Imzot Salas Castañeda, koordinator i ri i udhëtimeve të Papës
R.SH. / Vatikan
"Papa Leoni XIV ia besoi Imzot José Nahúm Jairo Salas Castañeda, zyrtar i Seksionit të Çështjeve të Përgjithshme të Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, rolin e Koordinatorit të Udhëtimeve Apostolike. Njoftimi u bë sot nga Shkëlqësia e Tij, Imzot Edgar Peña Parra, Zëvendës i Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, pas lutjes së Engjëllit të Zotit". E lexojmë këtë në një postim të botuar në platformën sociale X nga Sekretaria se Shtetit "Terza Loggia" e Selisë së Shenjtë.
Kardinali George Koovakad, përgjegjës për udhëtimet e Papës Françesku që nga viti 2021, u krijua kardinal dhjetorin e kaluar nga Françesku e, që nga 21 janari 2025, është prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Dialogun Ndërfetar.
Imzot José Nahum Jairo Salas Castañeda lindi më 11 korrik 1978 në Santa Clara, Shteti i Durangos (Meksikë). U shugurua meshtar më 4 dhjetor 2008, duke u inkardinuar në Kryedioqezën e Durangos. U diplomua, më pas, në të Drejtën Kanonike pranë Universitetit Papnor Lateran në Romë. Pasi hyri në shërbimin diplomatik të Selisë së Shenjtë më 1 korrik 2013, shërbeu në Përfaqësitë diplomatike Papnore në Burundi (2013-2016), Irak (2016-2019) dhe Hungari (2019-2023), duke marrë pjesë edhe në organizimin e dy Udhëtimeve Apostolike të Papës Françesku në shtator 2021 - me rastin e Kongresit të 52-të Ndërkombëtar Eukaristik - dhe në prill 2023.
Që nga 1 korriku 2023 është Zyrtar i Seksionit për Çështjet e Përgjithshme të Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, ku ishte edhe në rolin e Kryetarit të Zyrës Qendrore të Statistikave të Kishës për redaktimin e Vjetarit Papnor dhe dixhitalizimin e tij të ardhshëm.