MAP

 Kardinali Leonardo Ulrich Steiner, Kryeipeshkëv i Manausit Kardinali Leonardo Ulrich Steiner, Kryeipeshkëv i Manausit

Kard. Steiner: në Konklav, dashuria e të gjithë Kishës, vazhdoftë sinodaliteti dhe ekologjia

Kardinali brazilian Steiner regon përvojën e zgjedhjes papnore dhe shpreh besimin për një “Kishë samaritane, Kishë e të varfërve, që di të mendojë për Shtëpinë e përbashkët”. Shpreson edhe se Leoni XIV do të ndjekë të njëjtën rrugë, që e ndoqi vendosmërisht Françesku, i cili nuk humbi kurrënjë rast për të pyetur se si jetonin njerëzit në Amazonë: "Duhet të punojmë për t’i siguruar më shumë Sakramentet në këtë rajon; kumtimi duhet bërë lutje dhe bukë".

R.SH. / Vatikan

Përvojë e frymëzimit universal të Shpirtit. Kështu e komentoi, për mediat e Vatikanit, Kardinali Leonardo Ulrich Steiner, Kryeipeshkëv i Manausit, pjesëmarrjen e tij në Konklavin që zgjodhi Leonin XIV, përvojën misionare të të cilit ai e vlerëson shumë. Aspekt që, sipas tij, duke ecur në gjurmët e paraardhësit, Françeskut, do t’i japë papnisë të njëtën masë vëmendjeje ndaj të varfërve dhe kujdesit për shtëpinë tonë të përbashkët.

Duam të jemi Kishë misionare, e vëmendshme ndaj të varfërve

Shtatë kardinalë brazilianë morën pjesë në Konklav, duke përfaqësuar të gjitha rajonet e vendit latinoamerikan. “Përvoja më e thellë, që më preku më shumë, ishte se ndjehemi e jemi  Kishë”, pohon kardinali Steiner, i cili rrëfen se kurrë nuk e kishte menduar që një ditë do të ishte në gjendje të merrte pjesë në një vendim kaq të rëndësishëm. "Të këndoje Litaninë e të gjithë Shenjtorëve gjatë procesionit ndërmjet Kapelës së Shën Palit dhe Kapelës Sikstine ishte tejet prekëse: të mendoje se e gjithë Kisha ishte atje, jo vetëm bashkësitë që luteshin për ne, në mënyrë që Shpirti Shenjt të na ndriçonte mendje e zemra".

Ndërsa këndonim Veni Creator Eja, o Krijues, perceptimi ishte i një hapësire kishtare "aq të zgjeruar" saqë ndjenja e përkatësisë ndaj Kishës universale ishte tejet e fortë dhe e prekshme. "U mblodhëm të gjithë në shërbim të zgjedhjes së Papës, e tani duam, me Leonin XIV, të ecim të gjithë përpara si Kishë. Do ta bëjmë këtë në Amazonë, me të, sepse Kisha jonë dëshiron të jetë misionare", këmbëngul ai. Fakti që Prevost ka përgatitjen e një ipeshkvi misionar, Steinerit i duket si premisë e shkëlqyer për një magjister që nuk do t’i lërë pas dore më të brishtët, të varfrit: "Ne duam të jemi një Kishë Samaritane, një Kishë e të varfërve. Një Kishë që di të mendojë për shtëpinë e përbashkët, ekologjinë integrale që ecën në shpresën e Mbretërisë së Zotit".

Po Amazona?

Duke vazhduar të ecë në gjurmët e Françeskut, i lidhur ngushtë me Amazonën, Kardinali Steiner kujton dashurinë që Papa Françesku pati gjithmonë për këtë Vend, aq shumë, sa kur të dy u takuan, Bergoglio - i cili kërkoi një Sinod të posaçëm kushtuar Rajonit Panamazonik në vitin 2019 - e pyeti menjëherë: "Po Amazona?". "Vërtetë kishte lidhje shumë të thellë", kujton kardinali Steiner, "donte të dinte se si po shkonin gjërat. Më telefonoi në kohën e Covid-it, kur po jetonim një situatë shumë serioze, pa oksigjen as në spitale. Kërkoi informacion. Ishte i vëmendshëm, shumë i shqetësuar për Kishën, që donte të ishte vërtet mikpritëse, të ishte Kishë komunitare".

Kardinali Steiner është i bindur se Papa Leone do të ketë të njëjtin kujdes, të njëtën vëmendje: "Nuk mund të harrojmë se vjen nga misioni. E se rajoni i Amazonës është  rajon misionar". Për më tepër, Brazili do të presë Cop-30 nëntorin e ardhshëm dhe shpresat se udhëheqësit botërorë do të kenë parasysh nevojat e njerëzve që jetojnë këtu, janë shumë të forta për Kishën vendase.

Populli i Amazonës ka nevojë për dikë, që t'u japë Sakramentet

Së fundi, ndër ëndrrat e Kardinalit Steiner është ajo e "vazhdimit të jemi Kisha sinodale që jemi". Ndonëse jeton në këtë zonë të botës vetëm prej pesë vjetësh - thekson - e kupton se përvoja e sinodalitetit “është tashmë histori, është bërë tashmë histori”. Rruga e ndjekur nga laikët për të marrë pjesë në jetën komunitare, vëren ai, ka filluar prej pesëdhjetë vjetësh.

"Ëndrra tjetër është që bashkësitë tona të kenë mundësinë ta kremtojnë Eukaristinë disa herë. Ne kemi 1,300 bashkësi në kryedioqezë, me 173 meshtarë. Shumica jetojnë në qytetin Manaus, i cili ka 2 milionë e 300 mijë banorë. Varfëria është e konsiderueshme.

Si ta sjellim Eukaristinë?

"Besoj se një ditë, si Kishë, duhet ta përballojmë këtë çështje", shton kardinali Steiner. "Kremtimi i Fjalës së Zotit është gjë e bukur dhe e thellë, por ne duhet të kremtojmë Sakramentet. Nuk mund të ndodhë që një bashkësi të mos i ketë ato disa herë. Ne jemi katër ipeshkvij dhe përpiqemi të kremtojmë Krezmimet, për shembull, por këto duhet të kremtohen në bashkësitë, jo jashtë tyre". Shpresa e tij, pra, është që të mund të ecë në rrugën e shënuar nga Papa Françesku i cili - thekson kardinali brazilian- pati këmbëngulur në këtë pikë: kumtimi duhet të bëhet lutje dhe bukë.

16 maj 2025, 15:32