Kardi. Parolin në OKB: Leoni XIV na fton të përqafojmë "diplomacinë e takimit"
R.SH. – Vatikan
Selia e Shenjtë, nën udhëheqjen e Leonit XIV, angazhohet të punojë krah për krah me përfaqësuesit e kombeve "për të promovuar dinjitetin njerëzor, për të mbrojtur të pambrojturit dhe për të ndërtuar ura aty ku përndryshe mund të mbizotërojë mosbesimi". Këtë e thekson dje, më 19 maj, sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, në një fjalim në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, gjatë një pritjeje me rastin e zgjedhjes së Papës Prevost, organizuar nga Vëzhguesi i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë OKBsë, imzot Gabriele Caccia.
Zgjedhja e një Papë të ri është një rast i volitshëm "për ripërtëritje, jo vetëm për katolikët, por për të gjithë ata që kërkojnë një botë me më shumë drejtësi, solidaritet dhe paqe", tha kardinali Parolin. Ai shpreson që Selia e Shenjtë dhe përfaqësuesit e kombeve të mund të shkojnë "përpara së bashku, të frymëzuar nga shpresa dhe vizioni i Papës Leon", i cili tashmë "në ditët e tij të para si Pasardhës i shën Pjetrit, ka shprehur angazhimin e tij të thellë për të ndërtuar ura, duke theksuar nevojën për t'u takuar, dialoguar dhe negociuar". "Ne, së bashku, jemi të thirrur t'i përgjigjemi propozimit të Atit të Shenjtë dhe të bëhemi ata që mbjellin paqen, që do të mbesin në histori, jo ata që do të korrin viktima", është ftesa e kardinalit Parolin, i cili citon një fjalim të fundit të Leonit XIV.
Ndërtimi i një diplomacie takimi
Në një botë "të shënuar nga ndarjet, konfliktet dhe problemet urgjente globale - nga ndryshimet klimatike te migrimi, te inteligjenca artificiale", Papa i ri, vazhdon Sekretari i Shtetit të Vatikanit, "na thërret të përqafojmë një diplomaci takimi". Kjo do të thotë një diplomaci "që dëgjon me përulësi, vepron me dhembshuri dhe kërkon të mirën e përbashkët mbi çdo gjë". Prandaj, vazhdon Kardinali Parolin, "Selia e Shenjtë rikonfirmon mbështetjen e saj të palëkundur ndaj misionit të Kombeve të Bashkuara" në mënyrë që të jetë "një forum ku shtetet angazhohen në dialog, duke nxjerrë në pah zërat e popujve të tyre, dhe ku krijohen zgjidhje për sfidat më të mëdha të njerëzimit".
Vatikani, përfundon Sekretari i Shtetit të Selisë së Shenjtë, vlerëson gjithashtu edhe rolin e rëndësishëm të diplomatëve dhe të përfaqësuesve të kombeve në "thurjen e pëlhurës së bashkëpunimit ndërkombëtar" dhe "promovimin e paqes dhe drejtësisë, shpesh përballë kompleksiteteve të mëdha". Selia e Shenjtë, në linjë me Papën, dëshiron gjithashtu të vazhdojë të kontribuojë në këtë mision, duke ofruar "zërin e saj moral në mbrojtje të të varfërve dhe nevojtarëve, dhe në ndjekjen e paqes dhe zhvillimit të plotë njerëzor".