Jubileu i Vëllazërive, rreth 100 mijë besimtarë në Romë
R.SH. – Vatikan
Rreth 100.000 besimtarë, në Romë, për Jubileun e Vëllazërive, i cili filloi sot, 16 maj, e do të vazhdojë deri të dielën, 18 maj. Shtegtarët kanë ardhur nga 100 vende prej të gjitha kontinenteve, por grupet më të mëdha janë nga Italia, Spanja, SHBA-të, Malta, Franca dhe Brazili. Vëllazëri të shumta kishtare vijnë edhe nga Meksika, Argjentina, Kolumbia, Polonia, Mbretëria e Bashkuar, Portugalia, Gjermania, Republika Çeke, Kanadaja, India, Indonezia, Filipinet, Kili, Etiopia, Australia, Zelanda e Re.
Çfarë janë vëllazëritë fetare
Kujtojmë se Vëllazëritë janë shoqata publike besimtarësh të Kishës Katolike, që bashkohen mbi bazën e profesionit e të përshpirtërisë e kanë për qëllim ndihmën gjatë liturgjisë, si edhe shtimin e kultit publik fetar e ushtrimin e veprave të bamirësisë, të pendesës e katekizmit. Edhe në Shqipëri ka pasur vëllazëri, siç mund të shihet nga dokumentet. Ato ekzistuan me hope gjatë kohës së pushtimit turk për t’u zhdukur krejtësisht gjatë komunizmit. Për shembull, në kohën e qeverisjes së Pashallëkut të Shkodrës nga Bushatllinjtë, ndërmjet dhjetë vëllazërive të regjistruara, gjendet edhe vëllazëria e Zojës së Këshillit të Mirë, me datë themelimi 28 shkurtin e vitit 1779.
Takimi në Shën Gjonin në Lateran
Ndërkaq sot, nga ora 8.00 deri në orën 17.00, anëtarët e Vëllazërive kapërcyen Portat e Shenjta të Bazilikave Papnore. Në orën 17.00, takimi me Vëllazëritë e Romës në një takim të madh në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran. Gjatë kësaj ngjarjeje, i veçantë, çasti i lutjes, me këngë të korit dioqezan, drejtuar nga imzot Marco Frisina, pastaj, dëshmitë dhe përshëndetjet e delegacioneve të Vëllazërive Evropiane, që ndodhen aktualisht në Romë për këtë Jubile.
Procesioni i Madh
Të shtunën, më 17 maj, duke filluar nga ora 14.00, do të zhvillohet i ashtuquajturi “Procesion i Madh” nëpër rrugët e qendrës së Romës, ku do të përfaqësohen të gjitha realitetet popullore të fesë në Evropë dhe në gjithë botën. Në veçanti, për herë të parë, do të jenë në Romë dy nga shtatoret më të nderuara të kortezheve të famshme procesionale të “Semana Santa” andaluziane: “Santísimo Cristo de la Expiración” i njohur më mirë si “El Cristo del Cachorro” i Seviljes, kryevepër e barokut andaluzian të vitit 1682, gati 2 metra i lartë dhe i transportuar në procesion mbi një bazë, që ka nevojë për 42 bartës; shtatorja tjetër është “Virgjëra e Shpresës” e Malagës, tejet e nderuar, vendosur mbi një bazë me përmasa madhështore dhe e transportuar nga 270 vetë. Dy shtatoret ekspozohen në Bazilikën e Shën Pjetrit nga 13 deri më 17 maj. “Procesion i Madh” do të strukturohet në dy rrugë, që do të “takohen” simbolikisht në Circo Massimo, nën hijen e Romës së lashtë.
Takimi me Papën
Të dielën, më 18 maj, në përfundim të Jubileut, anëtarët e Vëllazërive do të marrin pjesë, me veshje tradicionale, në kremtimin e meshës për fillimin e shërbesës pjetrine të Papës Leoni XIV, në orën 10.30, në Sheshin e Shën Pjetrit.