Jubileu: shteg i ri për këmbësorë, nga Stacioni San Pietro, në Bazilikën e Vatikanit
R.SH. - Vatikan
Kryetari i Bashkisë së Romës, Roberto Gualtieri, përuroi sot, 5 prill, një shteg këmbësorësh që lidh stacionin e trenit të Shën Pjetrit - me Bazilikën e Shën Pjetrit, pikërisht pranë njërës nga hyrjet anësore të qytetit të Vatikanit. Rruga prej afërsisht 1 km përshkon "Passeggiata del Gelsomino", duke vazhduar përgjatë Via della Stazione Vaticana dhe Via di Porta Cavalleggeri, deri në Piazza del Sant'Uffizio.
Projekt, për ta bërë më dinjitoze pritjen e shtegtarëve
"Kjo ndërhyrje ka një veçori unike. Ne kemi një fqinj mjaft të rëndësishëm dhe natyrisht donim t'i shprehnim përshëndetjet tona dhe gëzimin tonë që tani ndodhet në shtëpi pas kalvarit në spital". Kështu u shpreh kryebashkiaku i Romës gjatë përurimit. Punimet, që synonin përmirësimin e hyrjes dhe të përvojës së shtegtarëve, zgjeruan trotuaret përgjatë Via della Stazione Vaticana, shtrimin që lidh "Shëtitjen e Jaseminit" me trotuaret përgjatë Mureve të Muzeve të Vatikanit, vendosjen e shtyllave pranë shkallëve të Rampa Aurelia, rregullimin e zonës së gjelbërimit dhe riorganizimin e zonës së parkut, Muret e Vatikanit në Via di Porta Cavalleggeri, restaurimin e trotuareve me kalldrëm deri në Piazza del Sant'Uffizio. Për projektin dhe ndërtimin ka pasur një investim prej 2.6 milionë euro, me synimin për t'u ofruar besimtarëve "rrugë më të sigurt dhe më mikpritëse drejt zemrës së Krishterimit".
Përtëritja e parkut me gjelbërim dhe ndenjëse
“Me këtë përurim mbyllet një pjesë tjetër e punës shumë të rëndësishme të bërë në këtë kuadrat, e cila u hap me Via Ottaviano-n dhe do të mbyllet së shpejti me inaugurimin e shtegut të çiklizmit Monte Ciocci”, vijoi kryebashkiaku me rastin e përurimit. Në Piazza del Sant'Uffizio, nënvizoi gjithashtu Gualtieri, duke ulur nivelin e udhës e pa e dëmtuar këtë pjesë të mureve, punimet "u krijojnë këmbësorëve mundësinë të hyjnë më lehtë në Vatikan. Rezultati është edhe sheshi pedonal tejet i gjelbëruar, ku radhiten më shumë se një mijë bimë, shkurre mesdhetare, pemë, dredhka dhe një trotuar kullues me të njëjten pamje, që karakterizojnë ndërhyrjet në këtë zonë, prej këtu, deri në Via Ottaviano, pajisur dhe me ndenjëse të reja.