Sinodi, fillon një udhë shoqërimi. Në vitin 2028, Asambleja kishtare
R.SH. / Vatikan
Jo një Sinod i ri, por një Asamble kishtare: do të mbahet në Vatikan, në tetor 2028 dhe do të paraprihet nga një rrugë shoqërimi. Njoftimin e dha kardinali Mario Grech, sekretar i përgjithshëm i Sekretarisë së Përgjithshme të Sinodit, në një letër dërguar të gjithë ipeshkvijve dhe heparkëve, si dhe patriarkëve e kryeipeshkvijve të Kishave Katolike Lindore.
Zbatimi i Dokumentit përfundimtar të Sinodit 2024
Shoqërimi, për të cilin bëhet fjalë, u miratua nga Papa më 11 marsin e kaluar. Lidhet me fazën e zbatimit të Sinodit, i cili përfundoi pas një udhëtimi tre vjeçar, në vitin 2024, i përqendruar tek tema “Për një Kishë sinodale. Bashkim, pjesëmarrje, mision”. Siç saktësoi menjëherë Papa, Dokumenti përfundimtar i kësaj Asambleje të XVI të Përgjithshme “është pjesë e magjisterit të zakonshëm të pasardhësit të Pjetrit” dhe, si i tillë, duhet të pranohet. Kjo për “Kishat lokale dhe grupimet e Kishave”- shpjegon Kardinali - nënkupton impenjimin për të “zbatuar” porositë e vetë Dokumentit, përmes proceseve “të shqyrtimit dhe të vendimit”.
Të konkretizohet i shkëmbimi ndërmjet Kishave e në Kishë
Faza e zbatimit - saktëson Kardinali Grech - nuk duhet kuptuar si “zbatim i thjeshtë i direktivave që vijnë nga lart”, por më tepër si “proces rishikimi” i Dokumentit përfundimtar, në mënyrë “të përshtatshme për kulturat lokale dhe nevojat e bashkësive”, duke ruajtur gjithnjë synimin “për ta bërë konkret shkëmbimin dhe dialogun “ndërmjet Kishave dhe në mbarë Kishën”.
Të përfshihen priftërinj, diakonë, të shuguruar e laikë
Me “rëndësi të dorës së parë” për këtë proces zbatimi - vazhdon ai - është ripërfshirja e të gjithë njerëzve që dhanë kontributin e tyre gjatë Sinodit, në mënyrë që “dëgjimi i të gjitha Kishave” dhe aftësia dalluese e barinjve të tyre të japin fryte. Prandaj, mjetet bazë do të jenë "skuadrat sinodale të formuara nga priftërinj, diakonë, të kushtuar e të kushtuara, laikë e laike, shoqëruar nga ipeshkvi i tyre". Prandaj, këto ekipe – këshillon Sekretari i Përgjithshëm kardinali Mario Grech – duhet të “përforcohen” e, nëse është e nevojshme, “të freskohen, të riaktivizohen dhe të integrohen siç duhet”.
Grupet e Punës dhe Komisioni kanonistik
I gjithë procesi - nënvizon Sekretari i Përgjithshëm i Sinodit - përbën “kornizën” brenda së cilës duhet të vendosen edhe rezultatet e punës së Grupeve të Studimit si dhe kontributet e Komisionit të së Drejtës Kanonike”. Duhet kujtuar se Grupet e Studimit, dhjetë në numër, u krijuan nga Papa Françesku në mars 2024, me detyrën për të shqyrtuar çështjet që dolën gjatë seancës së parë të Asamblesë të XVI Sinodale, të mbajtur në vitin 2023. Ndërsa Komisioni i së drejtës kanonike - siç tregohet në Instrumentum laboris të sesionit të dytë të Asamblesë, funksional nga viti 2023 - u krijua "në marrëveshje me Dikasterin për Tekste Ligjore, në shërbim të Sinodit", në sesionin e dytë të Asamblesë 20 të Sinodit”.
Nga 24 deri më 26 tetor, Jubileu i skuadrave sinodale
Kardinali Grech tregon, më pas, etapat në të cilat ndahet rruga e shoqërimit të fazës së zbatimit të Sinodit: duke filluar që në këtë mars, shpallja e shtegtimit aktual; një dokument i veçantë do të publikohet në maj, për të detajuar progresin e tij të posaçëm. Ndërsa proceset e zbatimit do të vazhdojnë në kishat lokale dhe grupimet e tyre, tetorin e ardhshëm, nga data 24 deri në 26, do të shpallet "Jubileu i ekipeve sinodale dhe organeve pjesëmarrëse". Është "ngjarje e rëndësishme" - shpjegon Sekretari i Përgjithshëm i Sinodit, i cili nënvizon "angazhimin për një Kishë gjithnjë e më sinodale brenda horizontit të shpresës, që nuk zhgënjen", të festuar me Vitin e Shenjtë që po zhvillohet aktualisht.
Një Asamble kishtare, në tre vjet
Më pas, ndërmjet semestrit të parë dhe të dytë të vitit 2027, kuvendet vlerësuese do të mbahen në dioqeza, heparki, konferenca ipeshkvnore kombëtare dhe ndërkombëtare, struktura hierarkike lindore dhe grupime të tjera kishtare. Semestri i parë dhe i dytë i vitit 2028 do të mendohen për asambletë kontinentale të vlerësimit dhe për botimin e Instrumentum laboris të asamblesë kishtare të tetorit 2028.
Ftesë lutjeje për Papën
Letra e kardinalit Grech përfundon me ftesën për t'u lutur për shëndetin e Papës Françesku, i cili u shtrua që prej 14 shkurtit në Poliklinikën Gemelli, në Romë.