Jubileu i familjeve, fëmijëve, gjyshërve, të moshuarve: priten më shumë se 60 mijë shtegtarë
R.SH. / Vatikan
Do të jenë tri ditë shumë të pasura me ngjarje dhe propozime, të shënuara nga momente lutjeje, reflektimi, feste dhe ndarjeje, ato të Jubileut të familjeve, fëmijëve, gjyshërve dhe të moshuarve, nga e premtja 30 maj deri të dielën 1 qershor 2025. Ngjarja jubilare do të sjellë në Romë mbi 60 mijë besimtarë nga 120 vende të të gjitha kontinenteve.
Në veçanti, grupet më të mëdha të shtegtarëve do të vijnë nga Italia, Spanja, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Polonia dhe Portugalia. Shumë shtegtarë do të mbërrijnë në Romë edhe nga Brazili, Argjentina, Kolumbia, Meksika, Mbretëria e Bashkuar, Zvicra, Gjermania, Kanadaja, Rumania, Filipinet, Kili. Do të përfaqësohen gjithashtu shumë dioqeza, shoqata dhe lëvizje, ndër të cilat veçanërisht grupet e mëdha të përfshira nga Agesci, Azione Cattolica Italiana, Komunitetet Neokatekumenale, UNITALSI, Catholic Grandparents Association, Lëvizja Françeskane, Lëvizja e Fokolarëve, dhe shumë realitete të tjera kishtare italiane dhe ndërkombëtare që shoqërojnë rritjen njerëzore dhe shpirtërore të familjeve.
Programi i së premtes dhe të shtunës
Dita e parë jubilare, e premte 30 maj, do të shohë ndërmjet orës 8 dhe 17 shtegtimet në Portat e Shenjta të Bazilikave Papnore në Romë. Më pas do të vazhdohet duke filluar nga ora 10 me "Dialogët me qytetin", pra ngjarje me karakter kulturor, artistik dhe shpirtëror në sheshet e qendrës historike të Romës, të animuara nga institucione, shoqata dhe lëvizje të ndryshme të lidhura me pastoralin familjar, ndër të cilat Komiteti Papnor i Ditës Botërore të Fëmijëve, Shoqata Familjet për Mirëpritje, Nonno Banter 57 APS - Lojëra Rrugëve, Muzat e Arkimedit, Komuniteti i Emanuelit. Të gjitha detajet mbi sheshet dhe aktivitetet mund të konsultohen në faqen e internetit të Jubileut.
Të shtunën më 31 maj, shtegtimi nëpër Dyert e Shenjta do të vazhdojë nga ora 8:00 deri në 17:00. Megjithatë, për shkak të nevojave organizative të Bazilikës së Vatikanit, Porta e Shenjtë e Bazilikës së Shën Pjetrit nuk do të jetë e aksesueshme nga ora 8:00 deri në 14:00 të shtunën. Dita, nga ora 9:30 deri në 17:30, do të animohet sërish me momente feste dhe thellimi me "Dialogët me qytetin", dhe do të përfshihen Qendra e Oratorëve Romakë (COR), Veprimi Katolik Italian, Shoqata CHARIS (Rinovimi Karizmatik Katolik), Rruga Neokatekumenale, Komuniteti i Shën Egjidit, Family Global Compact, rrjeti ndërkombëtar i shoqatave familjare, si dhe Le Muse di Archimede dhe Nonno Banter 57 APS - Lojëra Rruge.
"Festa e Familjes" dhe vigjilja e lutjes
E shtuna do të jetojë momentin e saj më intensiv në orët e vona të pasdites, nga ora 18.30 deri në 20.00, në Sheshin San Giovanni in Laterano, në Romë, me "Festën e Familjes" dhe vigjiljen e lutjes gjatë së cilës do të recitohet Rruzarja në përfundim të muajit marian kushtuar nderimit të Zojës Mari. Momenti i festës, me shumë muzikë dhe dëshmi, do të ofrojë dëshmi të angazhimit dhe përvoja të ndryshme në favor të familjes.
Mesha me Papën të dielën
Me rastin e kësaj ngjarjeje të Jubileut kushtuar familjeve, fëmijëve, gjyshërve, të moshuarve, në hyrjet e Sheshit San Giovanni, në Romë, pjesëmarrësve do t'u shpërndahen 10 mijë kopje të edicionit të ri të "Biblës së Fëmijëve", nga Fondacioni Papnor "Ndihmë Kishës që Vuaj", në pesë gjuhë (italisht, anglisht, spanjisht, frëngjisht dhe portugalisht).
Në përfundim të Jubileut, të dielën më 1 qershor në orën 10:30 në Sheshin Shën Pjetrit në Vatikan, Papa Leoni XIV do të kryesojë kremtimin Eukaristik ku do të marrin pjesë mijëra fëmijë dhe familje nga e gjithë bota. Hyrja në shesh është e lirë dhe për kremtimin nuk nevojiten bileta.