Papa konfirmon Atë Ielpo si Kujdestar të ri të Tokës së Shenjtë
R. SH. / Vatikan
Papa Leoni XIV ka konfirmuar zgjedhjen e Atë Francesco Ielpo, O.F.M., si Kujdestar i Tokës së Shenjtë dhe Rojtar i Malit Sion, që u bë nga Ministri i Përgjithshëm i Urdhrit Françeskan të Vëllezërve të Vegjël me Këshillin (Definitoriumin) e tij.
Një mision i gjatë
Atë Ielpo është 54 vjeç, ka lindur në Lauria, në provincën e Potenza-s, Itali, më 18 maj 1970. Hyn në kuvendin e françeskanëve gjatë periudhës së studimeve universitare, bën kushtet solemne të jetës rregulltare në Urdhrin Françeskan të Vëllezërve të Vegjël në vitin 1998; në vitin 2000 u shugurua meshtar. Shumë detyra i janë besuar detyra si: mësues feje deri në vitin 2010; nga viti 2000 Rektor i Institutit Franciscanum Luzzago në Brescia; definitor provincial i Provincës së Lombardisë për tre vjet deri në vitin 2010; famullitar i Shën Antonit të Padovës në Varese (2010-2013). Nga shtatori 2013 deri në vitin 2016 ka qenë Komisar i Tokës së Shenjtë i Lombardisë, duke vazhduar detyrën nga viti 2016 deri në vitin 2023 për Provincën e Italisë Veriore. Nga viti 2014 është anëtar i Këshillit Drejtues të Shoqatës Pro Terra Sancta. Nga viti 2022 është president i Fondacionit Terra Santa, delegat i Kujdestarisë së Tokës së Shenjtë për Italinë, delegat i Përgjithshëm për ristrukturimin e Provincave në Campania, Basilicata dhe Calabria.
“Një disproporcion i madh”
Në një deklaratë për mediat e Vatikanit, Atë Ielpo theksoi se “shërbimi që Urdhri Françeskan dhe Kisha më kërkuan, menjëherë, më bëri të ndjej disproporcionin e madh ndërmjet personit tim të mjerë dhe detyrës që më kërkohet, veçanërisht në momentin aktual historik”. “Ati shpirtëror më tha: ‘është i bukur ky disproporcion, kjo mosqenie e aftë! Sepse do të thotë se ka hapësirë që të veprojë dikush tjetër, që të veprojë Shpirti Shenjt Zot!’. Prandaj, ashtu si në ditën e Kushteve të mia rregulltare ndër françeskanë - përfundoi ai - edhe tani ia besoj veten Zotit, Kishës, Urdhrit tim dhe vëllezërve të mi françeskanë!”