MAP

Kardinali Parolin me Presidentin Zelensky, gjatë udhëtimit të Sekretarit të Shtetit në Ukrainë në korrik 2024 Kardinali Parolin me Presidentin Zelensky, gjatë udhëtimit të Sekretarit të Shtetit në Ukrainë në korrik 2024

Telefonatë Zelensky - Kard. Parolin: Papës, urimet për shërim të shpejtë dhe kërkesë ndihme për paqen

Në një postim në X, presidenti ukrainas kujtoi se kishte folur me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit: “E falënderova për lutjet dhe mbështetjen morale të popullit tonë, si dhe për përpjekjet e tij për të lehtësuar kthimin e fëmijëve ukrainas të dëbuar nga Rusia”.

R.SH. / Vatikan

Urime për shërim të shpejtë Papës, mirënjohje për mbështetjen "morale" të popullit ukrainas dhe falënderime lidhur me përpjekjet për të lehtësuar kthimin e fëmijëve ukrainas "të dëbuar dhe të zhvendosur ilegalisht nga Rusia". Për këto çështje presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky  foli me Sekretarin e Shtetit të  Vatikanit, kardinalin Pietro Parolin në një bisedë telefonike dje, 14 mars, pak ditë pas marrëveshjes së arritur nga Kievi dhe Uashingtoni gjatë bisedimeve në Jeddah për një armëpushim 30-ditor.

Intervista

Vetë Zelensky dha lajmin për bisedën me Kard. Parolin - të cilin e pati takuar korrikun e kaluar gjatë udhëtimit të Hirësisë së Tij në Ukrainë – përmes një postimi në llogarinë e tij X.

Në postimin e Zelensky-t lexojmë: “Fola me Sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë, Kardinalin Pietro Parolin. I urova Papës Françesku shërim të shpejtë dhe e falënderova për lutjet dhe mbështetjen morale të popullit tonë, si dhe për përpjekjet e tij në lehtësimin e kthimit të fëmijëve ukrainas të dëbuar dhe të zhvendosur ilegalisht nga Rusia”. “Selia e Shenjtë ka marrë një listë të ukrainasve të ndaluar në burgjet dhe kampet ruse. Ne ju llogarisim në mbështetjen për lirimin e tyre” - shton Presidenti - duke theksuar se shkëmbimi i të burgosurve dhe një armëpushim 30-ditor do të ishin “hapat e para të shpejta” për t’iu afruar një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme. “Ukraina është e gatshme t’i ndërmarrë këto hapa, sepse populli ukrainas e dëshiron paqen më shumë se kushdo tjetër”, shkruan Zelensky, “e zëri i Selisë së Shenjtë është shumë i rëndësishëm në rrugën drejt paqes”.

Punë për të mitur dhe të burgosur

Kjo nuk është hera e parë që lideri i Kievit falënderon publikisht Selinë e Shenjtë për punën e saj në favor të lirimit të më se 19 mijë të miturve ukrainas, të dërguar me forcë në Rusi, dhe të shkëmbimit të të burgosurve. Ai vetë ishte i pari që iu drejtua rrjetit diplomatik të Vatikanit duke kërkuar ndërhyrje për këto çështje. E bëri këtë me Papën Françesku në vitin 2023, në audiencën e parë që nga shpërthimi i luftës, si dhe në takimin e fundit - i treti në Vatikan, i katërti duke marrë parasysh takimin dypalësh në G7 në Pulia - më 11 tetor 2024.

Misioni i Kard. Zuppi

Gjithnjë në vitin 2024 dhe përsëri përmes X, Zelensky i pati shprehur Selisë së Shenjtë mirënjohjen për "përpjekjet" e bëra "që të riktheheshin në shtëpi" dy rregulltarë redentoristë, Ivan Levytskyi dhe Bohdan Heleta, të arrestuar në nëntor 2022 e të liruar nga Rusia në një shkëmbim të burgosurish me Ukrainën, më 29 qershor të vitit të kaluar. Kreu i shtetit shprehu  kënaqësinë edhe për misionin e kardinalit Matteo Maria Zuppi, që synon "lehtësimin e tensioneve të konfliktit në Ukrainë", prandaj u ndalua jo vetëm në Kiev, por edhe në Moskë, Uashington dhe Pekin, duke u takuar me përfaqësues politikë dhe kishtarë. Vetë misioni i Zuppit - siç konfirmohet në disa raste nga Kardinali Parolin - vuri në lëvizje "mekanizmin" për shkëmbimin e të burgosurve dhe riatdhesimin e fëmijëve.

Këtë e pohon edhe Kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher, Sekretar i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, gjatë fjalimit të tij në Konferencën për Formulën e Paqes, në Montreal, propozuar nga vetë Zelensky (tetor 2024). Tema e rendit të ditës ishte “Propozimi numër 4” nga dhjetë pikat që përbëjnë Formulën: “Çlirimi i të gjithë të burgosurve dhe të internuarve”. Kjo lloj ndihme humanitare ishte atëherë "objektivi kryesor i misionit të Kardinalit Zuppi në Kiev dhe në Moskë" - siguroi Gallagher. Ky mision, shtoi ai, “çoi në krijimin e  kuadrit për riatdhesimin e fëmijëve dhe shkëmbimin e rregullt të informacionit ndërmjet dy palëve. Këtu përfshiheshin edhe takimet online me pjesëmarrjen e nuncëve apostolikë në të dy vendet”: Visvaldas Kulbokas në Ukrainë - e Giovanni d’Aniello në Rusi.

“Prania e dy nuncëve apostolikë është e dobishme për të lehtësuar dialogun”, shpjegoi Prelati. Kulbokas në veçanti, kujtoi, "identifikoi institucione katolike të gatshme për të mirëpritur familjet me të mitur të riatdhesuar".

E kjo, ndërsa Selia e Shenjtë përsëriti "kërkesat e saj për lista të reja të fëmijëve", transmetoi "mijëra emra të burgosurish, duke kërkuar shkëmbimin dhe lirimin e tyre". I kërkoi palës ruse edhe transferimin e ushtarëve të vdekur ukrainas, që të mund të preheshin në Atdhe.

15 mars 2025, 12:45