Kard. Parolin: Gjon Pali II, shtegtar i palodhur, e bekoftë njerëzimin e sfilitur
R.SH. – Vatikan
I dashuruar me Jezu Krishtin, Shën Gjon Pali II "e konsideroi misterin e Mishërimit si qendër të historisë universale", aq sa bëri thirrje, që në homelinë e parë të papnisë: "Hapjani dykanatash portat Krishtit!... Vetëm Krishti e di se çfarë ka në zemrën e njeriut". Kjo bindje e fuqishme i dha mundësinë t'u drejtohej jo vetëm besimtarëve katolikë, por edhe gjithë popujve e qeverive, "që të bëheshin të vetëdijshëm për përgjegjësitë e tyre në mbrojtjen e drejtësisë, të dinjitetit të njeriut dhe të paqes". Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, i tha këto fjalë në homelinë e meshës së sotme, në 20-vjetorin e vdekjes së Papës Wojtyla, kremtuar në bazilikën e Shën Pjetrit. Kujtoi një nga tiparet kryesore të shenjtit: ishte profet i paqes.
Thirrjet profetike për paqen, shumë, të padëgjuara
Në praninë e besimtarëve të shumtë dhe autoriteteve, përfshirë kryeministren italiane Giorgia Meloni, kardinali Parolin kujtoi shërbimin e palodhur për paqen të Papës Gjon Pali II, “paralajmërimet e tij të zjarrta, nismat diplomatike për t'i dhënë fund luftës".
“E kjo, deri në çastet e fundit të jetës së tij, kur brishtësia e forcës fizike ishte tashmë e dukshme dhe pavarësisht se shumë nga thirrjet dhe paralajmërimet e tij, fatkeqësisht, mbetën të padëgjuara, siç ndodh edhe me profetët e mëdhenj”.
Përqafimi i tij plot dashuri për mbarë botën
Për këtë dëshmi të fuqishme e të gjallë, vazhdoi kardinali, sot, mund t'i drejtohemi si ndërmjetësues për të fituar "hirin hyjnor, që na nevojitet".
“Hir për udhën e Kishës, hir për shpëtimin e të gjitha qenieve njerëzore. Hir për të arritur vazhdimisht paqen brenda kombeve dhe ndërmjet tyre, në mënyrë që të ketë sërish kuptim të flitet për "familje popujsh" - siç bënte ai Papë i shenjtë, duke përqafuar me dashuri botën mbarë”.
Nga Udha e Kryqit te bekimi i fundit pa zë
Sekretari i Shtetit kujtoi Udhën e Kryqit në Koloseum, të Premten e Madhe të njëzet viteve më parë, "me lutjen e turmës së shoqëruar nga pamjet e Papës, që përqafonte kryqin në kapelën e tij" në Vatikan, deri tek dalja e tij në dritaren mbi Sheshin e Shën Pjetrit "për bekimin e Pashkëve, në pamundësi për të folur". Së fundi, pritja e gjithë Kishës dhe e një pjese të madhe të njerëzimit, “për takimin e Papës sonë të dashur me Zotin, në mbrëmje, në prag të së Dielës së Mëshirës”. E më pas, fluksi “në rritje, i pandalshëm, i paimagjinueshëm, plot dashuri dhe mirënjohje” i turmave, që u derdhën në Romë “për t’i dhënë lamtumirën e fundit tokësore Bariut të tyre të madh”.
Një jetë nën vështrimin e Zotit
Duke kujtuar kompozimin e fundit poetik të Gjon Palit II, Triptikun Romak të vitit 2003, kardinali Parolin nënvizoi faktin se shenjti polak diti ta interpretonte “gjithë realitetin, nga Krijimi deri te Gjykimi i Mbramë, në dritën e vështrimit të Zotit, si një vizion të Hyjit". Nuk ka dyshim, vazhdoi ai, "që e gjithë jeta dhe misioni i Papës Vojtila u zhvilluan në një transparencë të plotë e të vazhdueshme para syve të Zotit". Për këtë arsye, ai ndiente se nuk kishte asgjë për të fshehur dhe nuk kishte frikë nga shikimi i njerëzve.
“Sigurisht, këtu e ka bazën një nga themelet e guximit të jashtëzakonshëm dhe të qëndrueshmërisë në dëshminë e fesë së Gjon Palit II përpara njerëzve, në çdo situatë, gjatë gjithë jetës dhe gjatë gjithë kohëzgjatjes së jashtëzakonshme të papnisë së tij. Kurrë nuk u përpoq t’u pëlqente njerëzve, por Zotit. Jetoi para syve të Atij të Lumit”.
Provania Hyjnore e shpëtoi nga vdekja
Papa Gjon Pali II, kujtoi më pas Sekretari i Shtetit të Vatikanit, "e kuptonte se ishte i thirrur nga Zoti në jetë e në shërbimin e papnisë, por edhe se ndihmohej e mbrohej nga Ai në një mënyrë të jashtëzakonshme", si në rastin e atentatit në Sheshin e Shën Pjetrit, kur, siç shkruante në testamentin e tij: “Provania Hyjnore më shpëtoi mrekullisht nga vdekja… Hyji vetë ma zgjati këtë jetë, në një farë mënyre, ma dhuroi përsëri. Nga ky çast, ajo i përket edhe më shumë Atij”.
Shtegtar i palodhur, deri në skajet e Tokës
I përgatitur nga fjalët e kardinalit Wyszyński, ditën e zgjedhjes, me detyrën "për t’i prirë Kishës drejt Mijëvjeçarit e Tretë", Gjon Pali II, për kardinalin Parolin, në njëzet e gjashtë vitet "e papnisë së Tij të pafundme” shkeli deri në viset më të largta të planetit", shtegtar i palodhshëm” deri në kufijtë e Tokës” duke çuar atje kumtimin e Ungjillit të Jezusit.
Niseni me besim lundrimin, si “Kishë në dalje”
Sekretari i Shtetit të Vatikanit e quajti, më pas, Jubileun e Madh të Vitit 2000 "çast kulmor i ekzistencës së tij, pothuajse kurorëzim i përmbushjes së misionit", për t’u prirë të gjitha përmasave të realitetit, të Kishës dhe të veprimit njerëzor, "që të mund të gjejnë kuptimin e tyre në lidhje me Krishtin, të vetmin “Shëlbues të njeriut”. E, në ftesën e Papës Vojtila, në përfundim të Vitit Shenjt, "që anija e Kishës të rifillonte me besim lundrimin e saj në detin e Mijëvjeçarit të Tretë", gjeti fjalët që "jehojnë në ato të pasuesit të tij, Françeskut, edhe në këtë Jubile të ri.
"Ai na sheh si "Kishë në dalje", lundërtarë në ujëra të trazuara, por gjithnjë shtegtarë të shpresës në gurrat e mëshirës dhe të hirit, të udhëhequr nga pasardhësi i Pjetrit, i ndihmuar nga Shpirti Shenjt".
Së fundi, Kardinali Parolin nënvizoi se për Gjon Palin II, Atë konciliar “nga fillimi deri në ditën e fundit”, siç pati theksuar ai vetë, Koncili II i Vatikanit ishte “busulla e orientimit në shërbimin baritor universal, për Kishën dhe për mbarë njerëzimin”.
Bekona, që të njohim pasurinë e dashurisë së Zotit
Në përfundim, Parolin kujtoi fjalët e kardinalit Ratzinger, asokohe Dekan i Kolegjit të Kardinajve e pak ditë më vonë, pasardhësi i Papës Gjon Pali tij, në funeral, kur "interpretoi sigurinë e popullit për shenjtërinë e Papës së ndjerë, duke iu drejtuar drejtpërdrejt atij" që "duke parë nga dritarja e shtëpisë së Atit, na shikon e na bekon: “Po, na beko, o Atë i Shenjtë!”.
"Edhe ne sot, ashtu si shtegtarët e panumërt që vijnë në këtë Bazilikë pandërprerë duke i kërkuar ndërmjetësimin në altarin ku prehet trupi i tij, përsërisin: "Na beko, Ati i Shenjtë Gjon Pali II! Bekoje këtë Kishë të Zotit për udhë, që të jetë shtegtare shprese. Bekoje këtë njerëzim të copëtuar e të çorientuar, që të rinisë rrugën e dinjitetit dhe të thirrjes së tij më të lartë, e të njohë pasurinë e mëshirës, të dashurisë së Zotit!”.
Dziwisz: Ai na shikon nga lart dhe e mbështet Kishën mbarë
Në fillim të kremtimit, përshëndetja e kardinalit Stanislao Dziwisz, Kryeipeshkëv Nderi i Krakovit dhe sekretar personal i Papës Wojtyla, i cili shprehu ndjenjat e të gjithë besimtarëve, jo vetëm të atyre që ishin të pranishëm në Bazilikë. "Ne besojmë me vendosmëri se ai vetë po na shikon tani nga lart" - tha kardinali - "duke e mbështetur të gjithë Kishën në shtegtimin drejt amshimit". Këtë theksoi kardinali polak, për të kujtuar më pas se si në testament Gjon Pali II shpreh "besimin se Krishti do ta bënte vdekjen e tij 'të dobishme për kauzën më të rëndësishme së cilës kërkonte t'i shërbente’: shpëtimin e njerëzve, shpëtimin e familjes njerëzore dhe në të, shpëtimin e të gjithë kombeve dhe popujve [...], për çështjen e Kishës, për lavdinë e vetë Kishës'".
Në urimin e tij, Kardinali polak bëri thirrje për një lutje të njëzëshme kushtuar shëndetit të Papës Françesku, të bashkuar “shpirtërisht me ne” – kujtoi - që “Zoti t’i japë forcën e nevojshme për të udhëhequr Kishën shtegtare në këtë vit jubilar, në emër të shpresës, në këto kohë të vështira për Kishën dhe për botën”.
Lutja e fundit gjatë ecjes drejt varrit të Shën Gjon Palit II
Në përfundim të Meshës, pasi të pranishmit arritën me procesion te varri i Shën Gjon Palit II, në altarin e Shën Sebastianit, kremtuesit dhe autoritetet u lutën për ndërmjetësimin e Papës shenjt polak. Kardinali Dziwisz vendosi një qiri të ndezur mbi varr, ndërsa kardinali Baldo Reina, famullitar i Papës për dioqezën e Romës, lexoi këtë thirrje:
"Nga dritarja e qiellit na jep bekimin tënd! Bekoje Kishën që e deshe aq shumë dhe që i shërbeve me aq guxim në rrugët e botës. E dëgjojmë ende thirrjen tuaj të fuqishme: ‘Hapini, madje në dy kapakët, portat për Krishtin’. Na ndihmo, të lutemi, t'ia hapim edhe ne Jezusit derën e zemrave tona".