MAP

Kardinali Pietro Parolin, Sekretari i Shtetit të Vatikanit Kardinali Pietro Parolin, Sekretari i Shtetit të Vatikanit

Borxhi ekologjik, Kard. Parolin: "E padrejtë, mospërputhja e Veriut me Jugun e botës"

Me rastin e Jubileut të qeveritarëve dhe administratorëve, dje në Romë u zhvillua një takim për të reflektuar mbi pabarazinë ndërmjet konsumit të burimeve të Tokës dhe dëmit klimatik, që prek veçanërisht vendet e varfra. Kardinali Sekretar i Shtetit të Vatikanit: "Angazhimi për të zvogëluar ndikimin ambiental është edhe një mënyrë për të përballuar borxhin financiar. E nevojshme të ndryshohet arkitektura financiare ndërkombëtare".

R.SH. / Vatikan

"Për fat të keq, duhet të vërejmë se konteksti aktual shqetësues historik karakterizohet nga shumë mosmarrëveshje, shumë plagë të shkaktuara nga urrejtja, dhuna, paragjykimet, frika nga diversiteti, nga paradigma ekonomike që shfrytëzon burimet e Tokës dhe i lë mënjanë më të varfrit". Sekretari i Shtetit të Selisë së Shenjtë, Kardinali Pietro Parolin, zgjodhi një fragment nga homelia e Meshës të papnisë së Leonit XIV në fillim të fjalimit të tij të mbajtur mbrëmë, më 21 qershor, në Romë, gjatë takimit mbi temën "Borxhi Ekologjik", si pjesë e Jubileut të Guvernatorëve dhe Administratorëve.

Përpara një audience të madhe përfaqësuesish të qeverive të ardhur nga vende të ndryshme të botës dhe administratorësh vendas italianë, mbledhur në Sallën Giulio Cesare, në Campidoglio, në Romë, Kard. Parolin theksoi faktin se sot, më shumë se kurrë, vërejmë “një paaftësi të fortë për t’i dëgjuar të tjerët, për të parë mundësitë e mëdha që na hapen me aktin e thjeshtë të bashkëpunimit, për të bashkëvepruar me respekt të anasjelltë dhe me vetëdije të përgjegjshme se gjithçka është e ndërlidhur”. Prandaj, një domosdoshmëri po bëhet gjithnjë e më urgjente: “Ndërtimi i një bote të re, në të cilën mbretëron paqja!”. Ky, objektivi sfidues, por në të njëjtën kohë edhe stimulues, që është para nesh, për realizimin e të cilit sigurisht nuk ka mungesë mjetesh. Ajo që na duhet është ‘vështrimi i ri’ drejt një ‘bote të re’, të aftë të lexojë me kujdes sfidat e edhe ato ‘shenja të kohërave’ që mund të kontribuojnë për paqen, duke nxitur dialogun shoqëror e duke rizbuluar kështu ndër to, atë shpresë për të cilën na nxit Spes non confundit.

Ndryshimi i perspektivës

Për Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, qendërsia e fjalës dhe thelbi i mesazhit ungjillor “janë me thjeshtësi absolute në bazë të paqes së Krishtit të Ngjallur, një paqeje të çarmatosur dhe çarmatosëse, të përvuajtur e këmbëngulëse. Vjen nga Zoti, Zoti që na do të gjithëve pa kushte”- kujtoi duke cituar përsëri Leonin XIV. Ndërsa duke u ndaluar tek çështja e borxhit ekologjik, theksoi se përfaqëson “shpërpjesëtimin e padrejtë të dëmit mjedisor shkaktuar nga kombet më të pasura, kryesisht në veriun global, dhe vuajtjeve të pësuara nga kombet më të varfra, në jugun global. Angazhimi për të zvogëluar ndikimin mjedisor është gjithashtu mënyrë për të reduktuar borxhin financiar. E nevojshme, të ndryshohet arkitektura financiare ndërkombëtare. Jo vetëm duke inseruar klauzola, që marrin në konsideratë në borxh ndryshimin e klimës, por edhe duke riformuluar ndjeshëm sistemin financiar”.

Fuqi të forta, të vjetra dhe të reja

Duke u ndaluar mbi këtë pikë, Kardinali Parolin theksoi se “ata që vendosin normat e interesit dhe çmimin e monedhave, janë bankat qendrore dhe fondet financiare private; rregullat që përcaktojnë kontratat janë ato të vendeve ku ndodhen bursat”. "Ndërhyrjet me paketa mbështetjeje financiare vijnë nga huadhënësit e fundit, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, aksionistët kryesorë të të cilëve janë vendet kreditore", shtoi kard. Parolin, "e madje edhe financat private ndërhyjnë 'për të shpëtuar' vendet debitore, por me fonde spekulative. Korniza e përbashkët për ristrukturimin e borxhit të krijuar nuk po funksionon, sepse përfaqëson të njëjtat pushtete të forta, të vjetra dhe të reja, e jo popullatat".

Politika duhet të dëgjojë më shumë

Takimi u kryesua nga senatori italian Pier Ferdinando Casini, president nderi i Unionit Ndërparlamentar Italian, i cili i kërkoi bashkësisë ndërkombëtare t’i dëgjojë dhe t’i vërë në praktikë fjalët e Papës, që bën thirrje për "detyrën e mbrojtjes të së mirës së përbashkët”. Kjo është ajo që duhet të bëjë politika e mirë, për të promovuar shpërndarjen e drejtë të burimeve". Në përshëndetjet e tij institucionale, kryetari i bashkisë së Romës, Roberto Gualtieri, argumentoi se "koncepti i borxhit ekologjik tregon përgjegjësinë që vendet e përparuara kanë ndaj vendeve në zhvillim". Në të njëjtën gjatësi vale ishte Francesco Rocca, President i Rajonit të Lacios, Itali, i cili gjatë përshëndetjes së shkurtër argumentoi se "kur dëshiron të bësh politikë të lartë, mund ta bësh vetëm duke dëgjuar më të varfrit: ne kemi nevojë për një rikuperim të rolit politik, që di ta ndërpresë shqetësimin"- theksoi.

Evropa duhet të jetë në vijën e parë

Ndërmjet atyre që morën fjalën, ishte edhe ish-kryeministri italian Mario Monti, senator i përjetshëm i cili, duke zgjeruar vështrimin e tij, kujtoi se zgjidhja e problemeve të pabarazisë ndërmjet Veriut dhe Jugut të botës mund të piqet brenda Evropës së vjetër. Ajo, kujtoi, "përfaqëson një formacion vendesh me demokraci liberale, të provuar dhe të bazuar mbi sundimin e ligjit".

22 qershor 2025, 16:36