MAP

2020.03.11 L'elezione di Papa Francesco 13 marzo 2013

Nga Konklavi, tek zgjedhja e Papës së ri

Termi Konklav rrjedh nga latinishtja "cum clavis", do të thotë “vend i mbyllur me çelës” ku kardinajtë takohen për të zgjedhur Papën e ri, pasardhësin e 267-të të Pjetrit, në fshehtësi dhe pa asnjë mundësi për të kontaktuar me botën e jashtme. Strehimi është vendosur në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Mbeten vetëm pak ditë deri në fillimin e Konklavit, ndaj pritja për Papën e ri po shtohet. "Populli i Zotit" do ta njohë emrin e tij falë tymit të bardhë dalë nga oxhaku i Kapelës Sikstine

R.SH. / Vatikan

Pritja për zgjedhjen e Papës së ri po shtohet. Më 2 maj, siç është zakon kur afrohet Konklavi, oxhaku u montua në çatinë e Kapelës Sikstine. Në pritje të tymit…E ky është një nga çastet më prekëse, që do të na shoqërojë gjatë periudhës së Konklavit, deri në zgjedhjen e Papës së ri, pasardhësit të 267-të të Pjetrit.

Nga ai oxhak bota do të mësojë të rejat për zgjedhjet, ndërsa pritja fillon që tani, duke qenë se Konklavi është tejet i afërt: do të nisë më 7 maj në orën 10:00, me meshën “Pro eligendo Pontifice” dhe hyrjen e kardinajve në Kapelën Sikstine me procesion, në orën 16:30.

Pastaj betimi dhe “extra omnes” (jashtë të gjithë) shqiptuar nga Kryetari i Ceremonive, Imzot. Diego Ravelli.

Tymi i bardhë do të jetë shenja se Krishterimi ka një Prijës të ri.

Nga oxhaku i ngritur sot në çatinë e Kapelës Sistine, bota – përmes tymit – do ta dijë se kur do të zgjidhet Papa i ri.

Kardinajtë. Pas vdekjes së Papës, Kolegji i Kardinajve, gjatë Kongregacioneve të Përgjithshme, vendos datën e Konklavit për zgjedhjen e Papës së ri, që do të mbahet ndërmjet pesëmbëdhjetë dhe njëzet ditëve në Vatikan, në Kapelën Sikstine.

Termi Konklav rrjedh nga latinishtja "cum clavis", që do të thotë  vend i mbyllur ku kardinajtë takohen për të zgjedhur Papën e ri, në fshehtësi dhe pa asnjë mundësi për të kontaktuar me botën e jashtme. Strehimi është vendosur në Shtëpinë e Shën Martës, zgjedhur si streha e Papës Françesku për dymbëdhjetë vjetët e papnisë së Tij.

Votimi. Me Kushtetutën që hyri në fuqi në vitin 1996, Universi Dominici Gregis, Gjon Pali II shfuqizoi dy nga tri metodat tradicionale të votimit. Emërimi me brohoritje unanime nga Kolegji i Kardinajve dhe zgjedhja me kompromis nuk janë më të mundshme, domethënë, Kolegji kishtar nuk mund t'ia besojë më vendimin një grupi Zgjedhësish të Mëdhenj (të përbërë nga 9 deri në 15 kardinaj). Sot, për të zgjedhur Papën, kërkohet një shumicë e kualifikuar (dy të tretat) e votave nga të gjithë kardinajtë.

Me Letrën Apostolike De aliquibus mutationibus in normis de electione Romani Pontificis, të 11 qershorit 2007, Benedikti XVI rivendosi normën,  sanksionuar nga tradita, sipas së cilës për zgjedhjen e vlefshme të Papës Romak "kërkohet gjithmonë një shumicë prej dy të tretash të votave të kardinajve zgjedhës të pranishëm", për të gjitha fletët e votimit dhe pavarësisht nga kohëzgjatja e Konklavit. Aktualisht janë 133 kardinaj të kualifikuar për fronin papnor, pas dhjetë Koncistorëve thirrur nga Papa Françesku në dymbëdhjetë vjet papnie. Prandaj, nevojiten 89 vota të kardinajve për t'u zgjedhur pasardhës i Pjetrit. Dy kardinaj lajmëruan  se do të mungojnë në konklav për arsye shëndetësore: janë kardinajtë Cantonio Cañizares Llovera dhe John Njue.

Tymet. Për votimin e parë, kardinajtë shkruajnë emrin e kandidatit të tyre në një fletë votimi, e palosin dhe e vendosin në një kupë. Pastaj numërohen fletët e votimit dhe shpallen rezultatet. Nëse askush nuk merr shumicën e kërkuar (dy të tretat e votave), fletët e votimit digjen, duke prodhuar tym të zi, që i tregon botës se zgjedhjet nuk janë zhvilluar ende dhe se do të thirret votimi i ri. Në votimet, nga të cilat del emri i Papës së ri, fletët e votimit digjen me kashtë të thatë, gjë që krijon tymin e bardhë klasik

Zgjedhja dhe pranimi. Pasi të jetë arritur rezultati për zgjedhjen kanonikisht të vlefshme të Papës së ri, kardinali dekan - në këtë rast presidenti i asamblesë, i cili është Kardinali Re - i drejtohet atij me pyetjen: "A e pranon zgjedhjen tënde kanonike si Papë?". E, pas  përgjigjes së parë, vjen pyetja tjetër: “Me çfarë emri dëshironi t’ju thërrasin?”.  Pas kësaj ceremonie të shkurtër në Kapelën Sikstine, bëhet djegia e fletëvotimeve dhe tymi, i bardhë nëse është bërë pranimi, shoqërohet me tingullin e kambanave. Në atë pikë, Papa i ri shkon në të ashtuquajturën “Dhoma e Lotëve”, për të veshur rrobat papnore dhe kthehet në Kapelën Sikstine, ku zhvillohet një ceremoni tjetër e vogël, me një lutje, me leximin e një fragmenti nga Ungjilli, që zakonisht lidhet me shërbesën e Pjetrit, dhe një lutje tjetër, në të cilën hyjnë si aktorë i pari i Urdhrit të Diakonëve, i pari i Urdhrit të Presbiterëve dhe i pari i Urdhrit të Ipeshkvijve. Akti i nderimit dhe i bindjes së kardinajve ndaj pasardhësit të ri të Pjetrit vijon, përsëri në Kapelën Sikstine.

Paraqitja dhe “Urbi et orbi” i parë.

Papa i ri, i sapozgjedhur, ndërsa largohet nga Kapela Sikstine pas aktit të nderimit të kardinajve, për të shkuar në Lozhë, kalon nëpër Kapelën Pauline dhe thotë një lutje të shkurtër e të heshtur personale para të Shenjtnueshmit Sakrament. Pastaj rifillon ecjen dhe duket në Lozhën e Bekimeve për të përshëndetur turmën në Sheshin e Shën Pjetrit dhe për të dhënë bekimin e parë "Urbi et Orbi"“Romës dhe Botës”

Me këtë rast, protodiakoni, aktualisht Kardinal Dominique Mamberti, ka për detyrë t’i shpallë botës, nga lozha e bekimit të Bazilikës së Shën Pjetrit, frazën tejet të famshme “Habemus Papam”, ndjekur nga emri i Papës së ri. Me atë rast, protodiakoni shpall edhe faljen e mëkateve, si bëhet për Pashkë e për Krishtlindje. Njoftimi pasohet nga takimi i parë i Ipeshkvit të ri të Romës me popullin e tij që, nga zgjedhja e Gjon Palit II, kanë pasur një ceremoni të veçantë lidhur me këtë çast. Çka nuk ndryshon, është se Papa i ri duket nga lozha dhe jep bekimin e tij të parë “Urbi et Orbi”.

05 maj 2025, 14:58