Pamje e re për faqen institucionale të internetit të Selisë së Shenjtë
R.SH. – Vatikan
Një sfond i kaltërt si qielli dhe Papa Leoni XIV, që përshëndet besimtarët, duke buzëqeshur. Pastaj, tonet e ngrohta të travertinit (lloj mermeri). Qielli dhe toka. Gur dhe thellësi. Kështu paraqitet faqja e re institucionale e Selisë së Shenjtë, vatican.va, dritare me një grafikë më moderne, e cila i orienton vizitorët drejt dokumenteve të magjisterit të Papës dhe të paraardhësve të tij, si edhe përmban një gamë të gjerë informacionesh mbi botën e Vatikanit. Faqja është bërë publike nga dhjetori i vitit 1995 e, për gati 30 vjet, ka qenë dritarja nga e cila bota mund të shohë Selinë e Shenjtë.
Puna e ekipit editorial dhe teknik
Ndryshimi i faqes kryesore është pjesë e një pune të gjatë editoriale dhe zhvillimore, strukturuar në faza të ndryshme me qëllim transferimin e trashëgimisë së madhe historike të faqes në një portal të rinovuar. Ekipi Editorial kujdeset për dokumentacionin institucional dhe garanton hyrjen e përdoruesve në të gjithë përmbajtjen, ndërsa Ekipi Teknik i Dikasterit vatikanas për Komunikimin zhvilloi strukturën e faqes, duke i dhënë jetë projektit të grafik dizajnerit peruvian Juan Carlos Yto (TMB_Lab), ish-student i grupit të parë të programit Faith Communication in the Digital World.
Përqafimi i Kishës në botën dixhitale
“Duhet të përfaqësojë përqafimin e Kishës në botën dixhitale”: kjo e frymëzoi Juan Carlos-in në hartimin e grafikës së re, që ndoqi “frymën dhe formën eliptike të Sheshit të Shën Pjetrit”, menduar nga arkitekti i famshëm italian Gian Lorenzo Bernini: “një Kishë me krahë hapur”, që e përqafon gjithë botën edhenë kohët moderne. “Ngjyrat – sqaron Juan Carlos – frymëzohen nga e kaltërta e qiellit romak, e cila bën bukur kontrast me tonet e ngrohta të travertinit. Qielli dhe toka. Guri dhe thellësia. Theksime ngjyrë ari të hyjnisë, gri e hapur dhe e bardhë për të dhënë dritë. Fotografi më të mëdha dhe më të spikatura në faqen kryesore, për të treguar një Kishë të gjallë dhe vazhdimisht në lëvizje”.