MAP

Atë Roberto Pasolini, predikatar i ri i Shtëpisë Papnore Atë Roberto Pasolini, predikatar i ri i Shtëpisë Papnore

Atë Pasolini: Papa “me ne” edhe pse mungon. E tija është vuajtje ringjallëse

Predikatari i Shtëpisë Papnore shpjegon temën e Ushtrimeve Shpirtërore të Kreshmëve në Vatikan, titulluar “Shpresa e jetës së amshuar”. “Në një kohë kaq të përqendruar tek materializmi, rikthehet një mall i madh për amshimin”. Për Papën e shtruar në Gemelli: “Mungesa e tij është fjalë për ne. Dëshmia, shoqërohet me të gjitha dëshmitë e njerëzve që e jetojnë në heshtje misterin e vuajtjes dhe të së keqes së luftërave e të dhunës”.

R.SH. / Vatikan

"Mungesa e Papës nuk do të jetë mungesë e plotë, para së gjithash sepse ne do të mblidhemi në lutje për të me intensitet më të madh. E pastaj, sepse vetë mungesa e tij do të jetë një fjalë për ne". Atë Roberto Pasolini, 53 vjeç, frat kapucin, dijetar biblik dhe predikatar i ri i Shtëpisë Papnore që nga nëntori 2024, përgatitet të predikojë Ushtrimet Shpirtërore të Kreshmëve në Sallën Pali VI të Kuries Romake, që nesër, 9 Mars deri të Premten, 14 Mars. Ushtrime shpirtërore, pa Papën Françesku, shtruar në Poliklinikën Gemelli... "Vuajtja e tij është thellësisht ndjellëse" kujton Atë Pasolini për mediat e Vatikanit: domethënë, ngjall dhimbjen e shumë njerëzve, sot viktima të vuajtjes e të dhunës. "Me Atin e Shenjtë do të jetojmë një bashkim shpirtëror".

"Shpresa e jetës së amshuar". Atë Roberto, na shpjegoni kuptimin e temës së zgjedhur për ushtrimet shpirtërore të këtyre Kreshmëve. Çfarë është zemra?

Zemra është padyshim jeta e amshuar, që është një nga nenet e Besojmës së Nikesë, formulim kryesor i fesë për ne të krishterët, që në këtë vit jubilar kremton 1700 vjetorin. Shprehjen “Shpresa e jetës së amshuar” e mora nga Besëlidhja e Re, sepse është, në një farë, mënyre zemra e shpresës së krishterë, domethënë fakti që jeta, të cilën Zoti na e dhuroi në këtë botë, është një e mirë, diçka që nuk ka kuptim vetëm në kornizën e jetës tokësore, por që drejtohet nga një përjetësi, për të cilën tashmë i kemi shenjat dhe shpresat që të mund ta kuptojmë plotësisht.

Duke menduar për amshimin, mendohet edhe për vdekjen: si lidhet, atëherë, shpresa me temën e jetës së amshuar, që quhet gjithashtu "premtim"…

Ne jetojmë në këtë botë dhe e dimë se kemi një pengesë të madhe para nesh: është pikërisht ajo e vdekjes, e lidhur me mëkatin tonë, siç na thotë tradita jonë shpirtërore. Premtimi që Zoti na bëri duke na dhënë jetë, është se vdekja nuk do të jetë fjala e fundit, nuk do të kishte lumturi apo shpresë të mundshme për ne, nëse nuk do të ishim në gjendje ta përballonim këtë pengesë kaq të rëndë, kaq serioze, që është ndërprerja e jetës. Natyrisht, jeta e amshuar, për të qenë e vërtetë, duhet të shfaqë tiparet dhe cilësitë e saj përpara vdekjes, përndryshe rrezikon të bëhet vetëm shpresë e paqartë për të mos u tmerruar nga vdekja. Ky ishte edhe objekti i predikimit të Jezusit: këmbëngulja në faktin se jeta e amshuar fillon tani! E është Ai për ne, Krishti.

E si mund të transmetohet ky mesazh në një botë si kjo e sotmja? Një botë ku duket se është kapërcyer edhe vetë shekullarizimi e ku mbizotëron indiferenca, veçanërisht tek të rinjtë...

Është e vërtetë që sot përqendrohemi tek “gjërat këtu poshtë”, për të përdorur gjuhën pauline, kështu që e kemi të vështirë të “dalim dhe të shohim përsëri yjet” që na udhëheqin diku tjetër. Megjithatë, në një kohë kaq të përqendruar tek materializmi, në kaq shumë gjëra që shkëlqejnë para syve tanë, besoj se në realitet po kthehet një nostalgji e madhe për  përjetësinë, të paktën si cilësi e jetës, e bukurisë, e njerëzimit që në këtë botë duhet të shkëlqejë para syve tanë. Pra, po, kjo botë ndoshta i ka humbur nga sytë realitetet përfundimtare, të ashtuquajturin horizont eskatologjik, por është jashtëzakonisht e ndjeshme ndaj gjithçkaje që është njerëzore, thellësisht njerëzore. E pikërisht aty ne të krishterët nxitemi, të ftuar fuqimisht ta bëjmë të shkëlqejë cilësia e jetës së amshuar.

Çfarë drejtimi do të ndjekin predikimet tuaja në Ushtrimet Shpirtërore?

Do të nisemi nga të dhënat disi teologjike të Katekizmit për jetën e amshuar, për të vijuar me traditën. Më pas do të përpiqemi t'i udhëheqim pjesëmarrësit në Ushtrime në një rrugë më biblike përmes Shkrimeve, duke dëgjuar atë që thonë për jetën e amshuar, pikërisht për të rifituar kuptimin e kësaj jete, tashmë në horizontin e jetës njerëzore, e kështu "t’i shijojmë" edhe aspektet e jetës së amshuar, të cilat mund t'i jetojmë dhe t'i mirëpresim që tani.

Ushtrimet e Kreshmëve zhvillohen "në bashkim shpirtëror" me Papën. Çfarë do të thotë kjo?

Kjo do të thotë se Ati i Shenjtë me sa duket nuk do të jetë në gjendje të marrë pjesë, siç do të dëshironte të bënte, për shkak të kësaj sëmundjeje. Megjithatë, mungesa e tij nuk do të jetë e plotë, para së gjithash sepse ne do të mendojmë për Të dhe do të mblidhemi rreth Fjalës së Zotit në lutje, në një mënyrë edhe më të veçantë, me intensitet më të madh. E pastaj sepse pikërisht mungesa e tij do të jetë një fjalë për ne!

Domethënë, mungesë e pranishme e edhe dëshmi?

Absolutisht po. Dëshmia e tij shoqërohet me të gjitha dëshmitë e njerëzve që në heshtje, të fshehur, në të gjitha anët e botës, po jetojnë të njëjtin mister vuajtjesh, por edhe të së keqes për shkak të luftërave, dhunës dhe vdekjes. Prandaj vuajtja e tij është thellësisht ndjellëse edhe sepse të gjithë këta njerëz janë gjithmonë në fjalët, në zemër dhe në lutjet e Atit të Shenjtë.

Duke folur ende për Papën, a ka ndonjë urim që ju dëshironi t'ia drejtoni personalisht Françeskut?

Urimi që i bëj personalisht Atit të Shenjtë, është që në këto orë të vazhdojë të bëjë çka ka bërë gjithmonë, domethënë të mbetet para nesh si Bariu universal i Kishës me gjithë besimin e tij në Zotin Jezus, në Pashkët e tij dhe mbi të gjitha, në Ungjillin e tij.

08 mars 2025, 21:33