MAP

Imzot Vincenzo Paglia në fjalimin e tij në Kili (Konferenca Episkopale Kiliane) Imzot Vincenzo Paglia në fjalimin e tij në Kili (Konferenca Episkopale Kiliane)

Imzot Paglia: jam 80 vjeç, mandati im si president i Akademisë Papnore për Jetën përfundon

Në një intervistë për gazetën italiane "La Stampa", prelati flet për përfundimin e shërbimit të tij në krye të Akademisë Papnore për Jetën: është praktikë e zakonshme në Kurien Romake, që të gjitha detyrat skadojnë kur mbush 80 vjeç.

R.SH. / Vatikan

Imzot Vinçenco Paglia kohët e fundit u kthye nga një konferencë ndërkombëtare në Argjentinë, gjatë së cilës theksoi se jeta e njeriut duhet mbrojtur gjithmonë, në çdo fazë të saj. Dhe tani përfundon një dekadë pune si drejtues kryesor i Akademisë Papnore për Jetën (PAV), detyrë të cilën Papa Françesku ia besoi në gusht të vitit 2016, pohon ai në një intervistë të botuar dje në të përditshmen italiane "La Stampa".

Papa Françesku më kishte kërkuar të vazhdoja”

Pak ditë më parë, kardinali Baldassare Reina zëvendësoi monsinjor Paglian në detyrën e kancelarit të madh të Institutit Papnor Teologjik Gjon Pali II për Shkencat e Martesës dhe Familjes. “Është praktika e zakonshme në Kurien Romake. Pasi mbushin 80 vjeç – shpjegon prelati për gazetën italiane "La Stampa" – të gjitha detyrat skadojnë. Unë i mbusha 80 vjet në ditën kur vdiq Papa Françesku dhe situata bëri që njoftimi të vonohej. Natyrisht – thekson imzot Paglia – përfundon edhe mandati si president i Akademisë Papnore për Jetën”. Monsinjor Paglia shton gjithashtu se “që në moshën 75-vjeçare, si të gjithë”, ai i kishte paraqitur dorëheqjen e tij Papa Françeskut, “i cili më tha të vazhdoja deri në moshën 80-vjeçare”.

Bota po rrënohet, vëllazëria mes popujve është urgjente

Në konferencën ndërkombëtare të organizuar nga Universiteti Katolik i Buenos Airesit për 10-vjetorin e enciklikës Laudato si’, monsinjor Paglia tha se kishte folur për bioetikën, duke ripohuar "po-në për mbrojtjen e jetës së njeriut në të gjitha kontekstet, në të gjitha fazat dhe në të gjitha moshat". Në një botë "që po shpërbëhet", Paglia kujton se sot ekziston urgjenca që "të gjithë të përshkojmë udhën drejt realizimit të një vëllazërie efektive si mes popujve, ashtu edhe me krijimin": nevojitet një "vizion i njerëzimit të paqësuar. Një humanizëm i ri. Rruga ekziston: një paqe e çarmatosur, çarmatosëse, e përulur, këmbëngulëse. Këto janë fjalë të shqiptuara më 8 maj nga Papa Leoni XIV. Le të na shërbejnë si udhërrëfyes dhe frymëzim”.

26 maj 2025, 15:26