Ukraina, Selia e Shenjtë: paqja kërkon dialog të sinqertë ndërmjet palëve, pa parakushte
R.SH. / Vatikan
Një “dialog i sinqertë” ndërmjet palëve, “që nuk i nënshtrohet asnjë lloj parakushti” e që synon “paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”. Kjo është shpresa që ka Selia e Shenjtë për Ukrainën, ndërkohë që vijojnë bisedimet lidhur me marrëveshje për një armëpushim 30-ditor në vendin e Evropës Lindore, që Papa e quan shpesh “i martirizuar”.
Në një deklaratë lëshuar nga Salla e Shtypit e Vatikanit, kujtohet biseda telefonike e së premtes së kaluar, 14 mars, ndërmjet presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy dhe kardinalit Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit. Vetë Zelensky e bëri publike këtë telefonatë përmes një postimi në llogarinë e tij X. Gjatë bisedës, njoftoi sot Selia e Shenjtë, udhëheqësi i Kievit "shprehu dëshirën për shërimin e shpejtë të Atit të Shenjtë Françesku dhe informoi për iniciativën e armëpushimit të propozuar nga Shtetet e Bashkuara, me të cilën u bashkua edhe Ukraina".
“Në këtë drejtim - thuhet në deklaratë - Selia e Shenjtë, ndërsa përsërit lutjen për paqen në Ukrainë, shpreson se palët e përfshira do të shfrytëzojnë mundësinë për dialog të sinqertë, që nuk i nënshtrohet asnjë lloj parakushti e që synon arritjen e paqes së drejtë dhe të qëndrueshme”. “Në të njëjtën kohë, inkurajon që të bëhet gjithçka është e mundur për të liruar të burgosurit”.