Imzot Gallagher pret zëvendëspresidentin e Zimbabves
R.SH. / Vatikan
“Gjatë diskutimeve të përzemërta, u vunë në dukje marrëdhëniet e mira ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Zimbabves”. Kështu lexohet në njoftimin për shtyp të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, në të cilin flitet për takimin e sotëm, 3 maj, në Vatikan, të Gjeneralit Constantino Guveya, Dominic Nyikadzino Chiwenga, zëvendëspresident i shtetit afrikan me Imzot Paul Richard Gallagher, sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare.
Gjatë takimit u diskutuan edhe disa aspekte të situatës politike dhe socio-ekonomike të vendit, veçanërisht bashkëpunimi me Kishën në fushat e arsimit dhe të kujdesit shëndetësor. U shkëmbyen, në vijim, edhe opinione mbi temat me karakter rajonal dhe ndërkombëtar, duke theksuar rëndësinë e promovimit të dialogut dhe të pajtimit ndërmjet popujve.