杏MAP导航

K?rko

LEONI XIV - Homelia n? Kremtimin Eukaristik p?r Fillimin e Sh?rbes?s s? Sh?n Pjetrit

U zgjodha pa asnj? merit? e, me frik? e duke u dridhur, vij tek ju si v?lla q? d?shiron t? jet? sh?rb?tor i fes? dhe i g?zimit tuaj, duke ecur me ju n? rrug?n e dashuris? s? Zotit, i cili na d?shiron t? gjith?ve t? bashkuar n? nj? familje e vetme. N? k?t? koh?n ton?, ne shohim ende shum? mosmarr?veshje, shum? plag? t? shkaktuara nga urrejtja, dhuna, paragjykimet, frika nga ata q? jan? t? ndrysh?m dhe paradigma ekonomike, q? shfryt?zon burimet e Tok?s dhe m? t? varfrit.

R.SH. / Vatikan

LEONI XIV - Homelia në Kremtimin Eukaristik për Fillimin e Shërbesës së Shën Pjetrit

E DIEL, 18 MAJ 2025

 

Të dashur vëllezër Kardinalë,

Vëllezër në ipeshkvi dhe në meshtari,

Autoritete të shquara dhe anëtarë të Trupit Diplomatik,

një përshëndetje shtegtarëve, që kanë ardhur me rastin e Jubileut të Vëllazërive,

vëllezër e motra!

Ju përshëndes të gjithëve me zemrën plot mirënjohje, në fillim të shërbesës që m’u besua. Shën Augustini shkroi: “Na bëre për vete, o Zot, e zemra jonë nuk ka paqe, derisa të pushojnë në ty” (Rrëfimet, 1, 1.1).

Gjatë këtyre ditëve të fundit, jetuam një periudhë veçanërisht intensive. Vdekja e Papës Françesku na i mbushi zemrat me trishtim dhe, në ato orë të vështira, ndiheshim si ato turmat për të cilat Ungjilli thotë se ishin “si delet pa bari” (Mt 9, 36). Megjithatë, ditën e Pashkëve morëm bekimin e tij të fundit dhe, në dritën e Ngjalljes së Jezu Krishtit, e përballuam këtë çast, me sigurinë se Zoti nuk e braktis kurrë popullin e vet, e mbledh kur është i shpërndarë dhe “e ruan  ashtu si bariu ruan grigjën e tij” (Jer 31, 10).

Në këtë frymë feje, Kolegji i Kardinalëve u mblodh për Konklavin; duke ardhur nga histori dhe rrugë të ndryshme, e lamë në dorë Zotit dëshirën për të zgjedhur pasardhësin e ri të Pjetrit, Ipeshkvin e Romës, një bari të aftë për të ruajtur trashëgiminë e pasur të fesë së krishterë dhe, njëkohësisht, për të parë larg përpara, për t'u përballuar me pyetjet, shqetësimet dhe sfidat e sotme. Të shoqëruar nga lutjet tuaja, ndjemë veprën e Shpirtit Shenjt, që ishte në gjendje të akordonte instrumentet e ndryshme muzikore, duke bërë që telat e zemrave tona të kumbojnë në një melodi të vetme.

U zgjodha pa asnjë meritë e, me frikë e duke u dridhur, vij tek ju si vëlla që dëshiron të jetë shërbëtor i fesë dhe i gëzimit tuaj, duke ecur me ju në rrugën e dashurisë së Zotit, i cili na do të gjithëve të bashkuar në një familje e vetme.

  (@Vatican Media)

Dashuri dhe unitet: këto janë dy përmasat e misionit që Jezusi ia besoi Pjetrit.

Na e tregon fragmenti i Ungjillit, i cili na çon në Liqenin e Tiberiadës, i njëjti vend ku Jezusi filloi misionin që mori nga Ati: të “peshkonte” njerëzimin, për ta shpëtuar nga ujërat e së keqes dhe të vdekjes. Duke kaluar përgjatë bregut të atij liqeni, Ai i thirri Pjetrin dhe dishepujt e tjerë, që të ishin si Ai “peshkatarë njerëzish”; e tani, pas ringjalljes, u takon pikërisht atyre ta vazhdojnë këtë mision, të hedhin rrjetën përsëri e përsëri për ta zhytur shpresën e Ungjillit në ujërat e botës, e për të lundruar në detin e jetës në mënyrë që të gjithë të mund të gjejnë veten në përqafimin e Zotit.

Si mund ta kryejë Pjetri këtë detyrë? Ungjilli na tregon se kjo është e mundur vetëm sepse dikush e ka jetuar në jetën e vet dashurinë e pafundme dhe të pakushtëzuar të Zotit, madje edhe në orën e dështimit dhe të mohimit. Për këtë arsye, kur Jezusi i drejtohet Pjetrit, Ungjilli përdor foljen greke agapao, e cila tregon dashurinë që Hyji ka për ne, flijimit të vetvetes pa rezerva dhe pa llogaritje, të ndryshme nga ajo që përdoret për përgjigjen e Pjetrit, e cila në vend të kësaj, përshkruan dashurinë e miqësisë, që e shkëmbejmë ndërmjet nesh.

Kur Jezusi e pyet Pjetrin: “Simon, bir i Gjonit, a më do ti mua?” (Gjn 21,16), pra, flet për dashurinë e Atit. Është sikur Jezusi po i thoshte: vetëm nëse e njohe dhe e përjetove këtë dashuri të Zotit, e cila nuk shuhet kurrë, do të jesh në gjendje t’i kullotësh qengjat e mi; vetëm në dashurinë e Zotit Atë do të jeni në gjendje t’i doni vëllezërit tuaj me diçka “më shumë”, domethënë duke ofruar jetën për vëllezërit.

  (@Vatican Media)

Prandaj, Pjetrit iu besua detyra që “të dojë më shumë” dhe të japë jetën për grigjën. Shërbesa e Pjetrit karakterizohet pikërisht nga kjo dashuri vetëmohuese, sepse Kisha e Romës kryeson në bamirësi dhe autoriteti i saj i vërtetë është bamirësia e Krishtit. Nuk ka të bëjë kurrë me arritjen e kapjen e të tjerëve nëpërmjet shtypjes, propagandës fetare apo mjeteve të pushtetit, por ka të bëjë gjithmonë dhe vetëm me dashurinë, siç bëri Jezusi.

Jezusi - thotë vetë Apostulli Pjetër – “është guri që ju, ndërtuesit, e flakët tutje,  e që u bë guri i qoshes” (Vap 4, 11). E nëse guri është Krishti, Pjetri duhet ta kullosë grigjën pa iu dorëzuar kurrë tundimit për të qenë një udhëheqës i vetëm ose një kryetar mbi të tjerët, duke e bërë veten zotërues të njerëzve që i janë besuar (shih 1 Pj 5,3); përkundrazi, atij i kërkohet t’i shërbejë fesë së vëllezërve të tij, duke ecur së bashku me ta: kur të gjithë të jemi bërë “gurë të gjallë” (1 Pj 2, 5), të thirrur me Pagëzimin tonë për të ndërtuar ngrehinën e Zotit në bashkim vëllazëror, në harmoninë e Shpirtit, në bashkëjetesën e larmisë. Siç pohon Shën Augustini: “Kisha përbëhet nga të gjithë ata që janë në harmoni me vëllezërit dhe që e duan të afërmin e tyre” (Diskursi 359, 9).

Kjo, vëllezër e motra, do të doja të ishte dëshira jonë e parë e madhe: një Kishë e bashkuar, shenjë uniteti dhe bashkësie, që bëhet shujtë për një botë të pajtuar.

  (@Vatican Media)

Në këtë kohën tonë, ne shohim ende shumë mosmarrëveshje, shumë plagë të shkaktuara nga urrejtja, dhuna, paragjykimet, frika nga ata që janë të ndryshëm dhe paradigma ekonomike, që shfrytëzon burimet e Tokës dhe më të varfrit. E ne duam të jemi, brenda këtij brumi, një maja e vogël uniteti, bashkësie, vëllazërie. Duam t’i themi botës, me përvujtëri dhe gëzim: shikojeni Krishtin! Afrohuni më shumë tek Ai! Mirëpriteni Fjalën e tij që ndriçon e ngushëllon! Dëgjojeni propozimin e tij të dashurisë për t’u bërë familja e tij e vetme: në të vetmin Krisht ne jemi një. Dhe kjo është rruga që duhet të ndjekim së bashku, ndërmjet nesh, por edhe me Kishat e krishtera simotra, me ata që ndjekin rrugë të tjera fetare, me ata që kultivojnë shqetësimin e kërkimit të Zotit, me të gjitha gratë dhe burrat vullnetmirë, për të ndërtuar një botë të re, në të cilën mbretëron paqja.

Kjo është fryma misionare që duhet të na frymëzojë, pa u mbyllur në grupin tonë të vogël a pa u ndjerë mbi botën; jemi të thirrur t’ua ofrojmë dashurinë e Zotit të gjithëve, në mënyrë që të arrihet një unitet i cili nuk i zhduk dallimet, por përkundrazi, e pasuron historinë personale të çdo njeriu dhe kulturën shoqërore e fetare të çdo populli.

Vëllezër, motra, kjo është ora e dashurisë! Dashuria Bamirëse e Zotit që na bën vëllezër ndërmjet nesh, është zemra e Ungjillit dhe, me paraardhësin tim Leoni XIII, sot mund ta pyesim veten: nëse ky kriter "mbizotëronte në botë, a nuk do të pushonin menjëherë të gjitha mosmarrëveshjet dhe a nuk do të kthehej ndoshta paqja?" (Letra enciklike Rerum novarum, 21).

  (@Vatican Media)

Me dritën dhe forcën e Shpirtit Shenjt, le të ndërtojmë një Kishë të themeluar mbi dashurinë e Zotit, shenjë uniteti, një Kishë misionare që ia hap krahët botës, që shpall Fjalën, që lejon veten të shqetësohet nga historia dhe që bëhet majà harmonie për njerëzimin.

Së bashku, si një popull i vetëm, si vëllezër të gjithë, të ecim drejt Zotit dhe ta duam njëri-tjetrin.

18 maj 2025, 12:11