杏MAP导航

K?rko

Leoni XIV e Kisha, “tharm” i unitetit dhe i dashuris?

Fjal?t e homelis? s? Ipeshkvit t? Rom?s, i cili fillon t’u sh?rbej? v?llez?rve t? tij

Andrea Tornielli

“U zgjodha pa asnjë meritë e, me frikë e dridhje, vij tek ju si vëlla që dëshiron të bëhet shërbëtor i fesë dhe i gëzimit tuaj, duke ecur me ju në rrugën e dashurisë së Zotit, i cili na do të gjithëve të bashkuar në një familje të vetme”. Kështu e paraqet veten Papa Leoni XIV, ipeshkëv misionar, nip emigrantësh, Ipeshkvi i 267-të i Romës. Fjalët e thjeshta dhe të thella të homelisë së Meshës për fillimin e shërbesës së tij, përfaqësojnë një program, i cili na flet për një tjetërsi e një stil.

Tjetërsi, sepse në botën tonë, kaq të munduar nga luftërat, urrejtja, dhuna, përçarjet, fjala e përvuajtur e Pasardhësit të Pjetrit shpall Ungjillin e dashurisë, të unitetit, të dhembshurisë, të vëllazërisë, të një Zoti që na dëshiron si një familje e vetme. Tjetërsi, sepse synon të japë dëshmi dashurie, dialogu, mirëkuptimi, të mposhtë urrejtjen e luftën, që fillojnë në zemrën e njeriut, si kur rrëmben armët kundër vëllait të tij, ashtu edhe kur e kryqëzon me arrogancën e fjalëve, që plagosin si gurë.

Është stil, sepse Leoni kujtoi se shërbesa e Pjetrit duhet të jetë servus servorum Dei. Shërbesa e tij është dashuri dhe dhurim i jetës për vëllezërit: “Kisha e Romës kryeson në bamirësi e autoriteti i saj i vërtetë është bamirësia e Krishtit”. Prandaj, nuk bëhet kurrë fjalë për "kapjen e të tjerëve nëpërmjet shtypjes, propagandës fetare apo mjeteve të pushtetit", siç tundohemi ta bëjmë në çdo epokë, nëpërmjet kolateralizmit, strukturave, protagonizmit, marketingut fetar, strategjive të studiuara në tryezë. Në vend të kësaj, bëhet fjalë “gjithmonë dhe vetëm për të dashur, siç donte Jezusi”. Për këtë arsye, Pjetri “duhet ta kullosë grigjën pa iu dorëzuar kurrë tundimit për të qenë prijës i vetmuar ose kryetar mbi të tjerët, duke u bërë padron i popullit, që iu besua”. Përkundrazi, atij i kërkohet të dojë më shumë. I “kërkohet t’i shërbejë fesë së vëllezërve të tij, duke ecur së bashku me ta”.

Me këto fjalët e fundit mund ta kuptojmë ikonën e Bariut të Mirë, që Papa Françesku e pati propozuar kaq shumë herë. Është  figura e bariut që i prin grigjës, për ta udhëhequr; që rri në mjedis të grigjës për ta shoqëruar, pa u ndjerë epror a i ndarë; e edhe pas grigjës, për t'u siguruar që asnjë të mos humbasë dhe për të qenë në gjendje të mbledhë të fundmit, më të lodhurit nga ecja.

Ipeshkvi misionar, që sot ulet në Katedrën e Pjetrit, na fton të shpallim Ungjillin e dashurisë, “pa u mbyllur në grupin tonë të vogël a pa u ndjerë superiorë ndaj botës”. Kisha është popull mëkatarësh të falur, gjithmonë nevojtare për mëshirë, që pikërisht për këtë arsye duhet të “vaksinohen” kundër çdo kompleksi superioriteti, si ndjekës të një Zoti që zgjodhi rrugën e ligështisë dhe e uli veten aq, sa pranoi të vdiste në kryq për të na shpëtuar.

“Jemi të thirrur t’ua dhurojmë dashurinë e Zotit të gjithëve”, tha Papa Leoni, “për të qenë, në brumin e botës, “tharm uniteti, bashkësie, vëllazërie”, për t’i drejtuar sytë larg e për t’u takuar me pyetjet, ankthet e sfidat e ditëve tona”.

18 maj 2025, 12:49