtare, që erdhën në Vatikan për Takimin e tyre Vjetor. Takimi u zhvillua në prag të Jubileut të lëvizjeve, shoqatave dhe bashkësive të reja dhe këtë vit ka si temë "Shpresa e jetuar dhe e shpallur. Dhurata e Jubileut për grupet kishtare". U ndoq nga rreth 250 përfaqësues të 115 shoqatave e lëvizjeve të njohura nga Dikasteri për Laikët, Familjen dhe Jetën, promotor i nismës, që u hap dje e përfundoi këtë pasdite.
Shenja Zbulese e Misionare
Moderatorët dhe përfaqësuesit e grupeve kishtare u mblodhën sot në altarin e Katedrës së Bazilikës së Shën Pjetrit, ku kardinali Parolin kryesoi Eukaristinë me bashkëkremtimin e kardinalit Kevin Farrell dhe të ipeshkvit Dario Gervasi, përkatësisht prefekt dhe ndihmës sekretar i Dikasterit për Laikët, Familjen dhe Jetën. Duke reflektuar mbi lutjen e Jezusit të dëgjuar pak më parë në Ungjill, në homelinë e tij, kardinali theksoi se "uniteti dhe dashuria" janë dy "realitetet dalluese të çdo bashkësie të krishterë": "shenjat e Zbulesës" dhe "shenjat e misionit", të cilat të dyja flasin për Zotin dhe "tërheqin drejt Zotit".
Jezu Krishti, ekzistenca dhe jeta e të cilit i referohej “së përtejmes”, përndryshe do të dukej si njeri i thjeshtë, krijoi ndjesinë e “diçkaje më të madhe, përtej njerëzores; diçkaje të bukur, magjepsëse, në të cilën të gjithë duan të marrin pjesë”. Kështu ndodh edhe në Kishë. Nëse nuk jetohet po ai “unitet”, që ekziston ndërmjet Atit dhe Birit, atëherë – paralajmëroi Sekretari i Shtetit – “bashkësia e krishterë kufizohet në një grup miqsh si shumë të tjerë”. Kur e tëra “nuk flet për Zotin”, gjithçka të mirë që bashkësia bën për të tjerët, vazhdoi kardinali Parolin, “reduktohet në bamirësi, në vullnetarizëm etik dhe në përpjekje njerëzore solidariteti”, por nuk bën të shihet “bamirësia hyjnore, fryt i Shpirtit Shenjt zbritur në zemrat tona”. Kështu, nëse harmonia ndërmjet njerëzve na tërheq, uniteti dhe dashuria në Kishë bëhen shenja zbulese dhe misionare vetëm nëse e ruajnë “origjinën e tyre hyjnore”.