Ukraina: Gallagher-Lavrov, bisedë telefonike për të ndaluar luftën
R.SH. / Vatikan
Sot, e premte, 4 prill, Kryeipeshkvi Paul R. Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare dhe Sergej Lavrov, Ministër i Punëve të Jashtme të Federatës Ruse, shkëmbyen një bisedë telefonike. Dialogu - njofton një Komunikatë e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë - iu kushtua kuadrit të përgjithshëm të politikës botërore, me vëmendje të veçantë për situatën e luftës në Ukrainë dhe disa nisma, që synojnë ndalimin e veprimeve luftarake.
U ripohua edhe gatishmëria e Selisë së Shenjtë për të vazhduar angazhimin humanitar në çështjet që kanë të bëjnë me shkëmbimin e të burgosurve, thuhet në notë. Së fundi, u shqyrtuan edhe disa çështje që kanë të bëjnë me jetën fetare e, në veçanti, me situatën e Kishës Katolike në Federatën Ruse.