ÐÓMAPµ¼º½

2025.03.18 Cupola di San Pietro

Më se 200 delegacione nga e gjithë bota, në Meshën për fillimin e Papnisë së Leonit XIV

Do të jenë të pranishëm anëtarë të familjes mbretërore, krerë shtetesh dhe qeverish, si dhe delegacione ekumenike dhe fetare të tjera. Përpara Meshës, Leoni XIV do t’i përshëndesë besimtarët duke kaluar nëpër Sheshin e Shën Pjetrit me një xhip. Kardinalët e zgjedhur për ritin e vendosjes së Palliumit dhe dorëzimin e Unazës së Peshkatarit, vijnë nga kontinente të ndryshme

R.SH. / Vatikan

200 delegacione nga e gjithë bota do të marrin pjesë nesër, të dielën, 18 maj, në Meshën për fillimin e Shërbesës Pjetrine të Ipeshkvit të Romës, Leoni XIV. Për Italinë do të jenë, ndër të tjerë, Presidenti i Republikës, Sergio Mattarella, dhe Kryeministrja, Giorgia Meloni. Nga Peruja, Presidentja e Republikës Dina Ercilia Boluarte Zegarra, që përfaqëson Shtetet e Bashkuara, Zëvendëspresidenti James David Vance dhe Sekretari i Shtetit Marco Antonio Rubio. Ndër krerët e tjerë të shteteve, presidentët e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, Izraelit, Isaac Herzog, Libanit, Joseph Aoun , Polonisë, Andrzej Duda, Shqipërisë Bajram Begaj, Kosovës Vjosa Osmani – Sadriu. Ndër sovranët në fuqi, Mbretërit e Spanjës Felipe dhe Letizia, të Belgjikës Philip dhe Mathilde, Princi i Monakos Albert me gruan e tij Charlene. Të pranishme, edhe Presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen dhe Presidentja e Parlamentit Evropian Roberta Metsola. Në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan do të jetë gjithashtu edhe Princi Edward i Edinburgut.

Do të jenë të pranishëm në rit edhe delegacione ekumenike dhe përfaqësues të feve të tjera.

Një orë para Meshës, në orën 9:00, Papa Leoni XIV do të niset me xhip nga Piazzale Petriano e, nga Arco delle Campane, do të hyjë në Sheshin e Shën Pjetrit, duke kaluar nëpër grupet e ndryshme për t’i përshëndetur të gjithë të pranishmit.

Fillimi i papnisë të Leonit XIV, liturgji solemne me rite e  simbole

Me kremtimin e së dielës, më 18 maj, fillon zyrtarisht shërbesa papnore e Robert Francis Prevost. Riti thekson lidhjen e Tij me Apostullin Pjetër.

Për ritin e vendosjes së Palliumit dhe dorëzimit të Unazës së Peshkatarit, janë zgjedhur tre kardinalë nga kontinente të ndryshme, siç tregohet nga rendi i shërbimit të Meshës i hartuar nga Zyra e Kremtimeve Liturgjike: Kardinali francez Dominique Mamberti, i urdhrit të diakonëve, do t'ia vërë Palliumin Papës. Kardinali Fridolin Ambongo Besungu, i Republikës Demokratike të Kongos, që i përket urdhrit të presbiterëve, do të kërkojë me një lutje të veçantë praninë dhe ndihmën e Zotit mbi Pasardhësin e Pjetrit. Kardinali filipinas Luis Antonio Gokim Tagle, i urdhrit të ipeshkvijve, do t'i dhurojë Papës Unazën e Peshkatarit.

Kardinalët Frank Leo (Kanada), Jaime Spengler (Brazil) dhe John Ribat (Papua Guinea e Re) u zgjodhën për Ritin e Bindjes. Në ritin e bindjes do të marrin pjesë edhe ipeshkvi i Callao-s (Peru), Imzot Luis Alberto Barrera Pacheco, një meshtar, një diakon, 2 rregulltarë: Motra Oonah O’Shea, eprore e përgjithshme e murgeshave të Notre Dame de Sion dhe presidente e Unionit Ndërkombëtar të Eprorëve të Përgjithshëm, dhe Eprori gjeneral i Jezuitëve Arturo Sosa, pastaj një çift i martuar dhe 2 të rinj.

Në fund të kremtimit, Papa do të ndalet përpara Altarit të Rrëfimit për të përshëndetur delegacionet zyrtare.

17 maj 2025, 17:04