Kard. Parolin: njerëzimi, i sfilitur nga lufta dhe tirania e interesave personale
R.SH. – Vatikan
I sëmuri, që Jezusi e shëron në Jerusalem, është emblema e njerëzimit të sotëm, të sfilitur dhe të vuajtur, me "zemër të ngurtë", të cilën vetëm Krishti mund ta shërojë. Me këtë shëmbëlltyrë nga Ungjilli i ditës së sotme nga Gjoni (Gjn 5,1-16), Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, në homelinë e tij përshkroi gjendjen aktuale të botës dhe të Evropës në veçanti, në Meshën e kremtuar paraditen e sotme, 1 prill, në altarin e Katedrës së Bazilikës së Shën Pjetrit, me rastin e Asamblesë së dytë Sinodale të Kishës në Itali, e cila u hap dje me mesazhin e Papës Françesku.
“Ungjilli i sotëm na flet për një të sëmurë, skllav i një situate, që ishte bërë tashmë kronike. Duket imazhi i gjendjes në të cilën ndodhet sot njerëzimi e, edhe Evropa jonë. E prekur prej kohësh nga tirania e interesave personale, është paralizuar nga dinamikat e dhunës dhe të luftës, të cilat kanë pasoja absurde edhe në planin politik dhe ekonomik”.
“Dëshiron të shërohesh?”
Kardinali Parolin u përqendrua në sfidat e njerëzimit, i cili duhet të përballet me dështimet e tij, “nën çmendurinë e pushtetit, nga njëra anë dhe, i plagosur rëndë nga dhuna, nga ana tjetër”. Atëherë, rruga është kthimi te "fjalët e fuqishme të Jezu Krishtit".
“Dëshiron të shërohesh? Dëshiron vërtet të çlirohesh nga logjikat iluzore, që paralizojnë? – perifrazoi kardinali fjalët e Krishtit. – Sepse, para së gjithash, duhen vënë në lëvizje forcat e brendshme. Nëse po, atëherë çohu, merre barelën dhe ec. Pra, çliroje veten nga gjithçka që të pengon të lëvizësh drejt shërimit dhe paqes”.
Porta e shpëtimit
Porta Shenjte e këtij Viti kushtuar shpresës, nënvizoi më pas kardinali Parolin, duke iu referuar përvojës jubilare të pjesëmarrësve në asamble, është shenjë e Shëlbuesit të botës, që thotë: "Unë jam porta, nëse dikush hyn përmes meje, do të shpëtohet". Pikërisht për këtë arsye, edhe në këtë periudhë në të cilën Kisha përjeton fazën e tretë të Sinodit mbi sinodalitetin, të ashtuquajturën “profetike”, pra, të zbatimit në jetë të parimeve ungjillore, prelati këshilloi që për t’u shëruar nga plagët e kohës, të bazohemi në fjalën e Krishtit, në forcën hyjnore shpirtërore, pasi kështu, Jezu Krishti do të na japë energjitë për t’u ngritur sërish në këmbë. Besimtarët duhet të rizbulojnë hirin e Pagëzimit, që i aftëson për “t’i dhuruar botës së sëmurë fjalët përtëritëse për të cilat ka nevojë”.
“Ky burim i brendshëm, që banon në zemrën e Kishës dhe në zemrën e çdo besimtari është Krishti, Krishti që jeton në ne, burim i pashtershëm uji, që rrjedh për jetën e amshuar”.