Nikea, paraqitet dokumenti për 1700-vjetorin e Koncilit të parë Ekumenik
R.SH. / Vatikan
“Nikea ishte një koncil ekumenik në kuptimin e zanafillës së termit, në të cilin do të merrnin pjesë ipeshkvij nga të katër anët e botës”. Zgjedhja e qytetit kishte kuptim gjeografik, domethënë lehtësi shtegtimi. E do të bëhej më pas thirrje për bashkim të brendshëm, në mënyrë që uniteti në thelb të sillte gëzim dhe të forconte".
Kardinali Víctor Manuel Fernández, Prefekt i Dikasterit për Doktrinën e Fesë dhe Kryetar i Komisionit Teologjik Ndërkombëtar, gjatë fjalës së tij të hapjes në ditën e studimit për paraqitjen e dokumentit "Jezu Krishti, Biri i Hyjit, Shëlbuesi. 1700- vjetori i Koncilit Ekumenik të Nikesë”, që u zhvillua në Universitetin Papnor Urbanian, deshi ta kujtonte kështu qytetin e Azisë së Vogël i cili, duke nisur nga data e largët 20 maj 325, priti Koncilin I Ekumenik në histori.
Diskutim i hapur
Dokumenti - i redaktuar pas disa vitesh pune nga Komisioni Teologjik Ndërkombëtar, jo vetëm për të kremtuar 1700-vjetorin e asaj ngjarjeje të jashtëzakonshme, por edhe për të vënë në pah burimet që Kredoja (Besojma), e lindur pikërisht në këtë kontekst, i shpalli, i ruajti dhe i nxori rishtas në dritë, që atëherë e deri më sot - u diskutua nga disa ekspertë dhe teologë: nga Imzot Piero Coda, Sekretar i Përgjithshëm i Komisionit Teologjik Ndërkombëtar - tek Ipeshkvi Ndihmës i Kryedioqezës së São Sebastião do Rio de Janeiro, Imzot Antônio Luiz Catelan Ferreira; nga Ati Philippe Vallin, doktor i teologjisë në Francë - tek Imzot Mario Ángel Flores Ramos, prift dhe teolog meksikan; nga profesoresha austriake e teologjisë Marianne Schlosser - tek Imzot Etienne Emmanuel Vetö, ndihmësipeshkv i kryedioqezës franceze të Reimsit; nga teologu gjerman, Ati Karl-Heinz Menke - tek ai libanez, Ati Gaby Alfred Hachem.
Përmasa ekumenike
Duke përsëritur disa pyetje, që Papa Françesku ia pati bërë Kardinalit Fernández lidhur me dokumentin, Prefekti i Dikasterit për Doktrinën e Fesë kujtoi se arsyeja e parë që e kishte shtyrë Papën të "dëshironte një udhëtim në Nike për kremtimin e përvjetorit, ishte se Nikea përfaqëson një çast të fortë ekumenik, një shenjë uniteti për të krishterët e konfesioneve më të ndryshme, një trashëgimi të përbashkët, e cila bëhet e pranishme çdo të diel kur shpallet Besojma e fesë, që i bashkon të gjithë të krishterët. Ne e dimë se edhe Papa Leoni XIV kujdeset shumë për këtë shenjë bashkimi dhe e ka konfirmuar shtegtimin papnor në Nike".
E njëjta Kishë
Kardinali donte të vinte në dukje se këtë vit, përveç përvjetorit të Nikesë, festohet edhe tridhjetëvjetori i enciklikës së parë ekumenike titulluar Ut unum sint: “E, duke u kthyer në këtë pikë, Papa Françesku pati kujtuar: “Ndonëse nuk mund të themi se me të gjithë të krishterët formojmë të njëjtën Kishë, edhe nga respekti për ta, gjithsesi mund të rizbulohemi si e vetmja “Bashkësi e dishepujve të Krishtit”. Në vetëdijen e Kishës Katolike ekziston bindja se është Kishë origjinale e themeluar nga Krishti, që ekziston në të. Por kjo bindje nuk e përjashton faktin që, nga një këndvështrim tjetër, mund të flasim për të vetmen “Bashkësi të dishepujve të Krishtit” që formojmë së bashku me të gjithë ata që e pranojnë dhe e duan Atë si njeri të vërtetë dhe si Birin e vetëm të Atit.
Hir dhe dritë
Të kujtosh Koncilin e Nikesë, në një kontekst kompleks, kur polikrizat po e vënë në provë të gjithë botën, e cila shpesh duket se po ndjek rrugë pa kthim, për Kishën do të thotë hir e thirrje, shpjegoi Imzot Piero Coda, Sekretar i Përgjithshëm i Komisionit Teologjik Ndërkombëtar, gjatë fjalës së tij: “Akreditohet plotësisht, ndërsa ne e përqendrojmë vëmendjen tonë mbi të për të shqyrtuar kuptimin dhe fushëveprimin, si kairós i një thirrjeje: për ta dëshmuar dhe për ta çmuar me besnikëri krijuese, me vizion profetik, me mprehtësi historike, në të gjitha nivelet - duke filluar nga "të menduarit" e realitetit për të marrë përsipër ruajtjen - e asaj Drite që në Nike ndriçoi "syrin e shenjtnueshëm të ekumenës", siç shkroi Shën Grigor Teologu në kremtimin e Koncilit të Nikesë së pari - dhe në pritjen e kundërshtuar të Simbolit të tij, më pas”.
Kontributi aktual
Dokumenti, që u hartua nga Komisioni Teologjik Ndërkombëtar, ofron një kontribut bindës pikërisht në këtë drejtim - shtoi ai - duke theksuar se teksti propozon “të niset nga ekspertiza e tij specifike dhe të nxjerrë në pah ‘burimet’ e jashtëzakonshme dhe të pamohueshme të përqendruara në Besojmën Nikea-Kostandinopojane, një adresë e saktë përgjigjeje ndaj shumë kërkesave që i drejtohen teologjisë nga anë të ndryshme në lidhje me atë që njerëzimi po jeton sot”. Këto janë kërkesa që, në fund të fundit, mund të shihen të përmbledhura në “dëshirën” që Papa Françesku ua besoi pjesëmarrësve në Kongresin Ndërkombëtar mbi të ardhmen e teologjisë, më 9 dhjetor të vitit të kaluar, me nismën e Dikasterit për Kulturë dhe Edukim: domethënë, që teologjia të ndihmojë për të ripërcaktuar mendimin.
Marrëdhënie tërheqëse
Punimet e ditës intensive të studimit, e cila filloi në mëngjes me një përshëndetje të shkurtër nga Profesor Vincenzo Bonomo, Rektori i Madh i Universitetit Papnor Urbanian, u shpalosën përmes relacioneve të ndryshme mbi tema që ngjallën reflektim të thellë, të tilla si ato mbi studimin e thelluar të letrave të dërguara nga Eusebi i Nikomedisë drejtuar Ariusit në lidhje me çështjet e sinodalitetit në kontekstin e Koncilit të Nikesë, mbi aktualitetin e teologjisë së Origjenit të pranishme në Kristologjinë e Nikesë dhe mbi mbrojtjen e vetëzbulesës kenotike të Atit të Jezu Krishtit në mbrojtjen e fesë të të vegjëlve, për të përmendur vetëm disa.
Sintezë e çmuar
Siç e përsëriti, së fundmi, vetë Komisioni Teologjik Ndërkombëtar, dokumenti i paraqitur në këtë ditë studimi "sigurisht nuk dëshiron të jetë tekst i thjeshtë i teologjisë akademike, por propozohet si sintezë e çmuar dhe në kohën e duhur, që mund të shoqërojë në mënyrë të dobishme thellimin e fesë dhe dëshminë e saj në jetën e bashkësisë së krishterë".