MAP

Imzot Ettore Balestrero, Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë organizatave ndërkombëtare në Gjenevë Imzot Ettore Balestrero, Vëzhgues i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë organizatave ndërkombëtare në Gjenevë

Imzot Balestrero: kombinimi i lirisë së shprehjes me angazhimin për të vërtetën

Në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së, në Gjenevë, Dialogu Interaktiv me Raportuesin e Posaçëm për Lirinë e Mendimit, ishte rast për të diskutuar mbi temën "liria e shprehjes dhe zgjedhjet në epokën dixhitale". Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë: "Informacioni transparent dhe faktik është themelor për të ruajtur legjitimitetin dhe integritetin e proceseve demokratike".

R.SH. / Vatikan

"Vetëm popujt e informuar mund të bëjnë zgjedhje të lira". Fraza e shqiptuar nga Papa Leoni XIV në takimin me përfaqësuesit e medias, më 12 majin e kaluar, u citua nga Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera ndërkombëtare me seli në Gjenevë, Kryeipeshkvi imzot Ettore Balestrero, gjatë hapjes së fjalimit të tij në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së, me temë "Liria e shprehjes dhe zgjedhjet në epokën dixhitale". "E drejta e lirisë së shprehjes është themelore, pasi u lejon njerëzve t’i diskutojnë lirisht pikëpamjet dhe mendimet e tyre, si dhe të japin e të marrin informacion për të mbështetur procesin e vendimmarrjes gjatë zgjedhjeve", vuri në dukje Imzot Balestrero, duke theksuar se Selia e Shenjtë e konsideron pjesëmarrjen në politikë, siç shkruan Papa Françesku në thirrjen apostolike Evangelii Gaudium, "një nga format më të larta të bamirësisë, pasi i shërben të mirës së përbashkët".

Përdorimi i teknologjive të reja

Shumë njerëz sot mund ta bëjnë zërin e tyre të dëgjohet përmes mediave sociale: "Përdorimi i teknologjive të reja në epokën dixhitale mund të kontribuojë pozitivisht në lirinë e shprehjes gjatë periudhave zgjedhore", vërejti Prelati, duke vënë në dukje, nga ana tjetër, rreziqet e "kushtëzimit"prej të njëjtave mjete, si në nivelin politik, ashtu edhe në atë shoqëror. Rritjen e mundësive të ndërlidhjes dhe të përhapjes së ideve - siç shkruan Papa Benedikti XVI në enciklikën Caritas in Veritate - nuk e ndjek  promovimi i lirisë dhe i demokracisë për të gjithë". Respekti për dinjitetin e secilit duhet të mbetet qendror. “E drejta e lirisë së shprehjes përfshin, së dyti, përgjegjësinë për çdo njeri, që e ushtron atë, jo vetëm për profesionistët e komunikimit”, deklaroi gjithashtu Imzot Balestrero, duke vënë në dukje se “shpejtësia e shpërndarjes së informacionit shpesh e tejkalon aftësinë tonë për reflektim dhe gjykim”, kështu që “edhe aftësia për dallim” është e nevojshme në shpërndarjen e përmbajtjes në platformat dixhitale, në mënyrë që të “kontribuohet pozitivisht në të mirën e përbashkët”.

Promovimi i dialogut gjithëpërfshirës

Sipas vëzhguesit të përhershëm të Selisë së Shenjtë, përveç tjerash, “ekziston edhe nevoja për të kultivuar mjedise dixhitale, që e lehtësojnë dialogun e hapur e gjithëpërfshirës, ​​duke u mbrojtur nga përpjekjet për të censuruar, ose për  të fshirë pikëpamje të caktuara, veçanërisht pikëpamjet e rrënjosura në bindjet fetare dhe morale. Pikëpamjet fetare - saktësoi ai - janë kontribut jetik në diskutimin demokratik, ndërsa ka një përjashtim në rritje të pikëpamjeve fetare dhe të grupeve fetare, veçanërisht atyre që lidhen me Krishterimin, madje edhe në kombet që e konsiderojnë veten spiranca të tolerancës”.

“Së fundmi, në epokën dixhitale ekziston një nevojë urgjente për të rikthyer angazhimin ndaj së vërtetës”, deklaroi Vëzhguesi i Selisë së Shenjtë, imzot Balestrero, që vuri në dukje se teknologjitë janë një nga fushat më të ekspozuara ndaj dezinformimit, ndërsa “informacioni transparent dhe faktik është themelor për të ruajtur legjitimitetin dhe integritetin e proceseve demokratike”.

Sepse - siç e kujtoi Papa Leoni XIV duke folur para diplomatëve të akredituar në Selinë e Shenjtë, më 16 majin e kaluar - “vetëm e vërteta mund të na bashkojë dhe të na lejojë të ballafaqohemi më vendosmërisht me sfidat e kohës sonë!

20 qershor 2025, 18:29